E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr në Këshillin Bashkiak, një punonjëse i bie të fikët

09/12/2009  Dështon sërish mbledhja jashtë radhe, konfrontohen këshilltarët

Punonjësit e pastrim gjelbërimit përplasje fizike, nuk u japin rroga

PATOS- Sërish tension dhe dhunë verbale ndaj këshilltarëve të Këshillit Bashkiak të Patosit nga ana e punonjësve të pastrim-gjelbërimit në këtë qytet. 15 këshilltarë hartues të kërkesës për mosbesim ndaj kreut të Këshillit Bashkiak të Patosit, Maksim Goga kanë kërkuar mbledhjen jashtë radhe të këtij Këshilli. Në qendër të rendit të ditës kishin përcaktuar kërkesën për heqjen e kreut të këshilltarit të Këshillit Bashkiak si dhe miratimin e fondit për pagat e punonjësve të pastrim-gjelbërimit të qytetit të Patosit, fonde për pagën ushqimore të kopshteve dhe çerdheve etj. Sekretari i Këshillit Bashkiak, Balil Balili, thotë se zhvillimi i mbledhjeve është i ligjshëm.

“Kemi pasur një kontakt prej 4 orësh me kreun e Bashkisë i kemi depozituar kërkesën madje bërë me dije edhe në komisariatin e policisë për të zhvilluar normalisht mbledhjen, sepse zhvillohet jashtë radhe në kushtet e një emergjence, se Këshilli Bashkiak është i shqetësuar për të trajtuar problemet emergjente që ka në qytet në lidhje me pagën e punonjësve të pastrimit dhe një mocion mosbesimi që kanë bërë 15 këshilltarë”, -ka thënë Balili. Por kjo mbledhje është kundërshtuar nga kreu socialist i Këshillit Bashkiak të Patosit, Maksim Goga, i cili e ka cilësuar këtë mbledhje të paligjshme. “Nuk jam dakord për zhvillimin e kësaj mbledhjeje të Këshillit Bashkiak, ka thënë Goga. Unë me autoritetin që më jep ligji për funksionimin e pushtetit vendor dhe Këshilli Bashkiak Patos i zgjedhur para 3 vjetësh, nuk kam thirrur për mbledhje”. “Në bazë të pikës 4 të ligjit për funksionimin e pushtetit vendor, mbledhje jashtë radhës e thërret kryetari i Këshillit të Bashkisë me lajmërim të paktën 5 ditë përpara takimit me kryetarët e grupeve. Kërkesa e një të tretës së këshilltarëve tek unë si kryetar i Këshillit Bashkiak, nuk është depozituar”,-ka thënë Goga. Pasi kanë pritur rreth 30 minuta në ambientet e jashtme të Bashkisë Patos, këmbëngulja e këshilltarëve të djathtë ka bërë të mundur hapjen e sallës së mbledhjeve të Këshillit Bashkiak. Së bashku me këshilltarët, në sallë janë futur edhe punëtorët e ndërmarrjes së pastrim-gjelbërimit, të cilët presin miratimin e fondit për pagat e tyre të papaguara.

Pjesëmarrja e punëtorëve të pastrim-gjelbërimit në sallë ka krijuar tension. Ende pa filluar mbledhja punonjësit kanë kërkuar miratimin e fondit të pagave të tyre. Të irrituar nga ky fakt ata kanë ushtruar dhunë verbale ndaj këshilltarëve. Të detyruar në këto kushte këshilltarët kanë thërritur Policinë e Rendit, por kjo e fundit ka hasur në kundërshtim të Policisë Bashkiake që nuk ka lejuar ndërhyrjen e forcave të rendit. Pas tensionit të krijuar, një punonjëse e pastrim-gjelbërimit ka humbur ndjenjat dhe kjo shtetase është larguar menjëherë me automjetin e Policisë Bashkiake të Patosit, në spitalin e qytetit të Patosit për të marrë ndihmën mjekësore.

Në sallë kanë filluar debatet, ndërkohë që mbledhja jashtë radhe e këshilltarëve të djathtë ka dështuar sërish, kësaj here pa filluar ende.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›