E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimi policia e Korces bllokon 1 mije piktura te piktorit Sotiraq Xega

Një mijë piktura të piktorit Sotiraq Xega, ish-përgjegjësit të Galerisë së Artit "Guri Madhi", u bllokuan nga policia. Ky veprim u ndërrmor si pasojë e hetimit që policia po bën për zhdukjen e 61 pikturave, midis tyre 27 të artistit Vangjush Mio. 
Pikturat u gjetën gjatë kontrollit që policia bëri në banesën e Xegës në Drenovë dhe për to do të ngrihet një komision në përbërje, të cilit do të jenë specialistë të fushës, të cilët do të verifikojnë nëse midis pikturave të bllokuara ndodhen edhe ato të Mios. 
Kontroll u bë edhe në shtëpinë e përgjegjësit aktual të galerisë, Kristi Ktona. Informacionet policore thonë se në shtëpinë e Ktonës nuk u gjet asnjë pikturë. 
Sipas verifimimit të bërë nga një grup pune i vetë këtij institucioni, rezulton se nga 61 pikturat e artistit të njohur janë gjetur vetëm 34 prej tyre. Grupit hetimor i është dorëzuar lista me 27 punimet e zhdukura të Vangjush Mios, të cilat ishin zëvendësuar me të tjera piktura, në sallën e ekspozimit. Bëhet fjalë për punime të njohura të Vangjush Mios, si Natyrë e Qetë, Portret Gruaje, Vjeshtë në Bukuresht etj. 
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe grupi i këshilltarëve të PD në Këshillin Bashkiak të Korçës. Ata e kanë quajtuar skandal vjedhjen e pikturave të Mios dhe heshtjen e kryetarit të bashkisë, Niko Peleshi krim.
Policia e Korçës ka bërë me dije se po vijon hetimet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›