Curri: “Ja si i njoh Brigelin, Bariçin e Hanin”
Debatik Curri, mbrojtësi polivalent i Kombëtares shqiptare (23 ndeshje, 1 gol) dhe një nga liderët e ardhshëm të përfaqësueses sonë, ka punuar me tre trajnerët e fundit të huaj që kanë drejtuar në pesë vitet e fundit Shqipërinë. Futbollisti kosovar i Vorskla Poltavës në kampionatin ukrainas, i vëzhguar së fundi edhe nga gjigantët gjermanë të Bajernit e Munihut e Hamburgut, përpos interesimeve të përhershme nga skuadra elitare ruse e turke, jep mendimin e tij në “Albania-sport.com” për teknikët e Kombëtares, gjermanin Hans Peter Brigel, kroatin Oto Bariç dhe holandezin Ari Han. Federata Shqiptare e Futbollit është në tratativa e sipër në kërkim të trajnerit të ri, që do të përgatisë skuadrën jo vetëm për tri ndeshjet e mbetura në fushatën kualifikuese të Kampionatit Botëror 2010, por dhe ato në edicionin eliminator të Kampionatit Europian 2012, finalet e të cilit do të luhen në Poloni e Ukrainë, pikërisht në vendin ku “jeton e punon” Debatiku.
Debatik, ju keni pasur fatin të luani nën urdhrat e trajnerëve të fundit që kanë drejtuar Kombëtaren shqiptare. Cili është opinioni juaj për ta e punën e tyre, duke filluar nga gjermani Hans Peter Brigel?
Të vendosim një kusht që në fillim në bisedën tonë, unë jam një lojtar dhe nuk mund të shprehem për gjëra teknike, se ku kanë gabuar ata, por një përshtypje individuale normalisht që mund ta jap. Brigelin, në të vërtetë e njoh shumë pak, pasi kam luajtur nën drejtimin e tij vetëm një ndeshje, atë në miqësoren kundër Gjeorgjisë (0-0, 11 shkurt 2005) në Tiranë. Ajo ishte ndeshja e parë e imja me Kombëtaren dhe e mbaj mend shumë mirë. Të paktën, me ato që më kishte thënë më përpara (Armend) Dallku për të, dhe me atë që konstatova unë, ishte një trajner me të cilin mund të punojë shumë e të kishe sukses. Pas ndeshjesh, Brigel më përgëzoi për lojën (Curri ishte ‘matchwinner’ i atij takimi), por dhe më këshilloi të punoja shumë. Më erdhi keq, që ai nuk pranoi të vazhdonte të drejtonte më Shqipërinë.
Më pas, në stolin e Kombëtares erdhi Oto Bariç. Kroati dukej i “dashuruar” me ju. Jeni aktivizuar thuajse në të gjitha ndeshjet. Madje, Oto ju konsideronte gjithnjë në media si zbulimin e tij. ǒkujtime ruani nga “plakushi”?
Për të qenë i sinqertë me të gjithë, për mua ai ka qenë trajneri më i mirë që kemi pasur në drejtimin e Kombëtares, të paktën tani për tani nga ata që kam punuar unë. Na kuptonte mjaft mirë ne lojtarëve. Qoftë edhe me një bisedë të zakonshme të fuste në lojë. E njihte shumë mirë taktikën e na shpjegonte një mori gjërash për lojën e kundërshtarit.
Madje, të vetmin gol me Kombëtaren e keni shënuar kur ishte ai trajner...
Eh, kundër Holandës. Nuk do ta harroj kurrë atë gol, edhe pse mund të kem fatin të shënoj ndonjë gol tjetër me Kombëtaren. Kemi bërë më të vërtetë ndeshje të bukura me Bariçin. Ishte pak i vjetër në moshë (75 vjeç), por ishte një trajner me filozofi të madhe. Jo vetëm unë, por të gjithë përfituam nga ai, fituam një përvojë të madhe në lojë. Patëm edhe fatin e keq që humbëm ndeshjet e fundit me Bjellorusinë e Rumaninë. Por, kam bindjen se Bariç do të mbetet shumë i respektuar në Shqipëri e për të gjithë.
