Ja faktorët natyrorë dhe humanë, që shkaktuan përmbytjet
Autori i Lajmit: Denisa Kona
Shkaktarët e përmbytjeve në pellgun e Drin-Bunës janë më shumë se një dhe madje tepër kompleks, të lidhur e ndërvarur me njëri-tjetrin: Janë faktorë natyrorë dhe faktorë humanë. Pretendimet se kjo është vetëm një fatkeqësi natyrore apo se është pasoj e dorës së njeriut, janë shkime të pjesshme e të njëanshme, së paku nga vështrimi gjeologjik i problemit. Më në fund, ne kemi në dorë një relacion të detajuar, të përgatitur nga sektori i monitorimit të lumenjve në Drejtorinë e Hidrogjeologjisë, (që është pjesë e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar). Aty analizohen një për një të gjitha rrethanat natyrore dhe ndërhyrjet njerëzore që kanë shkaktuar jo vetëm nje herë përmbytjet në zonën veripërendimore të vendit, pikërisht aty ku gjendet edhe nyja hidrike më e komplikuar e të gjithë rrjetit ujor të Shqipërisë. Edhe pse faktorët natyrorë si dhe ata të provokuar nga njeriu nuk janë dhënë ndarazi, gazeta ka bërë për lehtësi, një ndarje relative të tyre:
Sipas relacionit të përpiluar nga shefi i sektorit të monitorimit të lumenjve, Adrian Dhimitri, Pellgu i Drin-Bunës është nyja më e ndërlikuar hidrike në tërë rrjetin lumor të Shqipërisë. Në të kombinohen një sërë aktorësh dhe faktorësh natyrorë dhe humanë (rrjedhjet e shumta sipërfaqësore, liqeni, deti, laguna, veprat hidroenergjitike, madhësia e pellgut ujëmbledhës dhe ndërtimi gjeologjik i tij, moti i lagësht, disnivelet e kufizuara hipsometrike poshtë digës së Spatharës, etj, veprimi i njëkohshëm i të cilëve shkakton situata shumë të vështira me mundësira të kufizuara mënjanimi. “Pa dashur të bëjmë një ndarje në faktorët ndikues, natyrorë apo humanë, kemi të bëjmë me dy situata specifike që janë prezente; njëra mbi digën e Vaut të Dejës dhe tjetra poshtë saj,- shpjegon shefi i sektorit, Ing. Adrian Dhimitri.- Pjesa mbi digë karakterizohet nga një aftësi grumbullimi dhe lëshimi të kontrolluar të masës ujore në të tre rezervuaret e hidrocentraleve, ndërsa pjesa poshtë saj, nga një aftësi e kufizuar në përcjellshmërinë e kësaj mase në drejtim të detit”. Kjo do të thotë, se sasia e ujërave të lëshuara nga portat e digës në rast se është e madhe, nuk përcillet dot me të njëjtën shpejtësi në det dhe shkakton përmbytje të zonës përreth. Ndërkohë, ndërtimi gjeologjik i pellgut ujëmbledhës të Drinit, terreni tepër malor i tij dhe rreshjet e shumta kushtëzojnë vlera të larta të Koefiçientit të rrjedhës në të. (0,64, që do të thotë se 64% e sasisë së rreshjeve hyn në rrjedhë). Gjeologjikisht, kjo lidhet me praninë e formacioneve gëlqerore të karstezuara dhe rreshpeve metamorfike. Pjesa tjetër e ujit akumulohet në formacione të tilla si depozitime terrigjene të Kuaternarit dhe Neogjenit të gropës së Dibrës, depozitime flishore të zonës së Krastë-Cukalit, depozitime Plio-Kuaternare të përfaqësuara nga ranorë dhe konglomeratë të shkrifët, etj”.
