E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi pret Daul:Zgjidhja e krizësduhet vullnet politik

TIRANE-Presidenti Bamir Topi shpreson se ekzistojnë të gjitha mundësitë që zgjidhja e krizës politike në vend të vijë në mënyrë institucionale dhe në funksion të demokracisë dhe të interesave të qytetarëve shqiptarëve. Kjo u shpreh gjatë një takimi që kreu i shtetit pati në Presidencë me Kryetarin e Grupit të Partive Popullore të Parlamentit Evropian, Jozeph Daul. Nga ana e tij, Daul theksoi se drejtuesit politikë shqiptarë duhet të shohin nga e ardhmja demokratike e vendit.

Zyra për shtyp e Presidentit bëri të ditur se kreu i shtetit shqiptar priti sot në Presidencë Kryetarin e Grupit të Partive Popullore të Parlamentit Evropian, Zhozef Dol dhe delegacionin që e shoqëron, në kuadër të një vizite zyrtare dyditore në vendin tonë.

Të njëjtat burime bënë të ditur se fillimisht Topi e njohu zotin Daul me situatën politike aktuale në vend, ku vlerësoi lart dhe njëkohësisht falënderoi zotin Daul për rolin e tij të rëndësishëm dhe kontributin e çmuar në zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri.

Duke shprehur bindjen se Shqipëria do të dijë të plotësojë kushtet dhe detyrimet e kërkuara për anëtarësimin sa më shpejt në Bashkimin Evropian, Presidenti Topi vuri në dukje se “me vullnetin politik të palëve, pas rivendosjes së dialogut politik institucional mes mazhorancës dhe opozitës, si dhe me angazhimin serioz të tyre, ekzistojnë të gjitha mundësitë që zgjidhja të vijë në mënyrë institucionale dhe në funksion të demokracisë dhe të interesave të qytetarëve shqiptarëve."

Nga ana e tij, Kryetari i Grupit të Partive Popullore të Parlamentit Evropian, Zhozef Dol, pasi falënderoi Presidentin Topi për pritjen e përzemërt, nënvizoi faktin se “palët dhe drejtuesit e lartë politikë shqiptarë duhet të shohin nga e ardhmja demokratike e të zbatojnë rregullat që imponon demokracia në respekt të Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës”.

Në të njëjtën kohë, zoti Dol garantoi se “procesi i liberalizimit të vizave për shqiptarët nuk do të ndalet për asnjë arsye, sepse shqiptarët duhet të lëvizin të lirë dhe se Shqipëria, pas përparimeve të mëdha e të dukshme që ka bërë, meriton plotësisht të jetë pjesë e familjes evropiane.”

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›