E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet private, çfarë parashikon ligji i ri

Ligji “Për fondet e pensionit vullnetar” është reformë e cila njihet si shtylla e kolonës së tretë të pensioneve ose si ligji që i hap rrugën krijimit të fondeve private të pensioneve. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, çdo qytetar shqiptar ka të drejtën që të investojë për pensionin e tij sa të dëshirojë. Konkretisht, çdo qytetar shqiptar do të ketë të detyrueshme që të paguajë në sigurimet shoqërore një shumë minimale nga paga e tij, e cila përkthehet në një pension minimal kur mbush moshën e pensionit. Por çdo qytetar tjetër që kërkon një pension më të lartë, nuk duhet të shohë më nga shteti, por nga privati. Konkretisht, ligji në fjalë do të krijojë kompani private, ku çdo qytetar mund të ruajë një sasi të caktuar parash që njihet si fond pensioni. Fondi i tij menaxhohet nga kompania e cila i investon ato dhe fondi rritet vit pas viti në bazë të fitimeve. Kjo është e ngjashme me llogarinë bankare me afat. Por ndryshimi me fondin e pensionit është se atë nuk e tërheq dot asnjëherë me përjashtim të rasteve të veçanta.
Risia e këtij projektligji është se lehtëson barrën e shtetit si në menaxhim ashtu edhe në të ardhura dhe risia e dytë është se çdo individ kursen për pensionin e tij sa të dëshirojë vetë. Kjo reformë është e ngjashme me vendet e Bashkimit Evropian, ku shteti të siguron një pension minimal, për të jetuar ndërsa për të pasur të ardhura më shumë në pleqëri, është në dorën e gjithsecilit për të ruajtur para.
Ligji i ri
Gjatë hartimit të këtij ligji janë pasur parasysh aktet ligjore në fushën e pensioneve vullnetare të disa vendeve, si të Maqedonisë e të Rumanisë, duke u fokusuar në mënyrën e transpozimit të direktivave përkatëse nga një shtet anëtar i BE-së, siç është Rumania, si dhe nga një shtet, si Maqedonia, kandidate për anëtarësim, e përfshirë në të njëjtin proces stabilizim-asociimi. Ky projektligj është produkt i bashkëpunimit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare me ekspertin e Bankës Botërore, z. Erik T. Huitfeldt (ekspert në fushën e pensioneve) dhe asistencës së studios ligjore Kalo & Associates. Në kreun e parë përcaktohen objekti dhe qëllimi, për të cilin është hartuar ky projektligj, konkretisht, vendosja e standardeve të nevojshme për administrimin me efektivitet të fondeve të pensioneve, në mënyrë që të sigurohet mbrojtja e anëtarit të fondit të pensionit, të nxitet qëndrueshmëria, siguria dhe mirëqeverisja e aseteve të fondit të pensionit.
Marrëdhënia ndërmjet kontribuuesve dhe shoqërisë administruese të fondit të pensionit është një marrëdhënie kontraktuale, ku parashikohen të drejtat dhe detyrimet e secilës palë. Pjesë e rëndësishme e këtij kreu është kontrata e fondit të pensionit, e cila lidhet ndërmjet shoqërisë administruese të fondit dhe anëtarëve, që aderojnë në fond. Kontratës së fondit i bashkëlidhet prospekti, i cili është një dokument, që përmban informacionin më të fundit për fondin e pensionit. Kontrata e fondit të pensionit dhe prospekti me informacionin e nevojshëm miratohen nga autoriteti.
Projektligji sjell një koncept të ri për kriteret, që duhet të plotësojnë aksionarët dhe administratorët e shoqërive administruese, duke parashikuar se ata duhet të jenë të aftë dhe të përshtatshëm për të marrë përsipër këto role. Ligji ka dispozita të veçanta për parandalimin e konfliktit të interesit për këta persona gjatë ushtrimit të roleve të tyre në shoqërinë administruese. Në këtë mënyrë, projektligji ka synuar rritjen e përgjegjshmërisë dhe të llogaridhënies së këtyre personave, të cilët administrojnë kontributet për fondet e pensionit vullnetar.

