E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy deputetët "lobojnë" për çështjen çame

Krijohet sot Partia për Drejtësi dhe Unitet, pjesë e së cilës do të jenë Dashamir Tahiri dhe Shpëtim Idrizi. Deputeti Tahiri ka bërë me dije dje formimin e grupimit të ri politik që, sipas tij, ka për objektiv t‘i japë zgjidhje çështjes çame. Deputeti Tahiri konfirmoi gjithashtu se pjesë e partisë së re do të jetë edhe deputeti Shpëtim Idrizi. Zyrtarizimi i kësaj partie do të bëhet sot, në orën 12:00, dhe duket se lëvizja e re do të shënojë ndryshimin fillestar të ekuilibrave të mazhorancës në Kuvend. Bashkëpunimi për këtë lëvizje ka nisur prej kohësh dhe në krye të saj është misioni për t‘i dhënë zgjidhje çështjes çame, e cila konsiderohet si problemi thelbësor e këtij komuniteti. Deputeti Dashamir Tahiri, i zgjedhur më 28 qershor nën siglën e Partisë për Drejtësi dhe Integrim në Qarkun e Vlorës ka vendosur të ndërtojë Partinë për Drejtësi dhe Unitet, duke i shkëputur në këtë mënyrë marrëdhëniet me kryetarin e PDI-së, Tahir Muhedini. Pas këtij vendimi, kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, zoti Muhedini, është shprehur se për momentin nuk ka asnjë koment për këtë lëvizje të fundit të deputetit Dashamir Tahiri dhe se nuk është i informuar ende për diçka të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›