Hetimi i lejeve të ndërtimit,Kushtetuesja rrëzon Kuvendin
Aristir Lumezi
Gjykata Kushtet-uese rrëzoi komisionin parlamentar hetimor për lejet e ndërtimit të dhëna nga KRRT e Bashkisë Tiranë. Sipas vendimit të gjykatës, ky komision dhe objekti i ngritjes së tij kanë tejkaluar kompetencat që i jep ligji, duke cenuar parimin e ndarjes dhe balancimit të pushtetit, si dhe parimin e autonomisë vendore. Objekti i hetimit të këtij komisioni, i përket pushtetit gjyqësor dhe hetimit parlamentar. Ky vendim u mor shtatë muaj nga paraqitja e kërkesës së Bashkisë së Tiranës, e cila e kishte depozituar atë në 27 prill të këtij viti, vetëm tre ditë pas ngritjen së komisionit hetimor parlamentar të kërkuar nga deputetët demokratë. Bashkia e Tiranës kërkoi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës për të ushtruar kontroll mbi njësinë vendore nga ana e Kuvendit të Shqipërisë. Për këtë u kërkua që të shqyrtohet pajtueshmëria ose jo me Kushtetutën dhe Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore, si dhe shfuqizimin e vendimit nr. 240 datë 24.04.2009 të Kuvendit të Shqipërisë për “Ngritjen e Komisionit hetimor”. Sipas bashkisë, ngritja e një komisioni hetimor nga Kuvendi për lejet e Bashkisë së Tiranë dhënë nga KRRT e saj, është në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe parimet themelore të sanksionuara në të, duke përfshirë dhe parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve dhe atë të autonomisë vendore. Gjithashtu edhe nga ana formale, komisioni hetimor është ngritur në kundërshtim me ligjin për “Organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, sipas të cilit “komisionet hetimore nuk mund të ngrihen gjatë katër muajve para mbarimit të mandatit të Kuvendit”. Sipas datës së caktimit të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit, periudha e ngritjes së këtij komisioni ishte vetëm një muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit. Bashkia e Tiranës, përmes përfaqësues së saj, Natasha Kondi argumentoi se: “Kushtetuta e ngarkon Kuvendin dhe me funksion kontrollues me synimin për të realizuar balancën e pushteteve. Funksioni i kontrollit parlamentar nënkupton të drejtën e pushtetit ligjvënës për t’u informuar dhe për të realizuar mbikëqyrjen brenda kufijve të përcaktuar nga Kushtetuta”. Sipas saj, një hetim i iniciuar që nuk lidhte me qëllimet dhe që nuk i përket veprimtarisë së legjislativit, nuk konsiderohet në përputhje me parimet kushtetuese.
Ku shkelet Kushtetuta
Pushteti vendor funksionon mbi parimin e decentralizimit të pushtetit dhe ushtrohet sipas parimit të autonomisë vendore
Pushteti vendor ka të drejtë të ushtrojnë kompetencat e tij administrative, rregullatorë të shërbimit dhe investimit në mënyrë të pavarur brenda juridiksionit të tij që sanksionohet në Kushtetutë
Shqyrtimi dhe miratimi i lejeve të ndërtimit si çështje të planifikimit urban janë kompetencë e plotë dhe ekskluzive e organeve të qeverisjes vendore
E drejta e shfuqizimit të akteve të paligjshme të KRRT-së është kompetencë e organeve të pushtetit gjyqësor.
Komisionet hetimore nuk mund të ngrihen gjatë 4 muajve të fundit të mandatit të Kuvendit të Shqipërisë, komisioni u ngrit 1 muaj para mbylljes së Kuvendit.
Xhaferri kërkoi shkarkimin e Edi Ramës
Deputeti demokrat Ferdinand Xhaferri drejtoi komisionin hetimor parlamentar i cili iu ngrit në fillim të muajit prill të këtij viti me një mandat tre javor. Objekt i tij ishte hetimi i lejeve të ndërtimit nga KRRT e bashkisë Tiranë dhe aprovimi i shumicës së tyre nga e njëjta studio projektimi. Komisioni i kërkuar nga deputetët demokratë nuk u përfaqësua nga socialistët, duke kaluar në të gjitha diskutimet pa debat. Komisioni hetimor kërkoi disa herë kryetarin e bashkisë Tiranë për të dhënë shpjegime në të, por Rama caktoi përfaqësues të bashkisë për të marrë pjesë në të. Raporti i komisionit u miratua nga shumica parlamentare, ku evidentoheshin shkelje të procedurave në dhënien e lejeve të ndërtimit dhe u kërkua shkarkimi i kryetarit të bashkisë Tiranë, Edi Rama.