E Diel, 1 Nëntor 2026

Tahiri: Berisha përgjegjës për nivelin e lartë të korrupsionit



“Maxhoranca duhet t’u kërkojë ndjesë shqiptarëve për vlerësimet negative që po merr vendi në raportet e ndërkombëtarëve”. Ky është qëndrimi i Partisë Socialiste në lidhje me Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, u shpreh dje se raporti i DASH e paraqet situatën ashtu siç është në të vërtetë dhe maxhoranca duhet të reflektojë për këto kritika.
“Kjo maxhorancë është përgjegjëse jo vetëm pse për turp ka katandisur vendin pas Ruandës e Ugandës në listën e zezë të vendeve më të korruptuara të planetit, por edhe sepse nuk ndjen më të voglin detyrim të ulë kokën, t’i kërkojë ndjesë shqiptarëve dhe të bëjë ç’është e mundur të riparojë ç’të mundet në kaq kohë sa i ka mbetur”, u shpreh dje Tahiri në një deklaratë për mediat.
Ai ka theksuar se Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, ashtu si edhe raportet e pothuajse të gjithë partnerëve ndërkombëtarë që kanë monitoruar dhe vlerësuar Shqipërinë, pasqyron gjendjen reale të zhvillimeve në vendin tonë, “gjendje që fatkeqësisht nuk është ashtu siç kërkon ta shesë Qeveria”.
“Tashmë, opozita, shumica e shqiptarëve, por edhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë që monitorojnë zhvillimet në vendin tonë, vlerësojnë se Shqipëria është zhytur e po zhytet gjithmonë e më shumë në korrupsion, qeveritar dhe kapilar. Këtë fakt e mohon vetëm Kryeministri Berisha dhe maxhoranca e tij. Kjo maxhorancë është përgjegjëse jo vetëm pse nuk e ka luftuar përhapjen masive të korrupsionit, por mbi të gjitha është përgjegjëse pse ka kontribuar aktivisht që metastazat e korrupsionit të përhapen edhe në shtresat më të larta të pushtetit, mu aty afër kryeministrit dhe maxhorancës”, u shpreh Tahiri. Për deputetin e PS-së, raporti vlerëson se policia e shtetit ka performancë mjaft të dobët, për shkak të korrupsionit, rekrutimit të militantëve dhe sjelljes jo profesionale. “Raporti vlerëson se procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave, dominohet nga korrupsioni dhe informaliteti. Vlerëson se korrupsioni në sistemin arsimor është gjerësisht i përhapur. Raporti vlerëson se korrupsioni qeveritar, pra jo korrupsioni në tërësi, por korrupsioni qeveritar, mbetet pengesa kryesore për reformat themelore në vend”, tha Tahiri. Për të gjitha këto deputeti i PS-së, Tahiri ka akuzuar kryeministrin Berisha si përgjegjës. “Jo vetëm pse gënjen shqiptarët dhe ndërkombëtarët me gjoja luftën e pa kompromis kundër korrupsionit, por pikërisht pse ka bërë kompromis me interesa korruptive për pushtetin e tij familjar dhe politik, duke marrë në mbrojtje ata që jo vetëm ne, por e gjithë bota anembanë, i njeh si ministra të akuzuar për korrupsion, por të shpëtuar nga kryeministri me komardaren e imunitetit”, u shpreh Tahiri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›