E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënim përjetë për shqiptarin që vrau britanikun, një tjetër kërkohet

MANÇESTER (Britani) - Gjykata britanike dënoi me burgim të përjetshëm një shqiptar, i cili bashkë me disa bashkëkombës të tjerë vranë në prill të vitit 200 një shtetas britanik. Vendimi për shtetasin Emirjan Hysaj, 34 vjeç, është dhënë nga Gjykata e Mançesterit. BBC raporton se ka përfunduar procesi dhe është dënuar edhe një person tjetër në lidhje me këtë ngjarje. Ndërsa një tjetër është në kërkim. Hysan, bashkë me Moraj Semaj, në vitin 2004 rrahën shtetasin Kalvinder “Bob”, Singh, i martuar, me dy fëmijë, gjatë një përleshjeje në një shtëpi që ndodhet në Mançester. Viktima ishte i pranishëm në vendin ku ndodhi konflikti dhe më pas u sulmua nga grupi i shqiptarëve, duke pësuar fraktura të shumta në kokë. Më pas 31-vjeçari Singh gjeti vdekjen në spital.
Hysaj është ekstraduar në shkurt të vitit 2009 nga Italia dhe ndaj tij nisi procesi gjyqësor, i cili përfundoi sot. Për këtë ngjarje, në nëntor të vitit 2005, u dënua edhe bashkëpunëtori i 34-vjeçarit Hysaj. BBC thotë se Moraj Semaj, 22 vjeç, me origjinë nga Shqipëria, u dënua me 12 vjet burg për vrasjen e Singh. Policia britanike thotë se viktima ishte një person i pafajshëm, i cili u gjend rastësisht në momentin kur të rinjtë u përfshinë në konflikt. Por më pas Singh u përball me dhunën e tyre, duke u qëlluar disa herë me shkopinj në kokë dhe trup. Në proces gjyqësor u përfshi edhe vëllai i Emirjanit, Artaj Hysaj, 28 vjeç. Kreu i Njësisë për Krimet ndaj Personit, Martin Bottomley, thotë se për këtë krim është shpallur në kërkim edhe Alfred Kurti, i cili menjëherë pas krimit është larguar në Irlandë dhe më pas dyshohet të ketë dalë jashtë Britanisë së Madhe. Policia vendase fton qytetarët që të informojnë në momentin kur ka të dhëna për vendndodhjen e 26-vjeçarit Kurti, i cili përdor emrin e shkurtuar “Ardi”.

12 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›