E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi, javën tjetër, Rama përballë deputetëve



Komisioni Hetimor Parlamentar për hetimin e veprimtarisë së Bashkisë së Tiranës në dhënien e lejeve të ndërtimit, nisi dje mbledhjen e parë, ku u përcaktuan edhe objektivat e këtij komisioni. Brenda tri javëve do të jetë gati raporti, i cili pritet të hedhë dritë në dhënien e lejeve të ndërtimit në 2 vitet e fundit, veçanërisht në mbledhjet e fundit të KRRT-së. Kryetari i këtij komisioni, Ferdinand Xhaferri, deklaroi dje se Edi Ramës do t’i dërgohet një ftesë që të përballet me pyetjet e deputetëve të mazhorancës për dhënien e lejeve të ndërtimit. Njëkohësisht, Rama do të hetohet edhe për shpenzimin e taksave të mbledhura. Xhaferri tha dje se raporti do të dërgohet në Prokurori, megjithëse ai shtoi se organi i akuzës fle përpara dosjeve të bashkisë. “Prokuroria ka vendosur t’i shpallë monument kulture që mbrohen nga Prokuroria të gjitha dosjet e Edi Ramës. Kjo është çështje e Prokurorisë, por ne jemi këtu për të deklaruar se Komisioni Hetimor do të çojë në çdo familje shqiptare këtë rast nga më skandalozët të historisë së korrupsionit në Shqipëri”, - deklaroi Xhaferri. Në mbledhjen e djeshme të komisionit, sekretare e tij u përcaktua Lajla Pernaska, ndërsa anëtari tjetër, Edi Paloka, deklaroi se puna e këtij komisioni do të përqendrohet tek urbanistika, ndonëse sipas tij, Rama duhet të hetohet për shumë çështje. “Ka mjaft dosje të tjera që shprehin korrupsionin e kryetarit të baskisë, - tha Paloka, - por të shohim dhe se sa është zbatuar ligji mbi urbanistikën, sepse ka dhe rregulla të tjera në urbanistikë qoftë për distancat, qoftë për vendet ku ndërtohet, qoftë për numrin e kateve”. Kryetari i komisionit, Xhaferri, i pyetur nga mediat në lidhje me pretendimet e opozitës se ky komision është i paligjshëm për shkak se nuk mund të hetohet pushteti lokal, ai tha se ky komision po zbaton Kushtetutën dhe ligjin për komisionet hetimore. “Unë jam këtu në zbatim të vendimit të Kuvendit për të thënë se sa dhe si ka vjedhur Edi Rama. Të tjerat mund t’i ballafaqoni me aspektet juridike”, - shtoi Xhaferri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›