E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi në Sofje: Shqipëria, projekte të mëdha energjitike



Shqipëria shpreh interesin e saj për të kontribuar në përpjekjet, ndërhyrjet dhe projektet që synojnë forcimin e sigurisë së furnizimit me energji dhe zhvillimin e rrjeteve dhe infrastrukturave rajonale të energjisë. Pikërisht, këtë vullnet shprehu dje në Sofje të Bullgarisë, Presidenti Bamir Topi, pjesëmarrës në samitin "Gazi natyror për Evropën: Siguria dhe Partneriteti". Në seancën e parë plenare të këtij samiti, kryetari i shtetit mbajti një fjalë në prani të kryetarëve të shteteve dhe drejtuesve të lartë të 28 vendeve nga Evropa Juglindore, rajoni i Detit të Zi dhe i Kaspikut, Azia Qendrore, të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, përfaqësuesve të lartë të institucioneve të BE-së etj.

Pasi vuri në dukje faktin se sigurimi dhe qëndrueshmëria e furnizimit me energji po bëhen gjithnjë e më shumë çështje me një ndjeshmëri të lartë, si dhe sfidat kryesore të çdo vendi në rajon dhe përtej tij, kryetari i shtetit theksoi: “Shqipëria inkurajon dialogun, kooperimin dhe partneritetin ndërmjet vendeve prodhuese, tranzituese dhe konsumatore, sepse është e dobishme që politikat e zhvillimit të orientohen si drejt rritjes së burimeve vendore, ashtu dhe drejt diversifikimit të furnizimit, me anë të integrimit të rrjeteve dhe të projekteve në infrastrukturat e mëdha të energjisë”. Në vijim, Presidenti Topi u shpreh: “Për shkak të zhvillimeve të fundit në tregjet e naftës dhe të gazit, tashmë, është konsoliduar ideja e ndërtimit të korridoreve dhe linjave të reja, të furnizimit me energji nga burimet rreth Detit Kaspik dhe nga Lindja e Mesme drejt vendeve të rajonit tonë, Evropës Qendrore dhe asaj Jugore”. Edhe në këtë aspekt, kryetari i shtetit garantoi për mbështetjen e vendit tonë ndaj përpjekjeve dhe veprimeve konkrete në drejtim të kooperimit dhe integrimit të burimeve dhe të sistemeve të furnizimit me gaz, ndërmjet vendeve të Detit të Zi dhe të Evropës Juglindore. “Shqipëria ka një program të veçantë strategjik, që mbështet zhvillimin e burimeve dhe rrjeteve energjitike, për integrimin e tyre në tregjet rajonale dhe evropiane, veçanërisht projektin e gazsjellësit Trans – Adriatik që lidh Greqinë me Italinë nëpërmjet Shqipërisë, si dhe gazsjellësin Adriatik – Jonian”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›