Bizneset, fonde pensioni për punonjësit e tyre

Punëdhënësi mund të krijojë një plan të pensionit profesional për punëmarrësit e tij, duke lidhur një kontratë me shoqërinë administruese, që do ta ofrojë fondin e pensionit për punëmarrësit e tij. Shoqëria administruese nuk mund të jetë një palë e lidhur me punëdhënësin. Punëdhënësi mund të marrë përsipër detyrimin për të paguar kontribute për planin e pensionit profesional, duke kontribuar në emër dhe në favor të punëmarrësve apo duke i bërë një ose disa pagesa të rregullta shoqërisë administruese, për të mbuluar tarifat e kësaj shoqërie, që duhet të paguheshin nga anëtari. Çdo kontribut i paguar nga punëdhënësi në favor të punëmarrësit do të vlerësohet sikur është paguar nga vetë punëmarrësi. Punëmarrësi hyn në fondin e pensionit profesional, pasi nënshkruan kontratën e fondit të pensionit profesional me shoqërinë administruese, e cila përfshin planin e pensionit profesional përkatës dhe rregullon detyrimin e punëdhënësit për të paguar kontributin. Kjo kontratë nënshkruhet nga punëdhënësi, shoqëria e administrimit dhe nga punëmarrësi. Punëdhënësi mund të kufizojë të drejtën e anëtarit për kontributet e dhëna nga punëdhënësi, duke kërkuar që punëmarrësi të jetë i punësuar te punëdhënësi për një numër të caktuar vitesh, para se t'i njihet e drejta e kontributeve të punëdhënësit, në favor të tij. Periudha përpara se punëmarrësit t'i njihet e drejta e përfitimit të kontributeve të paguara nga punëdhënësi nuk mund të jetë më e gjatë se dy vjet. Kur punëdhënësi ndërpret marrëdhënien e punës me punëmarrësin, ky i fundit mund të krijojë një marrëdhënie të re me punëdhënësin e ardhshëm.

Licencimi i kompanive dhe mbikëqyrja financiare

Në kreun e dhjetë të projektligjit trajtohet procesi i mbikëqyrjes së fondeve të pensioneve, proces në të cilin autoriteti ka një rol aktiv. Mbikëqyrja e fondeve do të përqendrohet në mbrojtjen e interesave të anëtarëve të fondit të pensionit, në përmirësimin e mirëqeverisjes, besueshmërisë dhe të transparencës së fondit, duke u përqendruar në çështje që paraqesin risk më të lartë. Pjesë e rëndësishme e këtij kreu është shkëmbimi i informacionit me autoritete homologe dhe ruajtja e konfidencialitetit, në respektim të jetës private të çdokujt. I gjithë ky kre është hartuar në përputhje me parimet e mbikëqyrjes së pensioneve private, sipas udhëzimeve të IOPS-së (Organizatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrjes së Pensioneve). Në kreun e njëmbëdhjetë parashikohet e drejta e autoritetit për të vendosur, masa parandaluese dhe korrigjuese ndaj të gjithë të licencuarve. Këto dispozita rregullojnë, gjithashtu, vendosjen nën administrim të veçantë të të licencuarve, të drejtën e pezullimit të licencës ose të revokimit të licencës, likuidimin dhe falimentimin e shoqërisë administruese. Këto dispozita janë hartuar në përputhje me legjislacionin shqiptar për falimentimin. Në kreun e trembëdhjetë parashikohen lehtësitë tatimore për nxitjen e shtetasve shqiptarë për të kontribuar për fondet e pensionit vullnetar. Projektligji, krahas parashikimit të të drejtave të anëtarëve, parashikon edhe lehtësitë tatimore, që u ofrohen vetë anëtarëve, si dhe individëve të tjerë, që kontribuojnë, në emër dhe për llogari të anëtarit të fondit të pensionit vullnetar. Një risi e këtij projektligji është edhe parashikimi në kreun e gjashtë "të agjentëve të fondit të pensionit", të cilët janë subjekte të licencuara nga autoriteti, për të lidhur kontrata të fondit të pensionit, në emër dhe për llogari të shoqërisë administruese. Këta agjentë janë përfaqësuesit ligjorë që mund të bëjnë çdo kontratë në emër të fondit tuaj të pensionit privat. Në kreun e shtatë janë parashikuar politikat e investimit, të cilat janë hartuar në përputhje me parimet e diversifikimit të riskut. Në këto dispozita rëndësi u është kushtuar investimeve të palejuara, duke shprehur, në këtë mënyrë, detyrimin e qartë të shoqërisë administruese për të mos investuar në instrumente financiare, që nuk janë të listuara ose që nuk tregtohen në bursë, në tregun ndërbankar ose në tregje të tjera të rregulluara nga autoritetet përkatëse. Në ligj parashikohen marketingu i fondit të pensionit dhe përmbajtja e materialeve me karakter publicitar. Me këto dispozita realizohet mbrojtja e konsumatorit nga dezinformimi, krijimi i përshtypjeve të gabuara ose mashtrimi për fondin e veçantë të pensionit.

