Hetuesi unifikues

Dikush e quan shpifës, të tjerë gënjeshtar, ndonjë tjetër beson se ai është thjesht një sharlatan, apo ka të atillë që mendojnë se këtij personi t’i bëhen ekzaminime mjekësore, për të parë nëse është në rregull nga trutë.
Por në këtë rast, duket se nuk janë fare të rëndësishme epitetet që i janë vënë Dick Martyt, raportuesit të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës.
Në fund të muajt janar të vitit tjetër, Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës do të diskutojë këtë raport, dhe në fund do të vendoset se si do të procedohet më tej.
Më shumë se fjalët, janë provat që duhet të thonë fjalën e vet.
“E vërteta dhe e drejta janë në anën tonë. Unë do të përdor të gjithë hapësirën ligjore dhe politike për të mbrojtur shtetin dhe imazhin e tij”, tha Hashim Thaçi, kryeministër në largim i Kosovës.
Ai këtë përgjigje e dha kur u pyet nga Express të sqarojë se përse është kaq i sigurt kur mohon gjithçka, për faktin se në raportin e zviceranit Marty, shkruan se Hashim Thaçi nuk e ka pasur nën kontroll tërë UÇK-në.
Por zanafilla e tërë kësaj historie, nis qysh në vitin 2003, atëherë kur Prokuroria Speciale e Serbisë për Krime Lufte, i kishte kërkuar ish-Administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), të hetojë këtë çështje.
Sipas kësaj prokurorie, ata kishin fakte të forta të cilat shtynin të besohej se ish UÇK-ja ka kryer trafikim organesh të serbëve të zënë robër, por edhe shqiptarëve, bashkëpunëtorë të regjimit të Beogradit.
Sigurisht, hetimet ishin bërë një vit më vonë. Në dokumentin zyrtar, të cilin e ka edhe Expressi, që mban datën 18 qershor 2004, e të nënshkruar nga kryehetuesi i UNMIK-ut në këtë çështje, Jose Pablo Barybar, jepet konkluzioni.
Aty shkruan se janë bërë hetime në lidhje me këtë çështje, sidomos në të ashtuquajturën “Shtëpi e verdhë”, rreth 15 kilometra larg Burrelit në Shqipëri.
“Bazuar në ekzaminimet tona, opinioni ynë është që nuk ka të dhëna se personat janë mbajtur apo se ka gjak si pasojë e akteve kriminale në këtë shtëpi, në jugperëndim të Burrelit në Shqipëri”, thuhet në konkluzionin këtij dokumenti.
Në fakt, në pikën tjetër të këtij konkluzioni tregohet Luminoli (materie kimike për të verifikuar prezencën e gjakut, që sytë e njeriut nuk mund ta shohin) ka reaguar për prezencë gjaku në kuzhinë dhe në paradhomë, duke ndërruar pak ngjyrën në pak të kaltër, por që kjo nuk është konsideruar fakt.
“Kjo sepse Luminoli mund të reagojë edhe kur ka prezencë të urinës, lagështisë së mureve, nikelit, yndyrës, apo mykut”, thuhet në këtë raport, të nënshkruar nga gjashtë hetues të UNMIK-ut, një prokuror dhe një polic lokal.
Kjo histori ka vazhduar edhe më tej. Por pak a shumë edhe EULEX-i, pas hetimeve, në vitin 2009, doli publikisht dhe tregoi se nuk kanë gjetur fakte për këtë çështje.
Madje të njëjta fjalë, Kristiina Herodes, një nga zyrtaret e këtij misioni, i tha prapë, duke sqaruar se tash EULEX-i kërkon fakte nga Dick Marty.
“Hetuesit dhe prokurorët për krime të luftës në EULEX kanë hetuar rastin e ashtuquajtur “Shtëpia e Verdhë”, por nuk kanë gjetur dëshmi apo të dhëna që do të na bënin të besojmë se në atë lokacion ka pasur transplantim dhe operime me organe njerëzore”, tha qartë, Herodes.
Por, ajo deklaroi se nëse kanë ndodhur lloje të tjera të aktiviteteve kriminale në atë shtëpi, tash për tash nuk kanë të dhëna. “Ka shumë raste lidhur me krimet e luftës që janë duke vazhduar”, u shpreh zyrtarja e EULEX-it.
