E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet, policia kërkon ndihmën e vendorëve

09/12/2009  Prezantohen në prefekturë shqetësimet e rrugorëve, ku janë akset më problematike

ELBASAN- Drejtori i Policisë së Elbasanit ka bërë prezent gjatë një takimi të drejtuesve lokalë akset më problematike ku ndodhin aksidente të rënda me pasoja si dhe nevojën për të ndërhyrë në segmente të ndryshme për parandalimin e tyre.

Problematika

Sajmir Muça e ka nisur raportin e tij me segmentin problematik në dalje të Paprrit ku një muaj më parë përfundoi në lumë drejtuesi i mjetit, i cili gjeti vdekjen. Por në këtë pjesë rruge ky nuk është aksidenti i vetëm. Muça tha se në këtë pjesë mungojnë elementët fosforeshentë dhe tabelat që lajmërojnë rrezikun. Po kështu rënia e gurëve në aksin e Librazhdit dhe sinjalistika e dobët paralajmëruese janë një tjetër problem për rrugën nacionale. Drejtoria e Policisë ka ngritur si shqetësim edhe vendosjen e tabelave të reklamave në anë të rrugës me fuqi të madhe ndriçuese që çorientojnë drejtuesit e mjeteve dhe bëhen shkak për aksidente. Por problemet për drejtuesit dhe Policinë Rrugore nuk kanë përfunduar këtu. Sipas Muçës, edhe tregu fshatar që zhvillohet në Pajovë-Peqin, por edhe në segmente të tjera gjithashtu konsiderohen si mundësi që mund të sjellin aksidente. Policia përcakton edhe segmente të vështira të rrugëve rurale si në Stravaj, Polis, Kukër etj. Këto shqetësime të ngritura sipas drejtorit bëhen shkak për shtimin e numrit të aksidenteve dhe duhen marrë masa të menjëhershme. Shqetësimet e ngritura nga Drejtoria e Policisë janë bërë pjesë e tryezës së prefektit. Pritet që ato të analizohen nga drejtoritë e rrugëve, si dhe me njësitë vendore për një zgjidhje. Gjithashtu segmente nacionale kanë edhe probleme të tjera që shpesh bëhen shqetësim për drejtuesit e mjeteve dhe sidomos për ata që e njohin pak rrugën. Kështu segmenti Elbasan-Peqin ka probleme dhe gabime në vijëzim dhe në shumë zona të banuara mungojnë tabelat paralajmëruese. Së fundi, edhe përdorimi i mjeteve të prindërve nga ana e fëmijëve që në shumicën e rasteve kanë sjellë aksidente. Muça u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve prindër të adoleshentëve të mos tolerojnë në asnjë rast për dhënien e mjetit në përdorim kur adoleshentët nuk kanë leje drejtimi, pasi pasojat janë të rënda dhe të pakthyeshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›