E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një trajner serb përçan Kombëtaren shqiptare

 

Jetmir Halilaj

Drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit e kanë seriozisht idenë për të vendosur në krye të Kombëtares shqiptare një trajner serb. Ljupko Petroviç, 62-vjeçari i lindur në një provincë boshnjake, por me prejardhje dhe me familje të pastër serbe, ka joshur presidentin e FSHF-së, Armand Duka, i cili e ka renditur atë në krye të listës së trajnerëve që mund të ulen në stolin kuqezi. Sipas një të përditshmeje shumë të afërt me FSHF-në dhe me presidentin Duka, Petroviç është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e skuadrës sonë përfaqësuese.
Reagimi
Federata, zyrtarisht nuk e ka pohuar një lajm të tillë, por as nuk e ka mohuar atë. Duke ditur se një fakt i tillë prek menjëherë krenarinë e shqiptarëve, ndryshe nga herët e tjera, në rast se lajmi do të ishte i pavërtetë, FSHF-ja nëpërmjet një komunikate për shtyp, fare mirë mund ta mohonte interesimin për teknikun serb. Kjo nuk ndodhi, pasi deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, nuk ka pasur asnjë reagim, qoftë edhe në uebfaqen zyrtare të FSHF-së. Një pjesë e mirë e shqiptarëve nuk e kanë mirëpritur aspak faktin që një trajner serb mund të drejtojë skuadrën tonë Kombëtare. Lajmi se trajneri serb Ljupko Petroviç është një ndër të preferuarit e presidentit të FSHF-së, Armand Duka dhe se ka shumë gjasa që ai të marrë drejtimin e Kombëtares shqiptare, është përhapur me shpejtësi edhe në Kosovë. Ashtu siç mund të mendohet, atje reagimi ka qenë akoma më i ashpër, duke shkaktuar shumë pakënaqësi, madje një pjesë e tifozëve dhe e sportdashësve nuk kanë dashur ta besojnë një gjë të tillë.
Trajneri
Trajneri serb, Ljupko Petroviç, e ka lënë të hapur mundësinë që të marrë drejtimin e Kombëtares shqiptare në të ardhmen. "Shqiptarët para pak kohësh për shkak të rezultateve të dobëta shkarkuan holandezin Ari Hanin dhe tani dëshirojnë të marrin një strateg që mund të bëjë punë të mirë me përfaqësuese të dobët", ka thënë Petroviç për www. tanjug.rs. Ish-trajneri i Cërvena Zvez-dës së Beogradit, me të cilin klub arriti edhe suksesin më të madh në karrierë, duke e shpallur kampione të Evropës më 1991-in dhe të botës (1992), ka ironizuar paksa FSHF-në, duke thënë se "kërkesat e tyre (shqiptarëve) mund t'i përmbushë edhe Miroslav Bla-zheviç, që po arrin suksese të mëdha me ekip mesatar (Bosnja)".
Megjithatë, ai nuk fsheh interesimin për një sfidë të re në karrierën e tij. "Në këtë çast nuk kam kontakte zyrtare me krerët e Federatës Shqiptare, por mund të them që më vjen mirë që puna ime po vlerësohet edhe në Shqipëri, - ka thënë Petroviç. - Jam i interesuar për sfida të reja". Aktualisht trajneri serb është pa skuadër.

Petroviç, revoltohen "Tifozat Kuq e Zi"
Grupimi i njohur i fansave të Kombëtares "Tifozat Kuq e Zi", nëpërmjet një deklarate për shtyp kanë kritikuar FSHF-në për projektet që po harton, duke dalë hapur kundër idesë për të pasur një trajner serb në krye të Kombëtares. "'Tifozat Kuq e Zi' kanë lexuar me shumë shqetësim, revoltë dhe neveri në një media të shkruar, të afërt me FSHF-në, mbi vendosjen e një trajneri serb në krye të listës së trajnerëve që po merren parasysh për drejtimin e Kombëtares shqiptare. Duke mos besuar në asnjë moment mbi vërtetësinë e këtij lajmi, ftojmë FSHF-në të mohojnë vërtetësinë e këtij lajmi menjëherë, publikisht, me forcë dhe të dënojnë përgjegjësit. Na duket fyese dhe poshtëruese për kombin shqiptar të marrim përsipër të argumentojmë pse nuk duhet të ketë trajner serb Kombëtarja shqiptare. 'Tifozat Kuq e Zi', ftojnë FSHF-në që të zgjedhë një trajner që përmbushë këto kushte: 1) Nuk fyen ndjenjat kombëtare; 2) Nuk ka përbuzur shqiptarët në të kaluarën; 3) T'i vendosen trajnerit objektiva të qarta për 3 ndeshjet e mbetura dhe eliminatoret e ardhshme; 4) Të zgjidhet trajner me vizion për të vazhduar punën edhe për një sezon eliminator të dytë; 5) Të këndojë himnin kombëtar së bashku me lojtarët dhe t'i detyrojë këta të përshëndeten me tifozët", thuhet në komunikatën për shtyp në uebfaqen zyrtare të grupimit.

Një karrierë e ndritur
Ljupko Petroviç, boshnjaku 61-vjeçar, ka qenë trajneri i Crvena Zvezdës, kur skuadra serbe fitoi Ligën e Kampioneve në vitin 1991 kundër Olimpikut të Marsejës (në atë vit Marseja eliminoi Dinamin tonë 5-1, 0-0 në turin e parë). Aktualisht Ljupko Petroviç, një nga lojtarët më të mirë jugosllavë të gjeneratës së viteve '70 dhe me një të kaluar të gjatë si trajner, që nis me klube nga Bosnja, Serbia, Spanja, Uruguai, Bullgaria, Austria e deri në Kinën e largët, është i papunë pas shkarkimit të tij, më 8 mars 2009 nga drejtimi i skuadrës së Vojvodinës. Petroviç është shpallur kampion bote me Jugosllavinë U-18 në vitin 1988. Petroviç e njeh pak futbollin shqiptar, pasi kur ai ishte nën drejtimin e bullgarëve të Litkes Loveç eliminoi Besën e Kavajës.

Më 12 gusht miqësore me Qipron
FSHF-ja ka zyrtarizuar dje një tjetër miqësore për Kombëtaren, pikërisht me Qipron, e cila është programuar për t'u luajtur në 12 gusht në Shqipëri. Lajmin e bëri të ditur për "Panorama Sport" sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Arben Bici. "Po, kemi rënë dakord me homologët tanë qipriotë, që të zhvillojmë një ndeshje miqësore në Shqipëri. Ata e kanë pranuar kërkesën tonë", pohoi numri dy i federatës, i cili nga ana tjetër pranoi dështimin e miqësores me Malin e Zi, e cila ishte planifikuar në 12 gusht, që është një datë e lirë e UEFA-s.

Tifozët serbë
Tifozët serbë kanë gjetur rastin që të krenohen, por njëkohësisht edhe të tregojnë cinizmin e tyre, duke shpërfillur rëndësinë e ekipit kombëtar shqiptar. Në forumet e tifozëve në uebsajtin "B92.net", kanë qenë të shumtë tifozët serbë, të cilët e kanë komentuar lajmin se Ljupka Petroviç mund të drejtojë Kombëtaren shqiptare. "E shikoni sa poshtë kanë rënë trajnerët serbë, aq sa tani u kërkohet të drejtojnë skuadra të nivelit si Kombëtarja e Shqipërisë", shkruhej në disa nga komentet e publikuara në forum.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›