Pensioni privat, kushtet e përfitimit

Anëtari i fondit të pensionit, sipas zgjedhjes, ka të drejtë të marrë pagesën e menjëhershme të vlerës neto të aseteve në llogarinë e vet ose pagesat periodike, në formë pensioni, kur mbush moshën e pensionit të parashikuar me ligj për sistemin e pensionit të detyrueshëm, që zbatohet për atë anëtar ose 5 vjet përpara se të mbushë moshën e pensionit si dhe kur bëhet i paaftë për punë në mënyrë të përhershme dhe që vërtetohet, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Shoqëria administruese mund t'i propozojë anëtarit t'i investojë asetet e tij në produkte të tjera financiare para se të kryejë pagesën te ky anëtar, por duhet t'i shpjegojë qartë dhe me shkrim se ai ka të drejtën e pakushtëzuar për të marrë pagesën e të gjitha aseteve të veta në fondin e pensionit. Autoriteti nxjerr rregullore për mënyrat, kushtet dhe procedurat e pagesave të pensionit. Tërheqja e parakohshme shoqërohet me penalitete, që llogariten në raport me kohën e përmbushur nga anëtari nga çasti i kontributit të tij të parë e deri në çastin e tërheqjes së parakohshme. Autoriteti nxjerr rregullore për penalitetet e zbatuara në rastin e tërheqjes së parakohshme nga fondi i pensionit. Nëse anëtari vdes përpara se të marrë pagesën e të gjitha aseteve të veta, sipas ligjit, asetet në llogarinë e tij do t'u shpërndahen trashëgimtarëve, në përputhje me dispozitat ligjore, që rregullojnë trashëgiminë.
Çdo qytetar mund të investojë në krijimin e një fondi në çfarëdo shume që ai dëshiron. Fondi i pensionit është një grup asetesh, i krijuar në bazë kontrate dhe pa personalitet juridik, që zotërohet bashkërisht nga disa persona, në pronësi të ndarë dhe ku pjesët e pronësisë përfaqësohen nga kuota në fondin e pensionit. Çdo kuotë pensioni përfaqëson pronësinë e pjesës përpjesëtimore të aseteve, të cilat ndodhen në fondin e pensionit. Fondi i pensionit administrohet nga shoqëria administruese, në bazë të kontratës së fondit të pensionit me anëtarët për rritjen e aseteve për anëtarët e fondit. Kur asetet e fondit të pensionit janë të lidhura me të drejta dhe detyrime të tilla, si e drejta e votës, shoqëria administruese përfaqëson të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga këto asete përpara palëve të treta. Shoqëria administruese, gjatë ushtrimit të së drejtës së votës apo të të drejtave të tjera, që lidhen me asetet e fondit të pensionit, udhëhiqet vetëm dhe ekskluzivisht nga interesi më i mirë i anëtarëve të fondit të pensionit.

