E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Bllokojmë ligjin në Kuvend



Aristir Lumezi

Ligji për SHISH i propozuar nga maxhoranca ka shkaktuar debate në distancë mes socialistëve dhe demokratëve. Nga Korça dy ditë më parë, kryesocialisti Rama tha se PS do të kundërshtojë me çdo mjet miratimin e këtij drafti në Kuvend, Sipas Ramës, drafti cenon interesin publik të shoqërisë por dhe interesin kombëtar të vendit. “Në kushtet kur duhet të miratohet një ligj që cenon drejtpërdrejt interesin publik të shoqërisë sonë, cenon drejtpërdrejt interesin e çdo qytetari për të qenë i sigurt, cenon drejtpërdrejt dhe interesin kombëtar të këtij vendi, në marrëdhënie me partnerët e vet të mëdhenj, atëherë çdokujt dhe opozitës në radhë të parë i lind e drejta ta bllokojë këtë cenim dhe kërcënim të hapur”, tha Rama. Kjo deklaratë e Ramës shkaktoi reaksion nga ana e maxhorancës. Partia Demokratike, përmes zëdhë-nëses së saj, Erla Mëhilli i kërkoi kryesocialistit ta lexojë mirë projektligjin e hartuar nga Qeveria. “Përsa i përket komenteve mbi Ligjin e SHISH, të cilat z.Rama i bën pa e lexuar ligjin, Partia Demokratike qartëson se çdo gërmë, çdo fjalë e çdo fjali rreth këtij ligji është marrë dhe pasqyron standardet më të mira të vendeve të NATO-s dhe BE-së”, u shpreh Mëhilli.
Selia blu i kërkoi deputetëve socialistë të shprehnin të gjitha vërejtjet e tyre rreth këtij projektligji në komisionet parlamentare. “Njëkohësisht Partia Demokratike e fton z.Rama të dërgojë anëtarët e vetë në Komisionin Parlamentar të Sigurisë ku do të diskutohet ligji, dhe të paraqesë atje të gjitha vërejtjet që ka, por është e sigurt se s’ka për të pasur asnjë vërejtje”, u shpreh Mëhilli.
Ambasadori
Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Xhon Uidhërs shprehu kundërshtitë e tij për projektligjin e SHISH. “është me rëndësi jetike që Shërbimi Informativ i Shqipërisë të mbetet profesional, i pavarur dhe i lirë nga të gjitha ndërhyrjet politike. Jemi të shqetësuar që projektligji i minon këto parime. Si rrjedhojë, ky projektligj i ngarkon përgjegjësi të reja brenda vendit, Shërbimit Informativ të vendit, të cilat janë shqetësuese. Shqipëria ka punuar shumë për të përmirësuar imazhin e saj ndërkombëtar. Ne druhemi se ky projektligj, në formën e tij aktuale, po e dëmton këtë imazh”, deklaroi Uidhers. Diplomati amerikan theksoi që “nxisim me forcë që ekspertë ligjorë ndërkombëtarë të lejohen të kryejnë një rishikim të gjithanshëm të projektligjit, përpara se Parlamenti të ndërmarrë ndonjë veprim të mëtejshëm. është e domosdoshme që çfarëdo projektligj i tillë të përmbushë standardet ndërkombëtare, në përputhje me detyrimet euro-atlantike të Shqipërisë”. Uidhers nuk ka dhënë kontestime konkrete dje por, sipas tij SHBA e ka treguar se ku qëndrojnë shqetësimet kryesore. “çfarëdo Shërbimi Informativ, duhet të mbetet profesional. Nuk duhet të politizohet. Duhet të ruajë pavarësinë si institucion. E kemi parë projektligjin, projektligjin e rishikuar. Vazhdojmë ta quajmë të papranueshëm në pikëpamjet që sapo përmenda. Nuk dua të hyj në shumë hollësi specifike këtu. Mendoj se e kemi bërë të qartë pozicionin tonë dhe mendoj se ju e kuptoni se cili është ky pozicion”, tha zyrtari amerikan. sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e marrin shumë seriozisht projektligjin për SHISH.
“E marrim vërtet shumë seriozisht sepse Shqipëria është një anëtare e re e NATO-s dhe ka aspirata për integrim të plotë euro-atlantik. Ndjejmë se ky projektligj e çon Shqipërinë në drejtimin e gabuar”, u shpreh Uidhers.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›