E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK pa kushte

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka ndërmend ta përfillë kërkesën e gruas së parë në parti, Melihate Tërmkolli, sa i përket prishjes së koalicionit me PDK’në e Kryeministrit Hashim Thaçi.

Kështu është shprehur Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri.

“Ky qëndrim i Tërmkollit nuk është qëndrim i Kryesisë së LDK’së”, ka thënë ai, në një bisedë për Express, të mërkurën.

“LDK’ja nuk e ka ndryshuar qëndrimin për vazhdimin e koalicionit. LDK’ja e ka motivin që është në qeverisje - ai është dhe mbetet Shteti. Qëndrimi im është i njëjtë me qëndrimin e Kryesisë”, ka shtuar Haziri.

Nënkryetari i LDK’së ka folur edhe për ndryshimet e mundshme në Qeveri, por ka mohuar mundësinë e ndonjë kushtëzimi nga partia e tij për Kryeministrin Thaçi.

“LDK’ja ose duhet të rrijë në qeverisje me peshën që ka, ose ta rishqyrtojë këtë mundësi. Asnjë formulë të kushtëzimit nuk e shoh në këtë proces dhe nuk është në kulturën e LDK’së të kushtëzojë”.

Deklaratat e Hazirit vijnë pasi që në LDK qarkullon ideja që përpara ndryshimit të ministrave, me PDK’në të diskutohen sërish detajet e Marrëveshjes së Koalicionit qeverisës.

“Përpara se të flasim për riformatizimin, ne duhet të diskutojmë hartimin në mënyrë detale të Marrëveshjes së Koalicionit. Marrëveshja aktuale duhet të rishkruhet, në mënyrë që gjithçka rreth bashkëqeverisjes të jetë e sqaruar qartë”, ka deklaruar për Express, Astrit Haraqija, anëtar i Kryesisë së LDK’së.

Megjithëse Lutfi Haziri nuk është i mendimit të vendosen kushte gjatë procesit të riformatizimit të Qeverisë, ai thotë se kur të shtrohet çështja e krijimit të Ministrisë së Integrimeve Europiane, LDK’ja do të kërkojë postin e Ministrit, post të cilin e kërkon edhe PDK’ja. Por sipas Hazirit, në bazë të Marrëveshjes së Koalicionit, kjo Ministri i takon LDK’së.

“Deri më tani, nuk ka pasur asnjëherë tensione sa i përket ndarjes së ministrive dhe besoj se ndarje e mundshme në rast se krijojmë ministri të reja, do të bëhet në bazë të marrëveshjes”, ka thënë ai.

Lutfi Haziri kishte qenë njëri ndër kritikuesit më të mëdhenj të qeverisjes gjatë fushatës zgjedhore. Por, pas zgjedhjeve, emri i tij u lakua si opsion i mundshëm për ta drejtuar pikërisht Ministrinë e Integrimeve Europiane, e cila do të formohet së shpejti.

“Nuk lejoj që ky proces të lidhet me emra të askujt, por ka të bëjë me rolin e PDK-së dhe LDK’së në qeverisje”, ka thënë Haziri, kur është pyetur nëse do të pranonte të hynte në Kabinetin Thaçi.

“Prej meje nuk ka kërkuar as partia dhe askush që të jem pjesë e Qeverisë. Nuk dua të lidh asgjë me personale”, thotë ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›