Hetimi i SHKB-së, nën pranga 9 policë rrugorë
Autori i Lajmit: Redaksia
Arrestohen pas një hetimi të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme nëntë punonjës të policisë së qarkullimit rrugor në komisariatin e Fierit.
Akuzat
Punonjësit e policisë akuzohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer më shumë se njëherë veprën penale të korrupsionit pasiv gjatë shërbimit në aksin Lushnjë-Fier-Vlorë. Policia bën të ditur identitetin e të arrestuarve të cilët janë: Arjan Xheka, Bardhosh Malaj, Flamur Derveni, Pëllumb Toro, Pëllumb Çepele, Vladimir Gjini, Leonard Brahimaj, Anesti Gjini dhe Ermir Gjonçe. Mësohet se të arrestuarit u merrnin para drejtuesve të automjeteve në këmbim të mosndëshkimit administrativ për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Për të njëjtën akuzë filluan hetimet në gjendje të lirë edhe për tetë punonjës të tjerë të policisë rrugore në Komisariatin e Policisë Fier. Bëhet e ditur se nën hetim janë gjithashtu edhe 35 qytetarë, drejtues automjetesh, të cilët në kohë të ndryshme kanë kryer veprën penale të korrupsionit aktiv duke u dhënë para këtyre punonjësve të policisë rrugore në këmbim të mosndëshkimit administrativ për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Hetimi
Efektivat e policisë të cilët janë arrestuar po merren në pyetje në drejtorinë e Fierit ndërsa akuza e ngritur ndaj tyre është “korrupsion pasiv”. Sipas policisë, pas hetimit disa mujor të zhvilluar, dosja u referua në Prokurori dhe më pas gjykata miratoi paraprakisht arrestimin e nëntë efektivave të policisë. Ministria e Brendshme njoftoi se në kuadër të luftës kundër korrupsionit në radhët e Policisë së Shtetit, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme kishte vënë nën hetim prej disa muajsh 17 punonjës të policisë rrugore të Komisariatit të Policisë Fier. Në përfundim të këtij hetimi për të cilin Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm bashkëpunoi me njësinë Task-Force në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, u krye arrestimi i nëntë punonjësve të policisë së qarkullimit rrugor të Komisariatit të Policisë Fier.
Të arrestuarit
Arjan Xheka
Bardhosh Malaj
Flamur Derveni
Pëllumb Toro
Pëllumb Çepele
Vladimir Gjini
Leonard Brahimaj
Anesti Gjini
Ermir Gjonçe
Kapen 2 italianë, vodhën 150
milionë me karta bankomatësh
Dy shtetas italianë janë arrestuar dje nga policia shqiptare në Tiranë, pasi akuzohen se kanë kryer tërheqjen e 150 milionë lekë të vjetra në mënyrë të paligjshme në bankomatet e Bankës Intesa SanPaolo në Shqipëri, konfirmojnë burime zyrtare nga Policia e Shtetit. Arrestimi i dy italianëve 25-vjeçarë me banim në Xhenova, Luca Maria Calvi, 25 vjeç dhe Gabriele Pasqualino, u bë në kuadrin e operacionit të koduar “Paterica”, nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar dhe Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë. “Arrestimi i tyre u bë pasi nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njëri – tjetrin, në vende dhe kohë të ndryshme, kanë kryer tërheqjen e shumave të parave në mënyrë të paligjshme në bankomatet e Bankës Intesa SanPaolo në Shqipëri, duke përdorur karta plastike me të dhëna bankare të falsifikuara. Si rezultat i punës-gjurmuese policore këta shtetas u kapën në flagrancë rreth orës 01.00 në një nga ATM-të e kësaj banke”, - deklaruan zyrtarët e policisë. Nga kontrolli i personave në momentin e kapjes në flagrancë dhe i ambienteve të dhomës së një hoteli luksoz në Tiranë, ku ishin akomoduar, u gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale: një kompjuter lap top me informacionin e plotë për kartat bankare dhe PIN-in e tyre, një pajisje elektronike “Memory card reader” që u shërbente për vjedhjen e informacionit të kartave bankare, 19 karta bankare nga të cilat 5 janë pa mbishkrime me informacionin bankar në të, një shumë prej 23 000 euro, një shumë prej 200 000 lekë të tërhequra nga ATM në Tiranë, një autoveturë e tipit “Chrysler”, ma targë TR7726R, me ngjyrë të zezë, një dosje për kamuflimin e kartave plastike. Nga hetimet paraprake deri tani rezulton se ky grup, këtë aktivitet kriminal e kryente për herë të dytë në Shqipëri. Deri tani është konfirmuar se në degët e Bankës Intesa Sanpaolo kanë kryer mbi 750 transaksione, nga këto mbi 350 transaksione të suksesshme dhe mbi 400 tentativa. Janë përdorur mbi 250 karta. Shuma e parave të tërhequra llogaritet mbi 15 000 000 lekë. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit tha se po vazhdojnë hetimet për zbulimin edhe të vjedhjeve të tjera të kryera nga këta shtetas në bankat e vendeve fqinje.
Ky lajm është publikuar: 14/01/2010