E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetuesia, qeveria tërhiqet për OPGJ-të

Ministria: Drafti, sipas marrëveshjes polici-prokurori. Hetuesit e prokurorisë nuk do të lëvizin

Oficerët e Policisë Gjyqësore që janë në marrëdhënie pune me prokurorinë nuk do të lëvizin, sipas projektligjit të ri të qeverisë. Ministria e Drejtësisë është tërhequr nga varianti i parë i cili parashikonte se OPGJ-të e prokurorisë duhet të kalonin në strukturën e re të Policisë së Shtetit, ku do të ligjërohej ngritja dhe ulja në detyrë, statusi i tyre dhe raporti që duhet të kishin me prokurorët, në kuadër të një procedimi penal. Qeveria është bindur nga rekomandimet e akuzës qendrore, dhe të misioneve të huaja të asistencës ligjore sipas së cilave, lëvizja e këtyre OPGJ-ve do të prishte mjaft dosje që janë nën hetim. Burime zyrtare nga Ministria e Drejtësisë thanë për gazetën “Shqip” se drafti i ri që po përgatitet në Drejtorinë e Kodifikimit do të sjellë vetëm disa ndryshime në ligjin aktual dhe do të bazohet sipas një marrëveshjeje midis Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme, në mesin e vitit 2008. Pas problemeve të shumta të oficerëve të policisë gjyqësore, qeveria ndërmori disa javë më parë nismën për krijimin e një strukture të posaçme hetimore, ku do të përcaktohen të gjitha modalitetet e punës së tyre. Aktualisht, “hetuesia” ka varësi të dyfishtë nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Përgjithshme. Por funksionimi në këtë mënyrë ka sjellë probleme të shumta, pasi puna e OPGJ-ve nuk është përcaktuar në një ligj të veçantë, por në një memorandum të firmosur nga ish-ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, sot ministër i Drejtësisë dhe nga Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama.

Qeveria

Ministria e Drejtësisë tha se është dukë për disa ndryshime dhe duke marrë mendime për ligjin “për policinë gjyqësore”. “Jemi duke punuar me Ministrinë e Brendshme dhe Prokurorinë e Përgjithshme për këto ndryshime. Nuk do të jetë një ligj i ri, por disa ndryshime në ligjin ekzistues”, thanë zyrtarë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, të pyetura nga gazeta “Shqip” për ligjin e “hetuesisë”. Sipas tyre, në draftin që po përgatitet, nuk do të futet tek e drejta e hetimit, pasi Kushtetuta e përcakton qartë se “prokuroria kryen hetime”. “Për sa kohë kërkohet një komunikim i drejtpërdrejtë midis OPGJ-ve dhe prokurorit në një çështje, çka deri më tash ka qenë e rregulluar më një urdhër të prokurorit dhe ministrit, ne kemi menduar ta bëjmë më praktikë këtë nismë, që këtë ta reflektojmë me ligj”, thanë burimet zyrtare nga Ministria e Drejtësisë, duke shtuar se synimi është respektimi i këtyre procedurave të këtij memorandumi, i cili gjatë këtyre dy viteve ka pasur një efekt pozitiv. Pyetjes nëse oficerët e policisë gjyqësore që janë në marrëdhënie pune me prokurorinë do të lëvizin drejt Policisë së Shtetit, burimet zyrtare nga Ministria e Drejtësisë thanë se “varësia e tyre do të jetë siç ka qenë e parashikuar në ligjin e mëparshëm dhe në memorandumin që është firmosur në vitin 2008”. Pra, ligji i ri, krahas varësisë së OPGJ-ve do të përcaktojë edhe ulje dhe ngritjet në detyrë, detyrat e një hetuesi në një procedim penal, marrëdhënia me prokurorin, me zyrtarët e policisë e të tjera modalitete që po diskutohen në një grup të përbashkët midis Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Drejtësisë.

“Hetuesia”

Reforma në sistemin e drejtësisë do të rikthejë në fjalorin e juristëve termin “hetuesi”, për të përkufizuar një strukturë të njohur deri tani si policia gjyqësore, e cila para viteve ‘90 përdorej për ngritjen e akuzave ndaj të dënuarve politikë. Nisma më e re e qeverisë “Berisha” është rihartimi i ligjit për oficerët e policisë gjyqësore, që kanë varësi të dyfishtë nga prokuroria dhe Ministria e Brendshme, ndërsa me ligjin e ri që po merr formë në Ministrinë e Drejtësisë do të përcaktohet çdolloj varësie ndaj institucioneve. Prokurorët do të drejtojnë hetimet dhe do të japin urdhra konkretë për oficerët e policisë gjyqësore. Pas fillimit të hartimit të këtij ligji, organi i Prokurorisë së Përgjithshme ka shprehur gatishmërinë që të asistojë në grupin e ekspertëve, për të shfaqur mendimet për ndryshimet që do të realizohen. Ekspertët e prokurorisë i kanë rekomanduar Drejtorisë së Kodifikimit në ministri të gjitha praktikat ligjore të vendeve perëndimore dhe funksionimin e kësaj strukture në kohën e diktaturës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›