E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidhen bazat e hartës arkeologjike nënujore

Për tri javë me radhë, gjiri detar i Vlorës, ka qenë pika e radhës e kërkimeve nënujore arkeologjike në kuadër të projektit italo-shqiptar, "Liburna". Ekspedita që zgjati nga 25 korriku deri më 9 gusht të këtij viti ka hedhur bazat për realizimin e hartës arkeologjike në katër zona ujore nga Durrësi deri në Sarandë. Vitin e ardhshëm do të fillojmë zhytjet kërkimore edhe pranë Durrësit, ndërsa po përgatitet edhe ngritja e një kantieri arkeologjik në brigjet e Vlorës. Që nga viti 2007 kur ka nisur të materializohet ky projekt janë zbuluar me dhjetëra objekte të rëndësishme që nga antikiteti e deri në Mesjetën e vonë, por mbi të gjitha është krijuar baza për fillimin e turizmit arkeologjik nënujor. Dje, njëri prej drejtuesve të projektit, dr. Adrian Anastasi, u shpreh se rezultatet e këtyre kërkimeve nuk ndalen vetëm në rrafshin akademik, por mundësojnë nismën për krijimin e siteve nënujore, falë bashkëpunimeve të gjëra dhe projekteve të përfshira në UNESCO. Gjithashtu, e rëndësishme për të është edhe bashkëveprimi që ka nisur mes strukturave shkencore arkeologjike me policinë kufitare bregdetare dhe rojën bregdetare të forcave tona detare për bllokimin e grabitjes së objekteve të rëndësishme arkeologjike që ndodhen nën ujë. Sipas tij, pasuritë antike dhe mesjetare që fshehin detet Jon dhe Adriatik mund të jenë në të ardhmen pjesë e guidave nënujore, gjatë të cilave turistët mund të zhyten për të vëzhguar nga afër objektet arkeologjike dhe pse jo, ndoshta edhe një muze të vogël nënujor ku do të ekspozohen enë prej qeramike, amfora, spiranca anijesh të mbytura etj. Ndërkaq, drejtuesi i palës italiane i projektit, prof. Giuliano Volpe, tha se gjiri detar i Vlorës paraqitet si një port i madh, ku në të gjitha periudhat nuk mungojnë vendet e ankorimit të anijeve si në gadishullin e Karaburunit dhe në zonën e bregut të Vlorës. Porto Palermo ishte gjiri detar që u bë objekt i fushatës së parë arkeologjike nënujore për tri javë radhazi në gusht të vitit 2007. Materialet arkeologjike të zbuluara janë depozituar tashmë në Muzeun e Durrësit dhe përfshijnë një periudhë kohore gati 2-mijëvjeçare. Amfora korintike, greko-romane, të tjera të ardhura nga ishulli i Rodit, madje edhe nga bota siro-palestineze janë dëshmi e shkëmbimeve të fuqishme tregtare mes porteve të brigjeve të Ilirisë jugore më ato të Mesdheut dhe më gjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›