E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infermierja greke rrëmben foshnjën e çiftit shqiptar

Greqi Ajo u kap në banesën e saj në Athinë dhe bebja iu kthye nënës Brunilda Shquti

Një bebe e sapolindur e një çifti shqiptar u rrëmbye dje herët në mëngjes në maternitetin “Elena” në Athinë, duke vënë në alarm Policinë e Athinës, e cila kapi pas disa orësh në një lagje periferike në perëndim të Athinës grabitësen së bashku me foshnjën në duar. Ngjarja ngriti në këmbë dhe ambasadën shqiptare në Greqi. Ambasadori shqiptar, Vili Minarolli, deklaroi për mediat vizive se bebja e grabitur u gjet shëndoshë e mirë dhe se grabitësja ishte një grua greke, punonjëse e spitalit. Sipas tij, ajo rrëmbeu beben vajzë të sapolindur nga krevati i nënës shqiptare rreth orës 04.00 të mëngjesit të djeshëm. Bebja iu kthye me një patrullë policie nënës shqiptare, Brunilda Shyti. çifti shqiptar, Agron dhe Brunilda Shyti, nga Lezha me banim në Athinë, ishin personat që bënë denoncimin për grabitjen e bebes së tyre. Në momentin e rrëmbimit, foshnja ka qenë në dhomën e nënës në një krevat të vogël, vendosur pranë shtratit të prindit. Nëna pohon se i ka dëgjuar hapat e rrëmbyesit dhe në atë moment është zgjuar dhe ka parë që pranë krevatit të saj mungonte bebja. Ajo ka vënë alarmin duke bërtitur, por grabitësja është larguar me shpejtësi. Spitali u vu nën alarm dhe në kërkimin e bebes shqiptare. Pas kërkimit intensiv që zgjati deri në orën 11 e pak minuta të paradites së djeshme, u mundësua kapja e grabitëses së bebes shqiptare. Gruaja u arrestua në shtëpinë e saj, në lagjen “Egaleo”, në perëndim të Athinës. Mediat greke nuk kanë dhënë informacion për rrëmbyesen dhe ende nuk dihen arsyet e rrëmbimit të foshnjës. Ngjarja në maternitetin “Elena” tronditi edhe ministren e Shëndetësisë së Greqisë, e cila urdhëroi administratën e saj të vihej në lëvizje. Policia tani është përqendruar në rrethanat sesi ka ndodhur rrëmbimi. “Kjo është një ngjarje tepër e rëndë dhe do të hetohet thellësisht për të”, tha ministrja e Shëndetësisë. Sipas saj, do të vihen para drejtësisë përgjegjësit e kësaj ngjarjeje të shëmtuar. “Gjithashtu do të marrim masat e nevojshme, që ngjarje të tilla të kësaj natyre të mos përsëriten më”, shtoi ajo.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›