“PS-ja dhe Edi Rama po sillen si pengmarrës të Ligjit dhe Kushtetutës”

Reagon deputeti demokrat Edi Paloka, “Projektligjet synojnë sfidimin e vendimeve të gjykatës”
Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, deklaron se vetëm ligji dhe Kushtetuta do të prevalojnë në shqyrtimin që Kuvendi do t’i bëjë dy draft-propozimeve të opozitës. Një nga këto propozime parashikon miratimin e një ligji të posaçëm, i cili të mundësojë hapjen e kutive të votimit. Partia Demokratike deklaron edhe njëherë se
për projektligjet e depozituara nga PS do të zbatohet ligji dhe për bazë do jetë vetëm Kushtetuta. Shumica parlamentare shprehet e vendosur për të anashkaluar çdo tendencë që shkon në kah të kundërt me verdiktin e ligjit dhe Kushtetutës.
“PS ka paraqitur një projektligj, sipas të cilit të hidhen poshtë të gjitha gjykatat, Gjykata e Apelit, Kolegji Zgjedhor, Gjykata Kushtetuese dhe të krijohet një komision hetimor, i cili do të ketë fuqi mbi të gjitha gjykatat dhe do të marrë vendim mbi bazë të këtij ligji të ri, sepse është një ligj që nuk ka ekzistuar dhe që në këtë moment del që kemi të drejtë ne, sepse ata duhet të propozojnë një ligj për të hapur kutitë, ndërkohë që deri dje kanë thënë se ne kemi të drejtë ligjore dhe në bazë të ligjit ekzistues ne mund t’i hapim kutitë. Po kërkojnë të krijojnë një grup hetimor që të jetë sipër të gjitha gjykatave, por një grup i tillë me deputetë i bie që nesër të mblidhet një grup tjetër hetimor dhe të vendosin të lirojnë, p. sh.:, Aldo Baren, ose të vendosi të marri çdo lloj vendimi kundër çdo lloj vendimi gjykate. Megjithatë, pa paragjykuar, duhet të presim ta shqyrtojmë draftin që na kanë paraqitur dhe në bazë të kushtetutës të ligjit dhe të rregullores së parlamentit, do të veprojmë”, u shpreh deputeti Paloka.
Paloka akuzon kryesocialistin në detyrë, se po sillet si pengmarrës, referuar gjithë sjelljes së tij politike që prej përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
Edi Rama thotë se ligji nuk më jep të drejtë, votat e shqiptarëve nuk më japin të drejtë, gjykatat nuk më japin të drejtë, atëherë unë bëj protesta, unë pengoj integrimin, unë nuk i lejoj të liberalizohen vizat, nëse ju nuk më jepni ato që kërkojë unë. Kjo është pikërisht sjellja e një pengmarrësi. Dhe me pengmarrësit në asnjë vend demokratik nuk ka marrëveshje. Nuk dialogohet, sepse ne nëse biem ‘pre’ e presionit sot, nesër do të dalë një pengmarrës tjetër, do kërkojë diçka tjetër dhe historia e këtij vendi mund të shkojë për mbrapsht. Edi Rama po sillet si një pengmarrës, pavarësisht se nuk është realisht në pozitat e pengmarrësit, sepse nuk mban dot gjë peng ai, nuk tremb njeri as me protesta, as me mungesë integrimi”, deklaroi më tej, Paloka.
Deputeti demokrat komentonte dhe tezën e hedhur nga PS dhe aleatët e saj, për zgjedhje të parakohshme, në rast të mos pranimit nga mazhoranca të kushtit për hapjen e kutive të votimit. Paloka e cilëson artikulimin e këtij opsioni si tepër absurd.
“Sipas kësaj teorie çdo parti politike që do të humbasë zgjedhjet, mund të bëjë bojkot me qëllim që mbas një viti të mund të bëjë zgjedhje përsëri. Që të bëhn zgjedhje të parakohshme, duhet të ketë krizë institucionale, duhet që të mos funksionojnë institucionet, por kjo gjë nuk ka ndodhur. Parlamenti është duke funksionuar plotësisht, qeveria po punon mrekullisht, të gjitha institucionet e tjera funksionojnë po mrekullisht. Atëherë pse duhet të bëhen zgjedhje? Sepse i pëlqen Skënder Gjinushit, Spartak Ngjelës dhe Edvin Ramës? Unë kur i dëgjoj ata, gjë më qesharake në botë, madje edhe për shqiptarët, nuk mund të ketë”, deklaroi më tej, deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka.
...