E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi i zgjedhjeve është çështje e brendshme

16/03/2010 OSBE ofron asistencën e saj për ndryshimet në Kodin Zgjedhor në Shqipëri

Ministri Meta rithekson prioritetin e Shqipërisë për kryesimin e organizatës

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Europian është e gatshme të japë ndihmesën e saj për thellimin e reformave politike në vend, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në reformën zgjedhore, në zbatim të rekomandimeve të OSBE–ODHIR-it. I dërguari special i kryetarit të radhës së OSBE-së, zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kazakistanit Kostantin Zhigalov, ka deklaruar dje pas takimit që pati me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Ilir Meta se ka etiketuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor si elemente të rëndësishme në funksion të mbarëvajtjes së zgjedhjeve të ardhshme në vendin tonë. Për këtë qëllim, ashtu sikundër edhe në të kaluarën, OSBE-ja ka shprehur gatishmërinë për të dhënë asistencën e saj ligjore. Gjithashtu i dërguari special i kryetarit të radhës së OSBE-së ka deklaruar se Organizata është e kënaqur nga thyerja e bojkotit parlamentar nga ana e Partisë Socialiste. Duke u shfaqur i përditësuar me ngjarjen politike në vendin tonë, Zhigalov u shpreh se OSBE-ja përshëndet gatishmërinë e shprehur nga të dyja palët për të marrë pjesë në komisionin e posaçëm parlamentar për hetimin e zgjedhjeve, çka mbetet ekskluzivitet i politikës shqiptare. “Natyrisht sipas kuptimit tonë kjo është një çështje e brendshme, që u takon forcave politike të vendit për ta zgjidhur atë, por ne si OSBE jemi të gatshëm që të ndihmojmë në rast se një gjë e tillë na kërkohet”, - ka deklaruar ai. Nga ana e tij shefi i diplomacisë shqiptare ka shprehur vullnetin e qeverisë për të vazhduar bashkëpunimin në përputhje me parimin e respektimit të nevojave dhe prioriteteve strategjike të qeverisë së Shqipërisë.

Kryesimi i OSBE-së

Numri dy i qeverisë shqiptare, njëherësh ministër i Jashtëm, ka ritheksuar prioritetin për marrjen e kryesimit të OSBE-së në vitin 2014. “Njoha zotin Zhigalov me vullnetin e qeverisë shqiptare për të kryesuar OSBE-në në vitin 2014 si dhe me përgatitjet tona për të rritur të gjitha kapacitetet njerëzore, organizative dhe financiare në funksion të marrjes së kësaj kryesie”, - ka deklaruar ai. Faktikisht Shqipëria duket se ka shanse të mëdha për të marrë në dorë kryesimin e OSBE-së pas tre vjetësh. Në fillim të këtij muaji ministri i Jashtëm shqiptar mori mbështetje nga Sekretari i Përgjithshëm të OSBE-së Perrin de Brichambaut gjatë një takimi në kryeqendrën e Organizatës në Vjenë. Marrja e kësaj detyre të rëndësishme do të përcillte një imazh akoma më pozitiv të vendit në sytë dhe opinionin e faktorit ndërkombëtar. Meta dhe Brichambaut gjatë atij takimi janë përqendruar mbi përgatitjet e nevojshme për të siguruar një kryesim të suksesshëm të OSBE-së nga vendi ynë. Shqipëria ka parashtruar kërkesën për marrjen e drejtimit të OSBE-së rreth tre vjet më parë, kur MPJ-ja drejtohej nga ministri Lulëzim Basha. Madje, atëherë synohej që marrja e kësaj në vitin 2012.

Takimi Rama-OSBE

Kreu i PS-së Edi Rama zhvilloi dje një takim me delegacionin e OSBE-së, i kryesuar nga Konstandin Zhigalov. Në këtë takim ky delegacion ka vënë theksin në domosdoshmërinë e vazhdimit të reformave, sidomos ato që lidhen me reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e bëra nga OSBE–ODIHR-i. Nga ana e tij kryesocialisti Rama, duke u ndalur në situatën politike, parashtroi qëndrimin e PS-së për hetim të plotë të zgjedhjeve. Rekomandimi i Mirel

Drejtori i përgjithshëm për Zgjerim në Bashkimin Europian Pierre Mirel ka kërkuar fundjavën e kaluar që politika shqiptare të nisë punën për reformën zgjedhore, në mënyrë që në të ardhmen të shuhen të gjitha pretendimet për manipulime të mundshme gjatë zgjedhjeve. Duke iu referuar situatës aktuale politike, Mirel theksoi se mazhoranca dhe opozita duhet të ulen dhe të ndërmarrin ndryshimet e nevojshme në ligjin zgjedhor.

Ngërçi politik

Pas ndërprerjes së bojkotit 6-mujor që Partia Socialiste i bëri Parlamentit, përsëri situata politike nuk është e qetë. Në Komisionin parlamentar të Ligjeve ka nisur diskutimi mbi propozimet e opozitës për hetimin e zgjedhjeve. Por palët nuk duket se po lëvizin shumë nga pretendimet përkatëse. Ndërkohë Bashkimi Europian ka vendosur datën 18 mars afatin përfundimtar kur palët në Shqipëri duhet të gjejnë zgjidhjen e ngërçit politik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›