E Diel, 1 Nëntor 2026

Veriu pret për Komunën e re

Koha se kur në Mitrovicën e Veriut do të mbahen zgjedhjet lokale ka mbetur të vendoset nga Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi.
Nëse dy krerët e institucioneve nuk do të vendosin në pesëmbëdhjetë ditët në vijim për datën e zgjedhjeve, qytetarët e Veriut të Mitrovicës do të duhet të presin deri në vjeshtë të këtij viti për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitimë komunalë.

Kjo është konfirmuar nga burime të Expressit.

“Siç parashihet me Ligjin për Zgjedhjet Lokale, Presidenti duhet t’i dekretojë zgjedhjet katër muaj para mbajtjes së tyre. Nëse ky vendim nuk merret në ditët e ardhshme të janarit, atëherë dekretimi i tyre mund të ndodhë të vonohet”, tha burimi i gazetës.

Sido që të jetë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, sipas Ministrit Sadri Ferati, është në përgatitjen e ekipeve përgatitore të cilat do ta krijojnë infrastrukturën e nevojshme për formimin e kësaj komune.

“Ne po presim që së shpejti, brenda afateve ligjore, të kemi një qëndrim, gjegjësisht një vendim. Ju i keni parë edhe qëndrimet e Presidentit dhe të Kryeministrit dhe tani ne presim që pas konsultave finale të merret vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve atje”, tha Ferati, për Express.

Nga ana tjetër, Presidenti po vazhdon konsultimet me institucionet vendore e ndërkombëtare për gjetjen e periudhës së përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve në Komunën e Mitrovicës së Veriut.

“Presidenti është duke pritur që të marrë sinjale nga këto institucione, për të ditur se gjithçka është gati për shpalljen e datës për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve”, ka thënë për Express, Xhavit Beqiri, Zëdhënës i Presidentit, duke shtuar se Presidenti nuk dëshiron ta shpallë datën vetëm për ta përmbushur një obligim kushtetues.

Edhe pse përfaqësuesit e lartë politikë ende nuk kanë vendim për shpalljen e zgjedhjeve në Mitrovicën Veriore, punët për zgjedhjen e anëtarëve të Ekipit Përgatitor kanë hyrë në fazën finale. Për dallim prej konkursit të parë për anëtarë të Ekipit Përgatitor që ishte shpallur në muajin mars të vitit të kaluar, e ku kishin aplikuar vetëm 24 persona, shumica prej tyre të pakualifikuar, në konkursin e dytë të shpallur në shtator të vitit 2009 kanë aplikuar 54 persona (37 serbë, 13 shqiptarë dhe 4 boshnjakë) dhe mësohet se shumica prej tyre kanë qenë me përgatitje të nevojshme.

Lumnije Demi, Zëdhënëse e MAPL’së, tha se përzgjedhja e anëtarëve të Ekipit Përgatitor do të bëhet së shpejti.

Ndërkaq, Andy McGuffie, Zëdhënës i ICO’së, sqaron se Ekipi Përgatitor do të ketë dhjetë deri pesëmbëdhjetë anëtarë.

“Jemi në konsultime të afërta me institucionet e Kosovës sa i përket krijimit të komunave të reja të Mitrovicës së Veriut dhe Parteshit. Është me rëndësi që të bëhen përgatitjet e duhura për këtë proces, ashtu që të mund të vazhdojmë me lehtësi deri në pikën kulmuese, respektivisht zgjedhjet”, tha McGuffie, për Express.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›