Shpyllëzimi ka përshpejtuar proceset gjeologjike të errozionit
Mbulesa bimore është një tjetër akumulues ujor potencial me një ndikim përcaktues në vlerën e këtij koefiçienti. Në kushtet e nje shpyllëzimi intensiv në pjesën më të madhe të këtij pellgu ujëmbledhës, vlerat e këtij koefiçienti janë rritur në mënyrë të ndjeshme, gjë që do të thotë, se sasia e rreshjeve që hyn në rrjedhë është shumë më e madhe se më parë. Në këto kushte, për të njëjtën sasi rreshjesh dhe të njëjtin interval kohe, rezervuareve u duhet të përballojnë sasira më të mëdha uji. Kjo është vetëm njëra anë e problemit. Shpyllëzimi gjithashtu, ka përshpejtuar proçeset gjeologjike të errozionit sipërfaqësor në shpatet e luginave, gjë që ka rritur në mënyrë të ndjeshme sasinë e prurjeve të ngurta në rezervuar. Po kështu kemi një prani më të madhe të rrëshqitjeve dhe rrëzimeve në shpate. Në këto kushte, rritet edhe dinamika e mbushjes së rezervuarit me sedimente të ngurta dhe zvogëlohet volumi i dobishëm i tij. Për rrjedhojë edhe koha e mbushjes dhe zbrazjes me ujë është më e vogël. Një situatë më e komplikuar paraqitet poshtë digës së Vaut të Dejës. Faktorët që vështirësojnë shkarkimin e ujit për në det dhe shkaktojnë përmbytje, janë disa:
Faktori natyrë
Së pari, pjerrësia e ulët e shtratit të Bunës (0,9 0/00) me gjatësi 44 km nga Liqeni i Shkodrës (kuota ~5m) deri në det. Kjo shkakton një lëvizje shumë të ngadaltë të ujit. Së dyti është ndryshimi i madh i morfologjisë së këtij shtrati. Nga bashkimi me Drinin, shtrati i Bunës deri në Dajç dhe Obot është nga 500m deri në 1200m, ndërsa më poshtë kjo gjerësi ngushtohet deri ne 140 – 250m. Ngushtimi i seksionit të kanalit të rrjedhës nuk përballon sasitë e mëdha të ujit në kohë plotash. Së treti, shtimi i sasisë së ujit në shtratin e Drinit rrit nivelin e tij duke vështirësuar shkarkimet e Bunës nga Liqeni. Shpesh uji lëviz në drejtim të kundërt. Rritja e nivelit në Drin rrit gjithashtu sasinë e ujit në shtratin e Drinit të Lezhës i cili ka një shtrat të ngushtë me pjerrësi shumë të vogël duke rrezikuar fushat e Barbullushit dhe Kakarriqit. Prurjet e mëdha dhe të vrullshme ujore të degëve me rregjim të theksuar torrencial Gjadër dhe Kir në kohë rreshjesh të dendura rrisin ndjeshëm nivelin e ujit në lumin Drin. Pra, me sa kuptojmë nga shpjegimi i specialistit, diferenca e shpjetësive të ndryshme që kanë ujërat e lumenjve dhe përrenjve, bën që ujërat të mos arrijnë të transportohen në të gjithë gjatësinë e rrugës me të njëjtën sasi në të njëjtin fraksion kohe. Kjo mund të krahasohet me trafikun e makinave. Në një rrugë të gjerë si autostrada ato rrjedhin shpejt dhe më shumë në paralel, por mjafton që të mbërrijnë në një pikë të ngushtë rruge, që nuk përballon kalimet nga 4 apo 8 makina njëherësh dhe vepron rasti “grykë shisheje”. Një pikë e ngushtë mjafton për të zhvelësuar përfitimin në kohë që automjeti ka arritur gjatë gjithë rrugës. Kjo është “përmbytja e trafikut.
Faktori njeri
Shfrytëzimi intensiv dhe pa kriter i inerteve të terracës së shtratit, në vende të cilat nuk mund të rigjenerohen më në kushtet e prurjeve të reduktuara të inerteve vetëm nga Lumi i Gjadrit dhe i Kirit, shkakton ulje të kuotës hipsometrike në këtë zonë, për rrjedhojë edhe ulje të pjerrësisë së shtratit të Drinit, duke ulur kështu edhe shpejtësinë e lëvizjes së ujit në të. Nga ana tjetër, mbathja e shpejtë e fundit të shtratit të Bunës nga zona poshtë Shirqit e deri në grykëderdhje me aluvione të imta fundore vështirëson lëvizjen e shpejtë të masës ujore për në det.
Një tjetër faktor është prishja e digës së Malit të Rrëzuar mbi lumin e Gjadrit e cila shërbente për uljen e energjisë së rrjedhës dhe depozitimin e materialeve të ngurta.
Prania e errozionit në vijën bregore, pra avancimi i detit, që gjatë viteve 1978-1981, ka qenë rreth 0.5 m në vit, ndërsa nga matjet e viteve 1988-1995-2003, erozioni varion nga 1- 2m në vit, është një tjetër problem me tendencë në rritje. Së fundi, prishja e argjinaturave mbrojtëse në sektorë të veçantë bën të mundur kalimin e ujrave në drejtim të fushës. Nga të githë këta faktorë, kuptohet se aktivizimi i njëkohshëm i tyre në periudhë rreshjesh të dendura shkakton situata përmbytjesh, shpeshherë të papërballueshme, dhe me kosto të lartë ekonomike.
Ky lajm është publikuar: 14/01/2010