E Diel, 1 Nëntor 2026

Universitetet dhe historia e këngëtarit



Briseida Andoni*

Pak ditë më parë qeshë ulur në një kafene ndër të shumtat pranë sheshit kryesor të Tiranës. Isha vetëm dhe e shpërqendruar, ndaj nuk mund të mos me zinte veshi copa bisedash që zhvilloheshin tek tavolina shumë pranë meje, mes dy vajzave të reja në moshë: “Tek universiteti në fjalë është 1500 euro o goce; ç’më intereson mua, është tarifa më e ulët ndër të tëra. Kaq më duhet mua, ndaj aty dhe pikë...” (retiçenca është e imja, se vajza e vendosi pikën).
Çmimi
Në fakt, tingëllon krejt e tepërt në këto kohëra, të japësh mend për përmasat e sensibilizimit të të rinjve përkundrejt fenomenit (sepse tashmë i tillë është) universitet.
Jemi vendi me përqindjen më të lartë në Europë të të rinjve që pas studimeve të shkollës së mesme zgjedhin të ndjekin ato të lartat. Me ç’kam dëgjuar bëhet fjalë për një raport 7.5/10, ndërsa në Hollandë, një vend europian, statistikat e ndryshme të së cilit më kanë interesuar shpesh, bëhet fjalë për rreth 2.5/10. Ndoshta është rasti që maturanti shqiptar, ndonjëherë, të pyesë veten me seriozitet se sa niset mbi bazën e arsyes së duhur për të bërë të tillë zgjedhje; dhe sidomos, a përkon kjo zgjedhje me çfarë do të ishte në gjendje të bënte më mirë në jetën e tij?. Megjithatë le t’i lemë mënjanë sot kompetencat për të interpretuar këtë variacion statistikash.
Zgjerimi!
Në vitin 1957, mbi bazën e disa instituteve të larta arsimore, u krijua Universiteti i lartë i Tiranës ku fakultetet e para ishin ai i Mjekësisë, Shkencave të Natyrës dhe Inxhinierisë. Më vonë u hap fakulteti Bujqësor dhe fakulteti i Elbasanit, Durrësit, Shkodrës.
Sot, 50 vjet me vonë, mbi bazën e dëshirës së disa zotërinjve që guxojnë të investojnë mbi arsimin e lartë, numërohen mbi 20 universitete private. Po si funksionojnë këto të fundit? A janë më cilësorë se Universiteti i Tiranës?
Po edhe jo. Pa dyshim drejtuesit e tyre (të duam të jemi cinikë mund t’i quajmë dhe pronarë) bëjnë të mundur që investimi ekonomik të mos mungojë. Kështu, në masë, godinat dhe ambientet e tyre nuk lënë për të dëshiruar në krahasim me mjedisit e sallave të vëna në dispozicion nga shteti, ndonëse fjala vjen, në mbushjen e bibliotekave të tyre mund të qe lëshuar më tepër dora. Nuk mungon asnjëherë një shpërblim i posaçëm për një këngëtar të mirë që këndon pa ndonjë motiv të kuptueshëm në një ceremoni diplomimi, por, duket sikur mungon për të ftuar ndonjë profesor të vlefshëm nga një katedër europiane. Mbase duhet marrë parasysh që tingujt e zërit të këtij të fundit do të shkundnin muret e dijes, duke ndihmuar në shembjen e tyre, asnjëherë plotësisht të realizueshme. Vërtet thithet i riu i diplomuar jashtë vendit, por në nivel ndërdepartamental, ky neoaspirant, a ka shanse vërtet të rritet profesionalisht duke punuar paralelisht me çdo të “titulluar”; profesor, doktor Filani në atdhe, në kohërat kur standardet për të arritur këto tituj qenë tepër, po tepër të ndryshme, nga çfarë janë në të vërtetë sot kudo në botë?
Tekstet
Po tu referohemi teksteve, situata paraqitet gjithashtu jo e mirë. Nëse literatura e një lënde, mbulohet nga një tekst i vetëm në gjuhën shqipe, atëherë kjo është një lëndë që konsiderohet të paktën “e mbuluar”. Këtu problemi merr dhenë, duke përfshirë sektorin privat dhe publik. Këta të privatit, seç bëjnë gjoja sikur botojnë diçka në kuadrin e disa nën-organizmave brenda strukturës që i quajnë shtëpi botuese. Kam mundur të vërej nga pranë që në më të shumtën e rasteve, librave të përkthyer nuk iu blihet kurrë e drejta e autorit dhe në tërësi procesi i shenjtë i hedhjes së një produkti arsimor nuk merret hiç seriozisht. Kjo, sepse duke rritur cilësinë e këtij produkti dhe të arsimimit të denjë në tërësi, publiciteti i ofertës së shkëlqyer të biznesmenit është aq i ngadaltë, saqë ky i fundit jam e bindur që nuk e njeh ekzistencën e tij, përpara vizionit konkret të këngëtarit.
Po tek shteti? Shpeshherë pyes veten: Kaq e vështirë dhe e parealizueshme do të ishte vallë që në Ministrinë e Arsimit, dikush të vendoste që çdo ekspert i fakultetit përkatës, duke ju referuar një katedre të huaj prestigjoze analoge, të studionte kurrikulat e saj dhe tekstet me të cilat ajo funksionon përditë; të porositeshin një pjesë e mirë e tyre, apo vetëm një kopje sa për përkthyesin, e të paguheshin sikur 100 përkthyes, nga dhjetë për fakultet, për 3-4 libra në vit?
Meqë jemi tek shteti; po disa individë që mbajnë monopolin e katedrave, duke ruajtur ende lëndë si titullarë e duke mos shkuar thuajse kurrë për të plotësuar orët e mësimit, a do i lënë vendin ndonjëherë ndonjërit që punon me qejf apo jo?

*Autorja e shkrimit është psikologe kliniciste dhe pedagoge

15 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›