Në tërë këtë katrahurë, Policia e Kosovës ka zgjedhur të qëndrojë pak më e heshtur, pavarësisht se vitin e kaluar u arrestuan tre persona, pjesëtarë të Shërbimit Sekret të Serbisë, u prangosën duke tentuar të blejnë dëshmitarë me 100 mijë euro, për të dëshmuar se ekziston rasti me trafikimin e organeve.
“Ne kemi mbaruar punën tonë sipas ligjit, i kemi dorëzuar në prokurori dhe pastaj ka qenë gjykata ajo që ka vendosur në lidhje me këtë çështje”, thotë Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Express.
Pavarësisht kësaj, faktet për këtë rast ekzistojnë. Ato janë madje edhe të filmuara kur dy serbët nga Serbia e një nga Shtërpca, i ofronin hetuesit të policisë, pa e ditur me kë po bisedojnë, mijëra euro në shkëmbim të një dëshmie se ka pasur trafikim organesh.
Por nëse Dick Marty tashmë ka përfunduar punën e tij, duke e shkruar këtë raport, kjo nuk vlen për ata që janë njollosur me këtë dokument, të cilin edhe vetë zvicerani, nuk pranoi ta quajë “hetim”.
Të përlyerit dhe të apostrofuarit si kriminelë, në veçanti Hashim Thaçi, Kryeministër në largim i Kosovës, vetëm tash duket se i ka përvjelë mëngët dhe i ka hyrë punës për t’u marrë me këtë çështje.
Kështu së paku thotë Tomë Gashi, këshilltar i tij për çështje juridike. “Është çështje e Kryeministrit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës të përcaktohet për firma, për të ushtruar mjetet juridike kund shpifjeve morbide dhe të qëllimshme të bëra nga Dick Marty, i cili e përdor pozitën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, për ta bërë këtë”, thotë Gashi për Express.
Pasi përmend edhe hetimet e mëparshme të cilat nuk kanë mundur të sjellin asgjë në dritë në këtë çështje, avokati Gashi jep edhe arsyen përse të gjitha hetimet kanë përfunduar me rezultat zero.
“Sepse kjo ngjarje morbide që ai po e përmend, nuk ka ndodhur kurrë dhe me këtë, Marty po e vë në dyshime edhe kredibilitetin e institucionit që përfaqëson”, thotë avokati Tomë Gashi, këshilltar i Kryeministrit në largim të Kosovës.
Avokati Gashi flet për pjesën e Qeverisë së Kosovës. Por rrebeshi i kësaj çështjeje ka përfshirë edhe Shqipërinë fqinje. Edhe kësaj here, Kosova duket se do të bashkojë së paku në një pikë, politikanët në Tiranë.
Atje, reagimi ka dalë të jetë edhe më i ashpër sesa i vetë Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Deputeti i Partisë për Drejtësi dhe Unitet në Kuvendin e Shqipërisë, që lufton për çështjen çame, ka kërkuar reagim të shtetit shqiptar.
Gramoz Ruci nga Partia Socialiste ka kërkuar të miratohet një rezolutë nga Kuvendi i Shqipërisë, disa ditë para se Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës të diskutojë raportin e Dick Martyt.
Në këtë pikë u pajtua edhe Jozefina Topalli, kryetare e Kuvendit nga Partia Demokratike, e cila kërkoi që nëse Dick Marty nuk ofron prova, të kërkohet që atij personi t’i bëhet një ekzaminim mjeko-ligjor, për të parë nëse është në rregull nga mendtë.
Përveç Sali Berishës, Kryeministër i Shqipërisë, i cili e ka quajtur shpifës këtë raport, Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste, përveçqë e ka quajtur të papranueshëm, vetë Dick Martyn e ka cilësuar thjesht një sharlatan.
Por duket se vulën e reagimeve zinxhir kundër këtij raporti e ka përmbyllur, së paku tash për tash, Bamir Topi, President i Shqipërisë, i cili ka tërhequr vërejtje se kjo mund të cënojë paqen në rajon.