Ari Hani tani është larguar nga drejtimi i Kombëtares shqiptare për shkak të rezultateve në tri ndeshjet e fundit, madje barazimi kundër Maltës shënoi edhe pikënisjen e shkarkimit të tij. Cili është gjykimi juaj për punën e holandezit?
Shikoni, me të bëmë disa ndeshje të mira. Dy barazimet me Suedinë (0-0) e Portugalinë (0-0) nuk janë pak për një trajner. Për ndeshjet kundër Maltës, Hungarisë e Danimarkës, edhe ai është pak fajtor, këtë duhet ta themi. Gjithsesi, për ta mbyllur duhet të theksoj se Hani erdhi si një trajner me emër të madh, por sipas mendimit tim, pak njohuri kishte, të paktën kur e krahasoj me punën e stërvitjen që na bënte Bariçi. Nuk mund ta konsideroj një trajner të madh.
Federata Shqiptare e Futbollit e presidenti i saj, Armand Duka, prej disa ditësh është në kërkim të një trajneri të ri të Kombëtares. Si do ta doje ti atë të ishte?
Së pari, kjo është një gjë që nuk varet nga ne, por nga federata. Së dyti, unë do të doja një trajner që e njeh mentalitetin e futbollit tonë apo karakteristikat e atij ballkanik. Bariç prandaj ishte i suksesshëm, pasi Hani nuk u fut plotësisht në mentalitetin tonë. Gjithsesi, puna jonë është të plotësojmë e t’u përgjigjemi sa më mirë detyrave që do të na japë trajneri.
Ndeshja e parë e Shqipërisë me trajnerin e ri do të jetë ajo me Portugalinë (6 qershor) në Tiranë, përpara publikut tonë. Duke u nisur nga fakti, se në takimin e parë barazuam pa gola në Bragë, si e shikoni përballjen e dytë kundër Kristiano Ronaldos me shokë?
Kundër Ronaldos këtë e di më mirë se kushdo tjetër (Admir) Teli (qesh). Por unë besoj se për të dy skuadrat do të jetë një ndeshje e vështirë, madje më shumë për portugezët, pasi atyre u duhen me çdo kusht tri pikët në Shqipëri. Ne do të bëjmë tonën, do të luajmë për rezultat pozitiv, pasi dhe në ndeshjen e fundit në “Qemal Stafa” kundër Hungarisë pësuam humbjen e vetme në Tiranë. Kuptohet, që dhe trajneri i ri i yni dëshiron ta nisë sa më mirë punën e tij. Le të shpresojmë, por ne do të japim maksimumin. Është koha. Për më tepër që besoj se stadiumi do të jetë plot.
Më pas, Danimarka, po në Tiranë, por më përpara është miqësorja me Gjeorgjinë, pikërisht ndaj skuadrës ndaj së cilës nisi edhe aventura tënde me përfaqësuesen.
Ta lëmë Danimarkën e të flasim kur të vijë ndeshja. Kundër Gjeorgjisë besoj se do të dimë të fitojmë, por them se është ende shpejt për të dhënë ndonjë mendim më shumë.
NDESHJET E CURRIT
Me Brigelin
1 ndeshje
Me Bariçin
12 ndeshje, 1 gol
Me Hanin
10 ndeshje
Trajnerët e huaj
Vetëm dy nga katër trajnerët e huaj të punësuar në “epokën Duka”, gjermani Hans Peter Brigel (2002-2005) dhe kroati Oto Bariç (2006-2007) kanë mundur ta përfundojnë kontratën e tyre në drejtimin e Kombëtares, ndërsa nga dy të tjerët, italiani Xhuzepe Dosena (korrik-tetor 2007) e holandezi Ari Han (janar 2008-prill 2009), i pari e braktisi Shqipërinë, ndërkohë që i fundit u shkarkua.
24 Prill 2009