E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia belge prangos trafikantët e C4-s, gjenden edhe veshje të Policisë shqiptare

Një superaksion i agjentëve në Belgjikë sekuestron lëndë eksplozive dhe armë
BELGJIKË – Superaksioni i Policisë belge ka çuar në arrestimin e 12 personave belgë me origjinë shqiptare, si dhe në arrest shtëpie për 10 të tjerë. Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 7 kilogramë eksplozivë C4, 1.5 kilogramë dinamit, 15 pistoleta, 1 automatik AK 47, disa granata si dhe veshje të Policisë shqiptare.

Aksioni
Prej gati dy vitesh, Policia belge kishte nisur hetimet për këtë grup kriminal. Aksioni i finalizuar të mërkurën në mëngjes çoi në arrestimin e 12 personave dhe në vendosjen në arrest shtëpie për 10 të tjerë, nën akuzën e organizatës kriminale, trafikimit dhe mbajtjes të armëve luftarake. Aksioni ishte i shtrirë në Bruksel (Evere veçantë dhe Schaerbeek), por edhe në La Louviere dhe Vilvoorde. 15 pistoleta me municione u zbuluan, 7 kilogramë lëndë eksplozive C4, 1.5 kg dinamit, një automatik tip “Kallashnikov” me fishekë, një granatë, veshje antiplumb, si dhe uniforma dhe grada të Policisë Shqiptare.
Ky aksion është rezultat i një hetimi të filluar në fillim të vitit 2008, në bazë të informacionit të policisë. Dy të dyshuar janë ende për t'u dëgjuar nga ana e gjyqtarëve. Të dyshuarit mohojnë akuzat e ngritura gjatë marrjes në pyetje. Policia njofton se disa prej tyre kanë qenë të dënuar edhe më parë me dënime të rënda. Armët u transferuan në laborator për analizë shkencore.

Hetimet
Deri tani nuk bëhet i ditur identiteti i personave të arrestuar. Policia belge është duke hetuar për të zbuluar bashkëpunëtorë të mundshëm të të arrestuarve, si dhe prejardhjen e municioneve. Të 12-të të arrestuarit janë duke u marrë në pyetje për të dhënë shpjegime lidhur me destinacionin përfundimtar të këtij arsenali armësh. Një tjetër pikë në të cilën është duke u hetuar është fakti se si është bërë e mundur që uniformat e Policisë shqiptare të përfundonin në Belgjikë dhe të përdoreshin nga personat e arrestuar. Rritja e numrit të shqiptarëve të përfshirë në aktivitetet kriminale në Belgjikë i ka detyruar autoritetet policore në Bruksel që të shtojnë bashkëpunimin me homologët shqiptarë. Gjatë kohëve të fundit janë zhvilluar disa vizita dhe janë shkëmbyer informacione për kapjen e personave të shumëkërkuar që ndodhen në të dy vendet.

Aksidentohet polici rrugor, përplaset nga makina

DURRËS - Mbetet i plagosur një efektiv i Policisë Rrugore teksa kryente detyrën e tij në autostradën Tiranë-Durrës. Sipas të dhënave paraprake mësohet se agjenti K. Aliaj është marrë zvarrë nga një fuoristradë, e cila i ka shkaktuar plagë të rënda atij. Aktualisht, agjenti i policisë gjendet i shtruar ne Spitalin e Durrësit, ku sipas të dhënave paraprake, është në gjendje shumë të rëndë. Nga ana tjetër, kolegët e tij kanë arritur të identifikojnë drejtuesin e automjetit, i cili është Afrim Biberaj. Policia e mbërritur në vendngjarje është duke hetuar për të zbardhur gjithë ngjarjen.

Universiteti Bujqësor
Ministri Tafaj pezullon nga detyra pedagogët e akuzuar për mitmarrje

Pezullohen nga detyra pedagogët e akuzuar për mitmarrje në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Vendimi është marrë dje nga kreu i Ministrisë së Arsimit, Myqerem Tafaj. Ministri i Arsimit ka vendosur që dy pedagogët, të cilët u vunë në pranga nga strukturat e seksionit kundër korrupsionit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, të pezullohen nga detyra e tyre në Universitetin Bujqësor. Lidhur me këtë çështje, burime zyrtare nga Ministria e Arsimit deklaruan se ministri Tafaj i ka kërkuar rektorit të Universitetit Bujqësor, Fatos Harizaj, të pezullojë dy pedagogët e akuzuar, për të cilët është marrë masa e sigurisë arrest shtëpie. Policia e Tiranës arrestoi dhe 7 persona për mitmarrje dhe korrupsion në kuadrin e operacionit të koduar “Provimi i suksesshëm 1”. Mes të arrestuarve kanë qenë dhe dy pedagogët e Universitetit Bujqësor, konkretisht, Astrit Frakulla, 59 vjeç, lindur në Vlorë e banues në Tiranë dhe Vasil Kashuta, 50 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Për të zbuluar këtë korrupsion, grupit hetimor, i përbërë nga oficerë të Seksionit të Luftës Kundër Korrupsionit, në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore Taks-Forcë, i janë dashur plot 9 muaj punë. Sipas hetimeve paraprake, personat e ndaluar merrnin shuma që varionin nga 20 mijë deri në 25 mijë lekë për të kaluar në një provim.

302 kg hashash, pranga një shqiptari, një tjetër në kërkim

IGUMENICË (Greqi) - Bllokohen 302 kilogramë hashash, arrestohet një shqiptar, një tjetër shpallet në kërkim. Policia greke ka zbuluar në zonën Gonia të Igumenicës, 9 çanta udhëtimi të fshehura, të cilat përmbanin gjithsej 216 pako me hashash, me peshë të përgjithshme 302 kilogramë. Forcat policore nuk e kanë konfiskuar lëndën narkotike, por kanë rrethuar zonën dhe kanë pritur të fshehura se kush do të merret në dorëzim këtë sasi tepër të madhe droge që duket se ka hyrë nga kufiri shqiptar. Një person i panjohur është afruar te vendi ku ishin fshehur thasët me hashash. Menjëherë policia i ka bërë thirrje të dorëzohet, por ai ka hapur zjarr me kallashnikov dhe duke përfituar nga errësira, është zhdukur në zonën malore. Disa kilometra larg vendngjarjes policia ka arrestuar bashkëpunëtorin e tij që priste atje me një makinë dhe që së bashku me dy persona të tjerë do ta çonin sasinë e drogës drejt Athinës. Të tre personat, një shtetas shqiptar dhe dy shtetasit grekë, janë arrestuar dhe janë çuar në Prokurorinë e Tesprotisë. Ndërsa është shpallur në kërkim personi që mundi t'i shpëtonte rrethimit policor dhe që sipas dëshmive të të arrestuarve, është edhe ai shtetas shqiptar.

12 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›