Kush është Dick Marty
Prokurori i dikurshëm dhe tash politikani zviceran, përveç rastit me UÇK-në, ka qenë në krye edhe të një hetimi evropian, lidhur me pohimet se CIA të dyshuarit e vet për terrorizëm i ka zhvendosur përtej kufijve të SHBA-së, në shtetet e ndryshme të Evropës. Dick Marty është një ligjvënës veteran i cili me vite ka përvojë në të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut. Avokati dhe babai i martuar dhe me tre fëmijë, ka një doktoraturë në drejtësi dhe filloi karrierën e tij si specialist në këtë drejtim në Zvicër. Ai jetoi në Freiburg, të Gjermanisë, nga viti 1969 deri në 1975.
Ai u kthye në Zvicër në vitin 1975, duke marrë pozitën e prokurorit të shtetit në kantonin e Ticinos, ku ai ishte në krye të disa fushatave të fuqishme kundër drogës dhe krimit të organizuar. Pjesa më e madhe e karrierës së z. Marty ka qenë e ndërtuar brenda politikës në Ticino. Ai u zgjodh anëtar ekzekutiv i kantonit në 1989, pasi mori lëvdata të mëdha për punën e tij si prokuror, edhe nga qeveria amerikane, për luftën e tij kundër drogës.
Ai vazhdoi si anëtar i ekzekutivit në Ticino deri në 1995, kur hyri në zyrë si i zgjedhur. Më vonë, në vitin 1998, ai u zgjodh në Këshillin e Evropës në Strasburg, dhe ulet në karriget e Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Evropë. Në kuadër të Këshillit, z. Marti shërben në një numër të komisioneve me ndikim. Ai drejton çështjet ligjore dhe të drejtave të njeriut dhe shërben në komitetin e punëve politike, në mesin e shumë punëve të tjera. Këshilli i Evropës ka një anëtarësi të gjerë jo të kufizuar për anëtarët e Bashkimit Evropian, dhe është përgjegjës për mbikëqyrjen e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Carla del Ponte
Pas akuzave të Dick Martyt për tregti organesh nga UÇK-ja dhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-prokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës në Hagë, Carla del Ponte është rishfaqur me kërkesë për hapa juridikë dhe një deklaratë që prek drejtpërdrejt Shqipërinë. "Kjo e fundit pengoi hetimet fillestare", i tha Del Ponte agjencisë gjermane te lajmeve DPA, duke aluduar në Shqipërinë.
"Hetimet për këto çështje penale duhet te zhvillohen medoemos,- këmbëngul ajo, - por nuk duhet te kryhen nga autoritetet e Kosovës apo ato te Shqipërisë". "Ata që tani thanë se të gjithë janë të pafajshëm", tha ish-kryeprokurorja, aktualisht ambasadore e Zvicrës në Argjentinë. Vetëm EULEX-i mund të marrë pjesë në hetime, sipas saj, por edhe ai duhet përgatitur për këtë punë.
Daniel Server
Daniel Server, analist i Çështjeve të Ballkanit, kritikoi tonin e raportit të Dick Martyt, të miratuar nga Komisioni Juridik i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Sipas tij, raporti nuk sjell argumente për të mbështetur këto akuza, megjithatë një komision hetimesh penale mund të qartësojë se çfarë ndodhi në të vërtetë. Qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë një komplikim të tillë, tani që duhet qartësuar situata pas zgjedhjeve, thotë Server.
Raporti e bën të qartë që nuk është kryer ndonjë hetim që të mund të përcaktojë fajësinë ose pafajësinë, ndërkohë që as akuzat në vetvete nuk janë ndonjë risi, pasi kanë gati 10 vjet që qarkullojnë.
"Ajo që unë nuk di, është a janë gjetur të dhëna të reja nga ato të para 10 vjetësh që të mbështesin këto akuza, pasi raporti nuk i përmend burimet e veta. I rendit bukur përpjekjet që janë bërë, por nuk shohim ndonjë hetim penal serioz. Ne duhet të qartësojmë se çfarë ndodhi në të vërtetë dhe kjo do të kërkojë bashkëpunimin e Qeverisë së Kosovës, të Shqipërisë, do të kërkojë angazhimin e EULEX-it dhe besoj se është diçka që duhet bërë, duhet të gjejmë a ka ndonjë gjë të vërtetë në këto akuza”", tha Server.