Hezbollah nxit protesta të reja kundër SHBA-së

Sheiku Hassan Nasrallah bëri të ditur se “myslimanët nuk do të qëndrojnë të heshtur para këtij ofendimi të rëndë”, duke iu referuar filmit që ka shkaktuar protesta të shumta në botën arabe, pasi ofendon profetin Muhamed dhe fenë islame.
Në një fjalim për televizionin e Hezbollahut, Al-Manar, Nasrallah apeloi për protesta të reja gjatë kësaj jave që do të nisin në Bejrut, një fortesë e Hezbollahut.
“Filmi është ofendimi më i rrezikshëm që i është bërë ndonjëherë Islamit. Është më keq se romani i Selman Ruzhdi “Vargjet Satanike” dhe karikatura e profetit Muhamed, që u publikua në një gazetë daneze në vitin 2005”, theksoi sheiku Nasrallah.
“Meritojnë dënim ata që janë përgjegjës për filmin dhe ata që qëndrojnë pas tyre duke i mbështetur. Mbështetësit kryesorë dihet që janë SHBA-të”, shtoi kreu i Hezbollah.
Protestat janë përqendruar në ambasadat dhe konsullatat amerikane për faktin se filmi është prodhuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas BBC, të dielën një person ka vdekur në përleshjet mes protestuesve dhe policëve në Pakistan.
Filmi “Pafajësia e Myslimanëve” është një prodhim shumë i dobët, që e përshkruan profetin Muhamed si një njeri të etur për pushtet dhe të çmendur. Gjithashtu në film ka skena ku tregohet profeti Muhamed duke bërë seks me gruan e tij dhe me shumë gra të tjera.
Protestat vazhduan edhe në shtetet tjera myslimane. Më shumë se një mijë afganë kanë protestuar para bazave të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kabul.
Dy makina policie janë djegur dhe nga turma është shtënë me armë zjarri ndaj agjentëve, të cilët nuk janë kundërpërgjigjur.
Sipas BBC, shefi i policisë së Kabulit është lënduar nga një gur i hedhur nga demonstruesit.
Në Xhakartë të Indonezisë, qindra njerëz janë përleshur me policinë, para shpërndarjes, pasi policia ka përdorë topa uji dhe pasi ka shtënë në ajër në shenjë vërejtjeje.
Në qytetin Medan të Indonezisë, protestuesit e kanë shkelur flamurin amerikan.
Në Jemen studentët kanë demonstruar jashtë Ambasadës amerikane dhe kanë kërkuar dëbimin e ambasadorit amerikan.
Numri i të vrarëve në këtë valë të protestave ka arritur në 18.
Në Libi, ministri i Brendshëm, Favzi Abdel Al, e ka qartësuar numrin e arrestimeve, që janë bërë lidhur me sulmin vdekjeprurës në Konsullatën e Shteteve të Bashkuara në Bengazi, javën e kaluar.
Ai theksoi se janë arrestuar katër persona, që është numër shumë më i vogël se ai i paraqitur nga lideri i Kongresit Kombëtar të Libisë, Muhamed Magarief, që pat thënë se numri i të arrestuarve është 50.
Ministri i Brendshëm tha se me gjasë, numri 50 kishte të bënte me numrin e personave të kërkuar për hetime.
Nga sulmi i së martës në qytetin Bengazi të Libisë, u vra ambasadori amerikan dhe tre shtetas të tjerë të Shteteve të Bashkuara.