Çifti i vdekur në garazh,analiza për drogë e viagra
Etleva DeliaHetimet paraprake kanë përcaktuar asfiksinë si shkak për vdekjen e dy personave që u gjetën pa jetë gjysmë të zhveshur në një automjet brenda një garazhi tek ish-uzina Dinamo në Tiranë. Megjithatë mostra gjaku të viktimave janë dërguar dje në repartin e Toksikologjisë për të verifikuar praninë e mundshme të lëndëve narkotike apo të simulantëve seksualë. Burime nga policia thanë se dje janë dërguar në Repartin Toksikologjik, mostra gjaku të shtetasve Luan Veizi dhe Doriela Sinjari për të bërë analiza të plota, në mënyrë që të arrihet në një përfundim më të saktë mbi shkaqet e vdekjes. Grupi hetimor ka kërkuar analiza të hollësishme, për të parë nëse ata kishin konsumuar më parë pije alkoolike, ndonjë lloj lënde narkotike, apo substance simuluese për kryerje marrëdhëniesh seksuale, viagra ose simulant tjetër. Vetëm pasi të kenë në dorë raportin e plotë të Mjekësisë Ligjore, bashkëngjitur me rezultatet e analizave toksikologjike, policia do të dalë në një konkluzion përfundimtar për shkakun e vërtetë të vdekjes së tregtarit Veizi dhe 38-vjeçares Sinjari. Paraprakisht burime nga Mjekësia Ligjore, konfirmuan dje se vdekja e Veizit dhe Sinjarit ishte shkaktuar nga mbushja e kabinës së mjetit me gaz karbonik, i cili ishte lëshuar nga kondicioneri i hapur dhe djegia e benzinës së motorit të mjetit. Sipas mjekëve ligjorë njollat e konstatuara mbi fytyrat e dy kufomave, ngjyra e lëkurës, temperatura trupore, etj. Janë shenja të vdekjes nga asfiksia dhe helmimi nga ajri. Sipas këtyre të dhënave vdekja ka ndodhur shtatë orë para se viktimat të gjendeshin në garazh. Ekspertët pohuan se dy viktimat e kishin kuptuar që po asfiksoheshin nga mungesa e oksigjenit, por kanë qenë të pafuqishëm fizikisht për të reaguar, ndërsa kanë vdekur brenda pak minutash nga momenti që kishin hyrë në makinë. NGJARJATregtari Luan Veizi, 58 vjeç dhe e dashura e tij 38-vjeçare Doriela Sinjari, u gjetën të vdekur mëngjesin e së martës, në makinën e parkuar në një garazh në tregun "Dinamo", pranë rrugës "5 Maji", në kryeqytet. Automjeti tip "Audi A4", në të cilin kanë vdekur Veizi dhe Sinjari, është sekuestruar në cilësinë e provës, për të kryer edhe ekspertimin auto-teknik. Burime nga grupi hetimor sqaruan se makina dyshohet të ketë qëndruar në garazhin nr.24, me gjatësi 4 metra dhe gjerësi 2 metra, për më shumë se 5 orë. Sipas deklarimeve të dëshmitarëve që u shoqëruan për t'u marrë në pyetje, mësohet se Veizi është futur në garazh i shoqëruar, rreth orës 21:00 të ditës së hënë, ka dalë pas një ore për të blerë diçka dhe është futur sërish, duke mbyllur nga brenda derën e garazhit. Më pas vetëm në mëngjes, pas njoftimit nga roja i tregut, bashkëshortja e tregtarit, ka hapur garazhin duke gjetur të vdekur pa shenja jetë në sediljen e pasme të makinës, bashkëshortin e saj dhe një grua që nuk e njihte. Kondicioneri thithi tyminGrupi i hetimit i ngritur për vdekjen e dy personave në makinën e parkuar brenda garazhit tek ish-uzina Dinamo në Tiranë ka pohuar se gjatë gjithë natës, automjeti ka qenë i ndezur në afolio. Makina është lënë ndezur me qëllim që kondicionerët e saj të punonin duke ngrohur kabinën ku do kalonin natën dy viktimat. Ky duket se ka qenë shkaku i vdekjes së dy personave, pasi makina ka nxjerrë tymin i cili është grumbulluar në garazh si pasojë e ambientit të kufizuar dhe derës së mbyllur. I gjithë ky tym është futur me anë të kondicionerit brenda makinës duke shkaktuar asfiksinë e dy personave.