E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilltarët bashkiakë: Votëbesim për Dakon

14/12/2009  Përfshihen nga kriza socialistët, vetëm 15 anëtarë në këshill. Dako pranon: Nuk kemi forcë kartoni

DURRES- E majta dhe aleatët e saj në Durrësi janë përfshirë nga kriza e votave për të vijuar qeverisjen lokale. Kryetari i Bashkisë së Durrësit ka humbur terren në kohën që anëtarësia e LSI-së kaloi në mbështetje të programit të mazhorancës së kryesuar nga PD. Këshilli Bashkiak me 45 anëtarë ka vetëm 15 anëtarë që mbështesin politikisht vendimet dhe veprimet e kryetarit Vangjush Dako, i cili është përfshirë në konflikt me të majtët. Një pas një kanë deklaruar pozicionimin pro qeverisjes qendrore të mazhorancës së sotme, të zgjedhur nga LSI, PDR, PR, PDI, PDK, LZHK, PAD duke siguruar plot 30 mandate nga 45 mandate që ka Këshilli i Bashkisë së Durrësit.

Kërkesa

Kryetari i Këshillit të Bashkisë, Zamir Ramadani, ka pohuar se është adresuar verbalisht një kërkesë nga një grup këshilltarësh lidhur me votëbesimin e kryetarit Vangjuh Dako, i cili ka humbur shumicën e mandateve në këshill duke vënë në dyshime të forta mandatin e tij. Në takimin e radhës pritet të bëhet edhe një tjetër zëvendësimi në radhët e këshilltarëve pas emërimit të Genci Alizotit në krye të prefekturës së Durrësit. Pas tij pritet të bëjë betimin Ledion Lako një nga eksponentët kryesore të PS në Durrës, i cili ka shfaqur ambiciet në mënyrë të hapur për të mandatin e kryetarit të PS-së. Lako është kandidati kryesor që kërkon të sfidojë Gazmir Bizhgën, i cili tashmë ushtron edhe mandatin e deputetit të PS në Durrës. Kryetari i bashkisë Vangjush Dako është cilësuar eksponent shumë i fortë i kryetarit Edi Rama ngase e ka mbështetur në të gjitha vendimet Ramën duke mos kursyer edhe dërgimin për disa ditë të të gjithë administratës në tubimin protestues në Tiranë. Këshilli Bashkiak në Durrës ka 45 anëtarë. Pas zgjedhjeve të qershorit 2008 balanca në këtë këshill ka ndryshuar në anë të aleancës qeverisëse. Kështu PD ka 14 anëtarë, LSI 5 anëtarë, PDR 2 anëtarë, PR 2 anëtarë dhe PDI 2 anëtarë të tjerë. Në të njëjtën aleancë pavarësisht kontradiktave është përfshirë edhe anëtari i LZHK, PAD, PAA dhe PDK duke e lënë PS në Durrës me 13 votat e saj dhe një votë të PDS-së. Një krizë e tillë ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në pushtetin e vendimeve të kryetarit të bashkisë Vangjush Dako, i cili pritet të përballet në shumë të papritura në takimin e radhës së Këshillit të Bashkisë më 15 dhjetor. Kriza e thellë që ka përfshirë PS-në dhe aleatët e saj pritet të pasohet edhe me një kërkesë për votëbesim të kryetarit të bashkisë, i cili është figurë kryesore e mbështetjes së vendimeve të Edi Ramës. Zbrazja e grupit socialist dhe mbështetësve të saj ka nisur sapo ish-kreu e grupit të majtë Genci Alizoti dhe përkrahës të tij deklaruan votën pro aleancës qeverisëse PD-LSI duke e lënë PS-në në këtë këshill në minorancë. Gjithnjë sipas disa pohimeve që vinë nga burime të mirinformuara Ledion Lako që do të zërë vendin e Genci Alizotit mbetet kandidati kryesor për të kryesuar PS në Durrës. Pas konflikteve të forta PS ka dy rryma. Njëra mbetet besnike e Gazmir Bizhgës, i cili u dorëhoq pas një kërkese të Edi Ramës për të fituar falas dhe pa kushte mandatin e deputetit, ndërsa rryma tjetër që kërkon të largojë Bizhgën duke e fajësuar për shumë përgjegjësi në PS. Dako e ka pohuar hapur krizën duke thënë se PS-ja dhe mbështetësit e saj në Durrës nuk kanë më forcën e kartonit për të vendosur në zbatimin e projekteve të rëndësishme.

