E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimi i zgjedhjeve, Patozi: Opozita të marrë shumicën e komisionit

Mazhoranca qeverisëse është e gatshme për dialog dhe marrjen nga opozita të shumicës në komisionin hetimor parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit. Por demokratët kërkojnë dialog në Kuvend. Pas apelit të bërë në raportin e fundit të KE-së dhe pas ftesës së opozitës për dialog, Partia Demokratike iu përgjigj dje pozitivisht kërkesës së socialistëve për një tryezë dialogu që do të ketë si temë hetimin e zgjedhjeve. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, përshëndeti deklaratën e Edi Ramës të dhënë vetëm një orë më parë dhe pohoi në emër të PD-së se mazhoranca është e gatshme të kryejë një hetim të plotë dhe të ndershëm të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit nëpërmjet një komisioni të posaçëm parlamentar.
Z. Patozi u shpreh se PD-ja kërkon hetim të zgjedhjeve në përputhje me Kushtetutën, ndërsa nënvizoi se PD është e gatshme t’i japë Ramës shumicën e pjesëtarëve në komisionin hetimor. “Jemi dakord për hetimin e plotë dhe të ndershëm të zgjedhjeve nëpërmjet një komisioni hetimor në të cilin opozita të ketë shumicën e pjesëtarëve. Ky hetim duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën”, - deklaroi kreu i grupit kuvendor të PD-së. Z. Patozi vuri në dukje se dialogu me opozitën kërkohet në rrafshin institucional dhe ky dialog, sipas tij, duhet bërë në Parlament dhe jo në rrugë.
“Dialogu që kërkojmë me opozitën, është në rrafshin institucional. Kërkojmë që opozita të kthehet në Parlament, që dialogu të mos bëhet në rrugë, pasi edhe KE në raportin e saj i kërkon një gjë të tillë opozitës”, - theksoi z. Astrit Patozi. Në emër të PD-së ai vlerësoi raportin më të fundit të KE-së, duke përmendur qartë faktin që ky raport fton opozitën të ulet në Parlament. “Ne vlerësojmë projektrezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila kërkon pjesëmarrjen e opozitës në Parlament si dhe ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet e fundit në Shqipëri. Ne përshëndesim qëndrimin e shprehur publikisht të kryetarit të Partisë Socialiste, z. Edi Rama, në mbështetje të këtyre kërkesave. Mazhoranca që qeveris vendin, ashtu siç ka deklaruar edhe herë të tjera, është e gatshme që t’i japë opozitës shumicën në këtë komision parlamentar”, - pohoi z. Patozi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›