Star Airways, fluturimi i radhës i Soddus së pakalueshëm
VENEZIA – «Alo, mirëmbrëma, po kërkoj doktor Soddun». «Vincenzo apo Luca?», përgjigjen nga ana tjetër e receptorit një zë i huaj, që mezi flet italisht, edhe pse numri që ne formuam ka një prefiks të Milanos. Devijimi i telefonatës na ka çuar në fakt në centralin shqiptar të “Star Airways”, ose më mirë kompania ajrore që disa herë gjatë muajve të kaluar kandidoi për të blerë Myair (e cila ishte mbyllur nga Enac në korrik, për vështirësi të mëdha financiare) e për të nisur nga Tirana një numër fluturimesh drejt disa destinacioneve evropiane e italiane. «Është kompania e re e Soddu», thonë njerëzit në faqet ueb dhe një denoncim i sindikatës disa ditë më parë. «Unë nuk kam të bëj fare, e kam mbyllur me aviacionin – thotë komandanti Vincenzo Soddu, i cili mban në shpinë falimentimin e Volare dhe Myair – Tani jam në Slloveni».
Në të vërtetë prefiksi i numrit me të cilin na merr në telefon është ai i një operatori celular shqiptar dhe kush e njeh Soddun thotë se kohët e fundit ka kaluar mjaft kohë në Tiranë. «Nëse dikush më kërkon ta ndihmoj (t’i jap një dorë), mund edhe ta ndihmoj, sepse sidoqoftë më duhet edhe të punoj », është ky në fakt i vetmi rrëfim që arritëm ti nxjerrim. I biri Luca, është tashmë drejtor i operacioneve të Star Airways (domethënë përgjegjës për organizimin e fluturimeve, për pilotët, ekuipazhin, mirëmbajtjen dhe kështu me radhë), siç edhe na thonë burime të besueshme, por edhe ai mohon. «Ka dhënë një intervistë si pilot, si shumë ish punonjës të Myair», thotë i ati. Ndërkohë për të kompletuar portretin familjar, e bija e Soddu Arianna pak javë më parë vinte vërdallë në aeroportet italiane, si referente tregtare. Në nëntor ka regjistruar edhe një vizitë në Venecia së bashku me një person që njihet si Valer Hoxha, por mësohet se i kanë bërë me dije që për të pasur të drejtën për të fluturuar i duhej të paguante: domethënë që për të fluturuar qoftë nga Marco Polo apo nga Treviso – duke parë precedentët – duhej të jepte parapagim. Sidoqoftë tani për tani nuk duket se janë kërkuar fluturime në Veneto.
Ndërkohë në Facebook ka lindur një grup «Star Airways. it: attenzione!!», i cili ka arritur 807 anëtarë e në të cilin ftohen njerëzit të mos blejnë bileta të kompanisë së re, kur kjo të hapet, duke vënë alarmin për një tjetër mashtrim të mundshëm. «Koha ka treguar se si janë shfryrë akuzat në rastin Volare (kompani e falimentuar e Soddu), jam i bindur që do të ndodhë e njëjta gjë edhe me Myair», komenton Soddu. Dje (2 shkurt) ndërkohë gjyqtarët e Gjykatës së Venecias janë mbledhur për të vendosur mbi administrimin e Myair: në rast se nuk do të ketë asnjë zgjidhje tjetër, alternativa është ashtu siç ka kërkuar prokuroria që ka hedhur dritë mbi diferencën e madhe në bilancet e kompanisë, ku humbjet e kompanisë vlerësohen 96 milion euro. Më 19 shkurt gjyqtarët do duhet të shqyrtojnë edhe pozicionin e Myholding tjetër kompani e Soddu. Për policinë financiare të Viccenzas i gjithë grupi ka një pasivitet (humbje) total prej 215 milion eurosh.