E Diel, 1 Nëntor 2026

Moratoriumi i skafeve, Tahiri: Do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese

 

Partia Socialiste i kërkoi dje presidentit të Republikës të mos dekretojë moratoriumin e skafeve. Deputeti socialist Sajmir Tahiri e cilësoi vendimin e fundit të qeverisë si antikushtetues dhe që cenon liritë dhe të drejtat e njerëzve. “I kërkojmë Presidentit të Republikës të mos dekretojë projektligjin për moratoriumin e skafeve, jo vetëm pse është një projektligj absurd dhe unikal që nuk ekziston askund në botë, por sepse shkel plotësisht të drejtët dhe liritë e njeriut të njohura nga Kushtetuta. Në të kundërt, Partia Socialiste do kërkojë menjëherë nga Gjykata Kushtetuese shpalljen si antikushtetues të këtij ligji”, u shpreh Tahiri. Sipas tij, me zgjatjen e pezullimit të mjeteve lundruese edhe për tre vjet të tjera, pranohet dështimi i qeverisë në luftën kundër trafiqeve. “Me zgjatjen edhe 3 vjet të tjera, Qeveria shpall dështimin e saj, duke qenë se moratoriumi i kaluar nuk ka sjellë asnjë përfitim. Gjatë 3 viteve kur moratoriumi i kaluar ishte në fuqi, qeveria nuk ka zhvilluar asnjë kapacitet infrastrukturor për të parandaluar trafikun e paligjshëm detar, e për shkak të këtij dështimi, vazhdon të zgjedhë rrugën më të shkurtër, atë të ndalimit tërësor të trafikut detar, edhe për turizëm, duke cenuar në thelb të drejtat dhe liritë e qytetarëve të njohura nga Kushtetua”, u shpreh deputeti socialist. Sipas tij, me këtë projektligj Qeveria vetë kriminalizohet, duke i lënë të kuptohet partnerëve tanë ndërkombëtarë se potenciali kriminal i shqiptarëve për trafiqe të paligjshme është në përmasa aq të mëdha sa për ta luftuar, duhet ndaluar tërësisht lundrimi dhe përdorimi i detit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›