Tirana, nisin ndeshjet e ferrit
Tirana, kryesuesja e Superligës (55 pikë), do të përballet në fundjavë (java 29) me Teutën, ndaj skuadrës së cilës humbi në fazën e dytë (1-2) në kryeqytet. Në fakt, ishte formacioni durrsak, që i “dhuroi” bardhebluve kryesimin, pasi një javë më parë (java 28) mposhti në “Niko Dovana”, Vllazninë (1-0).
Kënaqësia e pikës
Tirana barazoi 2-2 me Partizanin në minutat e fundit (Xhafa shënoi në të 87’) dhe trajneri Agustin Kola u shpreh i kënaqur me pikën e marrë, që i solli edhe avantazhin prej 1 pike ndaj Vllaznisë së vendit të dytë. “Gjithmonë Tirana-Partizani ka prodhuar emocione dhe në këtë ndeshje ata (Partizani) treguan se nuk e meritojnë atë renditje që kanë”. Partizani ndodhet në vendin e 8-të me 30 pikë, 25 më pak se Tirana.
Vlerësim për Teutën
I vetëdijshëm për forcën në rritje të Teutës dhe aftësitë e teknikut Sulejman Starova (një ish-trajner kampion me Tiranën), Kola paralajmëroi në “Ora Sport”: “Teuta është një ekip mjaft i mirë dhe këtë e ka drejtuar veten nga java në javë. Ka lojtarë të rinj, por cilësorë. Për ne çdo ndeshje është si finale, pasi nëse ne luftojmë për titullin, Teuta kërkon një vend në Kupën UEFA”.
Meraku për Vllazninë
Vllaznia është kundërshtari i madh i Tiranës si në kampionat (ndajnë vendet 1-2) ashtu dhe në Kupën e Shqipërisë (përballen në gjysmëfinale, e para 0-0). “Vllaznia është e fortë dhe ajo ka pretendimet e saj, por për Tiranën fitorja është obligim deri në javën e fundit. Nuk ka mbaruar asgjë pasi jemi vetëm një pikë para. Edhe për ndeshjen e Kupës, Tirana duhet të shënojë e të fitojë që të shkojë në finale”. Tirana-Vllaznia (java 33) është edhe “finalja” e kampionatit të 70-të Kombëtar të futbollit, ku do të njihet edhe fituesi.
E ardhmja e Osmanit
Mbrojtësi i njohur Tefik Osmani, nënshkroi gjatë merkatos së verës një kontratë 3-vjeçare me Tiranën, por ish-lojtari i Partizanit, për të cilin presidenti i bardhebluve, Refik Halili, shpenzoi 40 mijë euro për ta blerë nga të kuqtë, duket se nuk ndodhet aq rehat në kampin e 23-herë kampionëve. Në fakt, Osmani po vuan konkurrencën e ashpër të kroatit Toni Pezo (26 ndeshje, 2340 minuta aktivizim). Osmani, i cili më parë ka luajtur edhe në Ukrainë (Metalurg Zaporizhja), është aktivizuar në 22 ndeshje (1717 minuta në total). Sipas korçarit 23-vjeçar, e ardhmja e tij te Tirana varet nga vazhdimësia e presidentit aktual në krye apo jo të bardhebluve. Sipas “skemës me rotacion presidencial”, Halili duhet të largohet në fund të këtij sezoni dhe presidenca pritet të shkojë në duart e Shefikat Ngjelës.
Largimi i Agollit
Mesfushori i Tiranës dhe i Kombëtares shqiptare, Ansi Agolli (26 ndeshje me Tiranën këtë sezon), do të luajë edhe dy ndeshje për ngjyrat bardheblu, pasi 26-vjeçari i huazuar nga skuadra finlandeze VPS, duhet të rikthehet në shtëpi brenda 30 prillit. Me skuadrën finlandeze, Agolli ka zhvilluar 31 ndeshje, duke shënuar 1 gol Tirana dështoi në blerjen e kartonit të ish-lojtarit të saj, kështu që Agolli do të luajë edhe në ndeshjen e kampionatit kundër Teutës (25 prill) dhe gjysmëfinalen e kthimit kundër Vllaznisë (29 prill). “Dua ta mbyll me nder, dhe do të ishte ideale të shënoja të paktën një gol e të ndihmoja ekipin të arrinte në finalen e Kupës”, - tha Ansi Agolli.
NDESHJET E TIRANËS
Java 29: Tirana-Teuta
Java 30: Tirana-Shkumbini
Java 31: Besa-Tirana
Java 32: Dinamo-Tirana
Java 33: Tirana-Vllaznia
RENDITJA
Tirana 55
Vllaznia 54
Dinamo 48
Shkumbini 44
Teuta 41
Besa 39
Flamurtari 31
Partizani 30
Elbasani 30
Lushnja 29
Apolonia 26
Bylis 25
Kola “mund” Slishkon edhe me gola
Tirana, skuadra që kryeson kampionatin me 55 pikë, është njëherësh edhe formacioni që ka shënuar më shumë në 28 javët e zhvilluara të këtij edicioni: 45 gola, e ndjekur nga Dinamo me 2 gola e Vllaznia me 41 gola. Nëntë ekipet e tjera janë nën kufirin e 30 golave të shënuar e kryesohen nga Shkumbini me 29 gola. Rekordmenët e Shqipërisë, që gjatë 28 javëve të parë të këtij sezoni janë drejtuar nga dy trajnerë: Blazh Slishkoviç (java 1-14) dhe Agustin Kola (15-28). 23-herë kampionët e Shqipërisë nën drejtimin e Slishkoviçit luanin me një sulmues të deklaruar (4-5-1) duke shënuar 16 gola, ndërkohë që rekordmenët absolutë të Superligës nën drejtimin e Agustin Kolës tani luajnë me dy sulmues (4-4-2 apo 3-5-2) duke shënuar 29 gola. Migen Memelli ka realizuar 17 nga 45 golat e realizuar nga Tirana, i ndjekur nga Daniel Xhafaj me 9 gola, në podium është dhe Andi Lila me 4 gola.
24 Prill 2009