Çfarë kërkoi KE përmes projektrezolutës
KE i bën apel opozitës dhe qeverisë shqiptare për të gjetur gjuhën e dialogut, me qëllim daljen nga kriza politike që ka pllakosur vendin. Në raportin që do të diskutohet më 28 janar, ora 15:00 në Asamblenë Parlamentare në Këshillin e Evropës në Strasburg i kërkohet qeverisë të ngrejë një komision hetimor për zbardhjen e zgjedhjeve të 28 qershorit, ndërsa opozitës i bëhet thirrje urgjente të kthehet në Parlament, nga ku së bashku me mazhorancën të punojnë për realizimin e reformave të rëndësishme. Në raportin e plotë theksohet se ngritja e komisionit hetimor duhet të jetë e menjëhershme, gjithashtu kërkohet përmirësimi i kuadrit ligjor. “Autoritetet shqiptare duhet të përmirësojnë kuadrin ligjor zgjedhor, në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin e Venecias”, - theksohet në raport. Ky komision i kërkon Presidentit të Republikës, Bamir Topi, të luajë rolin e ndërmjetësit, në gjetjen e një konsensusi për t’i dhënë fund bojkotit të opozitës, si dhe për ndreqjen e problemeve të zgjedhjeve të shkuara. Draftrezoluta e hartuar nga bashkëraportuesit, Jakko Laakso, David Wilshire, përmban dhjetë pika. Në të parën thuhet se kriza politike dhe institucionale që pas zgjedhjeve të 28 qershorit me bojkotin e Partisë Socialiste ka paralizuar vazhdimësinë e reformave në vend. Kjo situatë dëmton interesat e shqiptarëve dhe ambiciet integruese evropiane. Asambleja konstaton se ky bojkot ka dëmtuar edhe marrëdhëniet e Shqipërisë me Asamblenë. Nuk është formuar ende një delegacion i ri shqiptar për Asamblenë e KE-së, për shkak se anëtarët e vjetër të opozitës nuk mund të marrin pjesë në aktivitetet e Asamblesë. Asambleja shikon se mungesa e dialogut parlamentar, si pasojë e bojkotit, ka dëmtuar funksionin e institucioneve demokratike në vend. Asambleja vëren gjithashtu se mungesa e dialogut parlamentar ka ashpërsuar retorikën mes palëve dhe kjo mund të destabilizojë vendin.
Kriza politike në vend mund të rrezikojë progresin drejt integrimit evropian të vendit. Është e rëndësishme që Shqipëria nuk ka përfituar nga liberalizimi i vizave si tri vendet e tjera ballkanike. Asambleja shpreh gatishmërinë e saj për të ofruar një forum në gjetjen e një zgjidhjeje në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare në kërkim të një zgjidhjeje për krizën. Asambleja mbështet të gjitha përpjekjet, përfshi edhe ato të Presidentit Topi, për të afruar partitë politike në Shqipëri. Në këtë aspekt, një tryezë e rrumbullakët ku të jenë të gjitha partitë politike do të kontribuonte në përmirësimin e klimës politike dhe rikthimin e dialogut parlamentar. Asambleja i bën thirrje qeverisë shqiptare dhe opozitës t’i japin fund krizës politike në vend dhe të marrin përgjegjësitë e tyre për të çuar përpara reformat në vend, jetike për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Asambleja u bën thirrje autoriteteve shqiptare të zbatojnë rekomandimet e komisionit ad hoc që vëzhgoi zgjedhjet e 28 qershorit për përmirësimin e kornizës ligjore elektorale. Kjo asamble fton partitë politike dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile për të ngritur një grup që do të hetojë të gjitha rastet e presionit mbi votuesit gjatë ditës së zgjedhjeve.