Avantazhet e pensioneve vullnetare, më 21 janar vepron ligji

Pensionet përjashtohen nga taksat

Risitë e ligjit të ri, si mund të investohet

Ligji për fondet e pensionit vullnetar ose siç njihet ndryshe si ligji i pensioneve private, hyn sot në fuqi duke i hapur rrugën krijimit të kompanive private në këtë fushë. Tashmë, çdo qytetar që punon në të zezë, mund të hapë një fond të veçantë për pension, me aq para sa dëshiron ai, në mënyrë që kur të dalë në pension, të përfitojë si të gjithë të siguruarit e tjerë. Ligji i ri përmban disa avantazhe që deri më sot nuk i kemi pasur. Reforma përcakton se shteti do të japë vetëm një pension minimal, për të tjerat çdokush duhet të mendojë vetë. Me miratimin e këtij ligji, çdo person që s’ka pasur mundësi të ketë sigurime, mund të nisë të krijojë fondin e tij të pensionit në kompani private të licencuara për këtë punë. Avantazhi është se s’ka asnjë rregull, përveçse në fillim hap një fond në kompani. Më pas, ky fond investohet nga kompania dhe interesat e fitimeve kalojnë në fondin tuaj të pensionit. Me kalimin e viteve ju mund të hidhni përsëri para në fondin e pensionit. Avantazh është fakti se në rast se shpalleni i paaftë për shkaqe aksidentale, e merrni përnjëherësh të gjithë fondin e kursyer në privat. Në rast fatkeqësie vdekjeje, familja merr fondin e plotë. Më pas, fondi i pensionit mund të merret i plotë në moshën 60 vjeç për burrat dhe 55 vjeçe për gratë, pra 5 vjet më herët se pensioni që jep shteti. Në nenin 85 të këtij ligji parashikohet se kontributet e bëra nga punëdhënësi, vetë anëtari dhe çdo kontribuues tjetër, në emër dhe për llogari të një fondi pensioni, për efekte fiskale, nuk vlerësohen si të ardhura personale të anëtarit. Kjo do të thotë se fondi i pensionit është i përjashtuar nga taksat. Një risi e këtij ligji është edhe parashikimi në kreun e gjashtë "të agjentëve të fondit të pensionit", të cilët mund të bëjnë kontratat për hapjen e fondit. Një avantazh i dukshëm është se punëdhënësi mund të marrë përsipër detyrimin për të paguar kontribute për planin e pensionit profesional, duke kontribuar në emër dhe në favor të punëmarrësve apo duke i bërë një ose disa pagesa të rregullta shoqërisë administruese, për të mbuluar tarifat e kësaj shoqërie, që duhet të paguheshin nga anëtari. Çdo kontribut i paguar nga punëdhënësi në favor të punëmarrësit do të vlerësohet sikur është paguar nga vetë punëmarrësi. Avantazhi më i madh është se çdokush investon për veten e vet në shumën që ka mundësi për të ardhmen në pleqëri.

Përfitimet nga pensioni privat

A-Pensionin mund ta tërheqësh të plotë kur mund të jesh i paaftë

B-Kur mbushet mosha, pensionin mund ta marrësh të gjithin njëherësh ose në formë periodike

C-Vendos vetë sa do ta kesh pensionin, kur të vijë koha

D-Ndryshe nga depozitat bankare, fondi juaj i pensionit është i përjashtuar nga taksat

E-Fondi i pensionit investohet nga kompania, duke të rritur shumën pa paguar taksa

F-Mund të biesh dakord me punëdhënësit për caktimin e një shume mujore për pension privat, në rast se nuk je i siguruar

G-Në rast vdekjeje, e gjithë shuma e pensionit u shkon trashëgimtarëve

K-Pensioni merret 5 vjet para datës zyrtare të daljes në pension (60 vjeç për burrat dhe 55 vjeç për gratë)

Ligji, dy fondet e pensionit privat

Fondi i Pensionit Vullnetar

Fondi i Pensionit Vullnetar përfaqëson bashkësinë e individëve fizikë, të cilët mund të marrin pjesë në një apo disa plane pensioni. Në këtë rast, midis individit dhe Shoqërisë Administruese të Fondit të Pensionit lidhet një kontratë, ku përcaktohen kushtet dhe detyrimet që kanë palët, për të përfituar pension vullnetar. Pjesëmarrës në një fond pensioni mund të jetë çdo individ, pavarësisht nga vendbanimi, mosha, madhësia e kontributit etj., vetëm pasi ka lidhur më parë kontratën me Fondin. Anëtari i Fondit të Pensionit ka të drejtë: të marrë pensionin mujor vullnetar, 5 vjet përpara se të mbushë moshën për pension sipas ligjit “Për sigurimet shoqërore”, te marrë pensionin mujor vullnetar, kur bëhet i paaftë në punë në mënyrë të përhershme, kur largohet nga jeta para mbushjes së moshës së pensionit, trashëgimtarët përfitojnë asetet e akumuluara. Kur dhe në çdo kohë që dëshiron të bëjë tërheqje të parakohshme. Të transferojë në çdo moment asetet e tij në fonde të tjera pensioni.