Iu dha leja për 12 kate, shtoi dhe 7 të tjera. Vendimi pas presionit

Gati vendimi për fondin e prishjes

së shtesës së pallatit tek porti

DURRES- Ka marrë zgjidhje ligjore dhe rrugë institucionale apelimi i këshilltarëve të bashkisë për t’i dhënë fund panikut të shkaktuar nga lartësimi i kateve të një pallati të lartë në afërsi të murit rrethues të portit. Këshilltarët e bashkisë pritet të miratojnë fondin në shumën e 13.200.300 lekë për të shembur katet mbi katin e 12 të pallatit të ndërtuar nga firma “Enrezo” me pronar Enver Shala, i cili është bërë kryefjalë e debateve në Këshillin e Bashkisë dhe në opinionin qytetarë. Pallati ka 9 kate mbi lejen e ndërtimit. Godina e lartë sot ka mbetur me 21 kate, ndërkohë që leja fillestare e dhënë në vitin 2001 nga ish- kryetari i bashkisë të Durrësit Miri Hoti ka qenë fillimisht për 12 kate, më pas me një shtesë mbi lejen në vitin 2203 janë akorduar dhe 2 kate të tjera. Ndërtuesi ka shtuar mbi 12 katet edhe 7 kate të tjera duke vënë në panik familjarët që kanë paguar shuma të mëdha për të pasur banesën e tyre në afërsi të portit dhe me pamje nga deti.

Ndërtesa e cila është bërë shkak i konfliktit të sapolindur ka pas marrë një lejë ndërtimi që në vitin 2001 për një ndërtim 12-katësh. Në vitin 2003, pronari i saj Enver Shala ka marrë miratim edhe për një shtesë për 2 kate. Më pas ai ka vazhduar të ndërtojë duke u ngritur në lartësi dhe duke zgjeruar perimetrin e saj në një sasi prej 7 katesh shtesë. Projektvendimi "Për miratimin e fondit prej 13 200 300 lekësh për prishjen e kateve të sipërme të godinës në lagjen nr. 3 rruga "Skenderbej" Durrës erdhi si pasojë e presionit të Ministrisë së Transporteve. Më datën 24.09.2009 është regjistruar procedimi penal nr. 13 84 në ngarkim të shtetasit Enver Shala, administrator i shoqërisë " ENREZO " shpk, për veprën penale të "ndërtim i paligjshëm", parashikuar nga neni 199 të K. Penal. Pallati disakatësh është në lagjen numër 3 të qytetit në rrugën “Skënderbeu” dhe fare pranë murit rrethues të portit. Familjarët e pallatit të lartë pasi ka nisur shtesa e dytë kanë lënë apartamentin që u ka kushtuar mbi 70 mijë euro dhe kanë marrë banesë me qira. Paniku ka përfshirë të gjithë banorët, ndërsa jo të paktë kanë qenë edhe protestuesit e lokaleve, supermarketeve dhe bizneseve nën këtë pallat të lartë apo përballë tij. Këshilltarët e bashkisë janë vënë nën presion të fortë lidhur me vendimin për prishje ose jo, ndërkohë që badigardët e firmës kanë demonstruar forcë verbale në takimin e fundit të këshillit. Kryetari i bashkisë Vangjush Dako është shprehur përfundimisht se shtesa në 7 kate, shtesë pa leje, do të shembet, por ka thënë se Policia Ndërtimore nuk ka mjete për ta rikthyer pallatin në gjenden e parainvestimit të fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›