E Diel, 1 Nëntor 2026

Ljupko Petroviç, kandidat për Kombëtaren



Ljupko Petroviç, boshnjaku 61-vjeçar, ish-trajneri i Crvena Zvezdës, kur skuadra serbe fitoi Ligën e Kampioneve në vitin 1991 kundër Olimpikut të Marsejës (në atë vit Marseja eliminoi Dinamon tonë 5-1, 0-0 në turin e parë), duket se është në “pole position” për të marrë drejtimin e Kombëtares shqiptare pas shkarkimit të holandezit Ari Han. Aktualisht Ljupko Petroviç, një nga lojtarët më të mirë jugosllavë të gjeneratës së viteve ’70 dhe me një të kaluar të gjatë si trajner, që nis me klube nga Bosnja, Serbia, Spanja, Uruguai, Bullgaria, Austria e deri në Kinën e largët, është i papunë pas shkarkimit të tij, më 8 mars 2009 nga drejtimi i skuadrës së Vojvodinës. Mësohet se Petroviç, i cili është shpallur kampion bote me Jugosllavinë U-18 në vitin 1988, është një ndër preferencat e reja të presidentit të FSHF-së, Armand Duka. Petroviç e njeh pak futbollin shqiptar, pasi kur ai ishte nën drejtimin e bullgarëve të Litkes Loveç eliminoi Besën e Kavajës në turin e dytë të Kupës UEFA (2007), pasi më parë Besa kishte eliminuar ekipin serb Bezhanija. Ndeshja e parë e Kombëtares sonë është ajo kundër Portugalisë, më 6 qershor 2009. Shqipëria ka 6 pikë pas shtatë ndeshjesh.

24 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›