E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen makina, shkrumbohet shoferi

Ergys Lleshi është gjetur i shkrumbuar në mjetin e tij në kilometrin 26 në Kërrabë

Gjendet i shkrumbuar një i ri brenda makinës së tij dhe paraprakisht mendohet se ngjarja është shkaktuar nga një aksident. I riu, i cili është identifikuar si Ergys Lleshi, mendohet se ka humbur kontrollin e mjetit me benzinë dhe është përplasur me një mur, që ka shkaktuar shkëndijë dhe për shkak të humbjes së ndjenjave, ai nuk ka mundur të shpëtojë, por është djegur bashkë me makinën.
Njoftimi i parë në polici është dhënë rreth orës 18:00, kur udhëtarët që vinin nga Elbasani në drejtim të Tiranës kanë telefonuar në sallën operative. Ata kanë vënë në dijeni se një makinë është shkrumbuar në Kërrabë, pikërisht në kilometrin 26 të rrugës Tiranë-Elbasan, brenda së cilës ndodhej edhe një person i shkrumbuar. Menjëherë për në vendin e ngjarjes janë nisur shërbimet e Komisariatit nr. 1, që kanë nën juridiksion këtë zonë, si dhe ekspertët e policisë së antikrimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Sapo kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, ekspertët e policisë kanë konstatuar se makina e tipit “Renault”, me targa TR 6135 L, ndodhej pranë një muri në anë të rrugës. Veprimet e para hetimore kanë sjellë identifikimin e kufomës së shkrumbuar, që rezultoi të ishte Ergys Lleshi, 27 vjeç. Sipas policisë, identifikimi i tij ishte i vështirë, pasi nuk kuptohej nëse ishte femër apo mashkull. Por, edhe pas kontrollit të targave të mjetit dhe pronësisë së tij, u bë identifikimi i kufomës. Nga verifikimet ka rezultuar se mjeti “Renault Megane” ishte në pronësi të tij dhe aktualisht banon në rrugën “Shemsi Haka” në Tiranë.

Më tej, policia ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, pasi ende nuk kishte informacion nëse ngjarja ishte aksidentale, apo ishte krim i kryer nga të tjerë. Gjatë hetimeve është verifikuar se ngjarja ka ardhur për shkak të një aksidenti. Sipas të dhënave, 27-vjeçari ka qenë duke udhëtuar nga Tirana drejt Elbasanit. Gjatë rrugës, për shkak të shpejtësisë, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me murin anësor, ku mendohet se për rreth 70 metra, ka shkuar duke u fërkuar me murin. Kjo ka krijuar shkëndijë në makinën që punonte me benzinë dhe për pasojë ka marrë flakë. Por, mjeti ka ndaluar vetëm kur është përplasur me një mur, ku i riu ka humbur ndjenjat. Për këtë arsye, ai nuk ka mundur të shpëtojë nga vdekja e të dalë nga makina, që brenda pak çastesh ka shpërthyer. Udhëtarët e kanë gjetur disa minuta më vonë, kur flakët ishin shuar, pavarësisht se tymi vazhdonte në makinë. Më vonë, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe ekspertët e mjekësisë ligjore, të cilët kanë dërguar në morg kufomën e shkrumbuar. Policia tha se pas gjithë verifikimeve, u njoftua edhe familja e të riut, të cilët kanë treguar edhe pse ishte nisur ai drejt Elbasanit. Megjithatë, hetimet për ngjarjen vazhdojnë për të kryer gjithë veprimet e nevojshme mbi këtë rast të rëndë, ku humbi jetën 27-vjeçari. Gjithashtu, sot, do të rishikohet vendi i ngjarjes për të kuptuar nëse aksidenti ka ardhur nga shkaqe të tjera, apo thjesht Ergys Lleshi ka humbur kontrollin e mjetit për shkak të shpejtësisë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›