LSI: Mjaft me Shaçka-t, zgjidhjet s’duhet të vijnë nga rruga
Reagon nënkryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto, kërkon të nisë puna për përmirësimin e Kodit Zgjedhor, jo me ligje shtesë apo shaçka politike që vijnë nga rruga, por me propozime të mirëfillta në parlament e në komisione ekspertësh
Lëvizja Socialiste për Integrim shprehet se palët politike duhet t’i japin fund problematikës së zgjedhjeve, përmes angazhimin institucional për fillimin sa më parë nga puna për hartimin e reformës së re zgjedhore. LSI thekson se është i panevojshëm kërcënimi i PS-së për përmirësimin e ligjeve, në një kohë kur nuk merr pjesë në punimet e Kuvendit dhe për më tepër ulëret nga rruga.
Nënkryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto, deklaron se debati politik i muajve të fundit për problematikën e zgjedhjeve të 2009-ës, duhet të marrë një drejtim të ri.
“Të fillojë sa më parë të reformës zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme. Zgjedhje të lira e të ndershme, konkurrimi i ndershëm dhe i barabartë për të gjithë, proces i pakontestuar nga partitë pjesëmarrëse dhe gjithë përfshirja e tyre, garantohet vetëm me një kuadër ligjor sipas standardeve ndërkombëtare, pra me një Kod Zgjedhor sipas këtyre standardeve. Duke njohur gjithë secili përgjegjësitë përkatëse në hartimin e Kodit Zgjedhor të kaluar, është momenti të tregohet maturi politike dhe angazhim institucional për të filluar një proces gjithëpërfshirës në përmirësimin e Kodit dhe standardeve për zgjedhjet e ardhshme. Ligjet nuk përmirësohen duke bërtitur nga rruga dhe as duke hedhur ‘shashka’ politike!”, u shpreh zyrtari i lartë i LSI-së, Haxhinasto.
Sipas tij, angazhimi apo tërheqja para një përgjegjësie të tillë do të tregojnë më së miri nëse motivet e opozitës janë përsosja e standardeve të zgjedhjeve apo provokimi i krizës politike.
Lëvizja Socialiste për Integrim bën thirrje për fillimin sa më parë të përmirësimit të reformës zgjedhore dhe heqjen dorë nga qëndrimet dashakeqe që lidhen me zgjedhjet e kaluara. LSI bën me dije se ka ardhur momenti që të tregohet maturi politike dhe njëherazi një angazhim institucional, për të filluar një proces gjithëpërfshirës, që të synojë përmirësimin e kodit dhe standardet themelore të zgjedhjeve të ardhshme.
“LSI ka filluar punën për përgatitjen e një platforme për përmirësimin e Kodit Zgjedhor duke riparuar defektet e vëna re gjatë zgjedhjeve të 2009-ës dhe duke zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it në raportin e saj përfundimtar. Këto propozime do të paraqiten në mënyrë institucionale në Parlament”, deklaroi Haxhinasto.
...