Fond Pensioni Profesional

Fond Pensioni Profesional përfaqëson dëshirën e punëdhënësit, privat ose shtetëror, të sigurojë tek një Fond Pensioni punonjësit e tij, me një plan pensioni profesional. Në këtë rast, midis punëdhënësit dhe Shoqërisë Administruese të Fondit të Pensionit lidhet një kontratë aderimi, ku specifikohen kushtet që duhet të plotësojnë të dyja palët, emrat e personave që do të përfitojnë nga kjo marrëveshje, masa e kontributit mujor, afati kohor etj. Në këtë rast, pjesëmarrja në planin e pensionit mund të jetë trellojshe: kolektive, individuale dhe e kombinuar. Shoqëria Administruese duhet të ketë një kapital minimalisht prej 15.625 mijë lekësh. Kur vlera e aseteve kalon 31.2 miliardë lekë, kapitali duhet rritur me 0.02% të vlerës së aseteve.

Sigurimi në pension privat, lehtësi taksash deri në 200 mijë lekë

Qytetarët që do të kontribuojnë për pensionin e tyre në skemën private të pensioneve, do të jenë më të favorizuar se ata që janë pjesë e shtetit. Sipas një ligji të miratuar pak muaj më parë në Kuvend, të ardhur nga Ministria e Financave, çdo individ, pavarësisht moshës apo faktit nëse është në punë apo jo, mund të bëhet pjesë e skemave private të pensioneve. Kontributi që mund të derdhet është pa limit, por Ministria e Financave lehtëson nga taksat deri në 200 mijë lekë në vit. Ky ligj ka si qëllim kryesor përcaktimin e kuadrit ligjor në fushën e pensioneve private dhe përcakton vendosjen e standardeve për administrimin me efektivitet të fondit të pensioneve, në mënyrë që të sigurohet mbrojtja e anëtarit të fondit të pensionit. Ligji në fjalë parashikon një lidhje kontrate midis shoqërisë private që administron fondin e pensionit dhe personit të interesuar, ku ky i fundit, që të përfitojë një pension, duhet të derdhë vullnetarisht kontributet e tij. Në ligj parashikohen lehtësira tatimore për nxitjen e shtetasve shqiptarë për të kontribuuar për fondet e pensionit vullnetar. Anëtari i fondit të pensionit ka të drejtë të marrë pagesën e menjëhershme të vlerës së aseteve në llogarinë e vet ose pagesa periodike në formë pensioni. Ai mund ta përfitojë këtë kur mbush moshën e pensionit të parashikuar me ligj për sistemin e pensionit të detyrueshëm, 5 vjet para se të mbushë moshën e pensionit ose kur bëhet i paaftë për punë në mënyrë të përhershme.

Ligji i ri nuk prek sistemin aktual të pensioneve

Sistemi aktual i pensioneve u vendos me ligjin nr. 7703, dt.11.05.1993: “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Sistemi i pensioneve bazohet në dy kolona: në atë të detyrueshme dhe në kolonën suplementare, e cila momentalisht nuk paraqitet ende e zhvilluar. Kolona e sigurimit të detyrueshëm mbulon të punësuarit, punëdhënësit dhe të vetëpunësuari në zonat urbane dhe rurale, me kusht që ata të kenë kontribuar për një kohë të përcaktuar në skemë. Sistemi i pensioneve përbëhet nga tri kategori: pensioni i pleqërisë, i invaliditetit dhe ai familjar. Periudha e sigurimit nis në datën kur personi fillon ligjërisht aktivitetin ekonomik dhe mbaron në datën kur e mbyll atë. Për të fituar të drejtën e pensionit, individi duhet të kontribuojë në degën përkatëse gjatë një periudhe sigurimi të përcaktuar. Periudha e sigurimit përfshin kohën gjatë së cilës janë paguar kontribute në skemën e sigurimeve shoqërore. Në kuadër të larmisë së këtyre përfitimeve, Instituti i Sigurimeve Shoqërore bën të ditur se skema e sigurimeve shoqërore ofron shumë mundësi për mbështetjen sociale të personave që janë kontribuues. Së pari, përfitimi bazë janë pensionet e pleqërisë, që përfitohen nga të gjithë ata persona që kanë plotësuar moshën dhe vitet e nevojshme të punës, që janë 65 vjeç për burrat dhe 60 për gratë. Ndërkohë, të gjithë këta persona duhet të kenë patjetër 35 vite pune të siguruara. Në këtë skemë, të interesuarit që nuk kanë plotësuar moshën ose vitet e nevojshme të punës, mund të përfitojnë pension të reduktuar ose të pjesshëm. Me këto dy lloj përfitimesh, aplikuesit nuk mund të marrin të ardhurat e plota që mund të merrnin në rast se do të përfitonin pension të plotë pleqërie.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›