E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimi i zgjedhjeve, PS depoziton pr/ligjet në Kuvend

Një ditë pas betimit, rreth orës 11:00 të paraditës, deputetët Erion Brace dhe Taulant Balla depozituan në sekretariatin e kryesisë së kuvendit 2 projektligjet me të cilat PS u prezantua gjatë hyrjes së saj në parlament. Draftet mbajnë firmat e mbi 35 deputetëve dhe sipas dy dorëzuesve të tyre do të hyjnë automatikisht në rendin e punimeve pa qenë nevoja për të ndryshuar kalendarin, ndryshimi i cili kërkon shumicë të cilësuar. Mbetet tashmë në dorë të maxhorancës të përcaktojë datën dhe formën sesi do t’i shqyrtojë ato.

Drafti i parë që mban autorsinë e sekretarit për çështjet ligjore, Fatmir Xhafa, është një amendim i ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”. Në nenin 17 të tij, PS-ja propozon që për hetimin e zgjedhjeve të përgjithshme ose vendore, shumica e anëtarëve të komisionit hetimor mund të vendosë hapjen e një apo disa kutive të votimit. Kjo për të këqyrur, hetuar ose publikuar një apo disa nga dokumentet zgjedhore. Po ashtu parashikohet hapja e kutive për të rinumëruar fletët, për të verifikuar problemet e evidentuara gjatë pasqyrimit të rezultatit në tabelat përkatëse.

Ky komision hetimor nuk mund të ngrihet më vonë se 6 muaj nga dita kur KQZ shpall rezultatin për zgjedhjet e përgjithshme dhe 3 muaj për zgjedhjet vendore.

Ndërkohë, projektligji tjetër iI referohet vetëm zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Në draft, PS propozon ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar prej 15 anëtarësh, me shumicë dhe kryesi të opozitës. Ai do të hetojë mbi dyshimet për shkeljet e ligjeve dhe akteve nënligjore, parregullsitë në numërimim, shpërdorimin e pasurive publike dhe angazhimin e detyruar të punonjësve te administratës publike për fushatat zgjedhore.

Pjesë e hetimit, do të jetë dhe këqyrja dhe administrimi i fletëve të votimit që ndodhen në kutitë nën administrimin e KQZ-së.

Sipas relacionit shoqërues të projektligjit ashtu si në të gjitha deklaratat e zyrtarëve të Partisë Socialiste, nuk kërkohet rinumërimi i votave për të ribërë rezultatin apo sfidimi i këtyre zgjedhje ligjërisht.

Elona Gjylmi < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›