Ekstradohet Gentian Liçi, i dënuar me 15 vite për prostitucion
TIRANË - Ekstradohet nga Italia Gentian Liçi, i akuzuar dhe i dënuar me 15 vite burg për trafikimin e një vajze dhe shfrytëzimin e saj për prostitucion. Ka qenë nëna e vajzës me inicialet I. T. që ka vënë në lëvizje organin e akuzës për të kërkuar ekstradimin e tij. Drejtoria e Policisë së Shtetit bëri të ditur se dje është bërë ekstradimi nga Roma drejt Shqipërisë i shtetasit shqiptar Gentian Liçi, 34 vjeç. Ekstradimi u bë nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tiranës. Sipas njoftimit të Policisë, “ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë e ka dënuar me 15 vjet burg për kryerjen e veprës penale të “trafikimit të femrave për prostitucion”. Në prill të vitit 2002, Liçi, në bashkëpunim me shtetasit Petrit Liçi, Gëzim Liçi, Hazir Zhyra, Dilaver Muhja dhe Kristaq Elezi, kanë trafikuar për qëllime përfitimi shtetasen I. T. “Duke parë gjendjen e vështirë ekonomike të së dëmtuarës dhe familjarëve të saj, me anë të veprimeve mashtruese, shtetasit e sipërpërmendur kanë arritur t’i bindin prindërit e saj që kjo e fundit të martohej me shtetasin Gentian Liçi, duke u shprehur se të dy do të shkonin në Itali për të punuar”, - thuhet në njoftimin e Policisë. Tashmë Liçi pritet që të vuajë dënimin prej 15 vitesh të dhënë nga Gjykata e Lushnjës.
Gjendet i mbytur në kanal 87-vjeçari, dyshohet për asfiksi
DURRËS - Gjendet i mbytur në një kanal uji 87-vjeçari, të afërmit kishin denoncuar largimin e tij. Policia e qytetit bregdetar bën të ditur se më datë 10.02.2010, rreth orës 10:20, është gjetur i mbytur në një kanal uji, në fshatin Fllakë, komuna Katundi i Ri Durrës, shtetasi Sh. M., 87 vjeç, lindur e banues në fshatin Qerret Durrës. Nga kryerja e veprimeve të para hetimore rezultoi se vdekja e këtij personi mund të jetë shkaktuar nga asfiksia pas rënies aksidentale në ujë. 87-vjeçari ishte larguar nga banesa që më datë 08.02.2010, fakt për të cilin familjarët kishin njoftuar në Komisariatin e Policisë Shijak dhe ishte bërë shpallja në kërkim e tij për largim nga banesa. Materialet e para hetimore iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.
12 Shkurt 2010