E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetuesit e prokurorisë do të kalojnë në policinë gjyqësore

Reforma pritet të kapë rreth 100 hetues që janë atashuar pranë akuzave në rrethe dhe krime të rënda

Projektligji i ri për policinë gjyqësore, që po merr formë në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, do të largojë nga radhët e prokurorive rreth 100 oficerë të policisë, të cilët janë pranuar në detyrë me miratimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Në këto momente ata kanë varësi të plotë nga organi i akuzës dhe ndihmojnë prokuroritë e rretheve dhe krimeve të rënda në hetimin e procedimeve penale. Ata janë sistemuar në zyra pranë prokurorive, ndërsa nga burimet e gazetës mësohet se në draftin që po hartohet, hetuesit do të kalojnë në varësi të Ministrisë së Brendshme. Megjithatë, detyra e tyre do të jetë hetimi i procedimeve penale dhe duke marrë urdhra nga prokurori, do të hartojnë dosjen e plotë me të gjitha elementet. Një pjesë e mirë e oficerëve të policisë gjyqësore që kishin marrëdhënie financiare me Ministrinë e Brendshme kanë kaluar në varësi të policisë pas një memorandumi bashkëpunimi midis ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, dhe kryeprokurores Ina Rama. Zbatimi organik i këtij memorandumi, i cili do të kthehet në ligj tashmë, ka lëvizur qindra oficerë të policisë gjyqësore në shkallë vendi, të cilët punonin të atashuar pranë prokurorive në rrethe, edhe pse në aspektin organik vareshin nga Policia e Shtetit dhe paguheshin nga buxheti i kësaj të fundit. Memorandumi parashikonte zhvendosjen e hetimeve nga prokuroria në polici. Hetimet e dosjeve penale do të bëhen në polici, madje edhe fashikujt që përmbajnë provat dhe materialet e dosjeve do të mbahen në komisariatet dhe drejtoritë e policisë. Bashkëpunimi polici-prokurori filloi të zbatohej disa javë pas marrëveshjes dhe më pas është kthyer gjithçka si më parë, ku askush nuk mbante përgjegjësi për një procedim penal. Në këto kushte lindi nevoja që memorandumi të kthehej në ligj dhe hetimi i dosjeve penale të bëhet në polici, ndërsa prokurorët do të kenë vetëm të drejtën e kontrollit të hetimit dhe verifikimit të ligjshmërisë së veprimeve procedurale të hetuesve të policisë për zbulimin dhe mbledhjen e provave mbi krimet dhe veprat penale.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›