E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekretari i NATO-s, Rasmussen, më 13 gusht në Kosovë

Kosova duket se është një nga prioritetet e sekretarit të ri të NATO-s, Anders Rasmussen. Vizitën e tij të dytë në këtë cilësi, ai do ta realizojë në Kosovë. Të enjten, më 13 gusht, ish-kryeministri i Danimarkës do të qëndrojë në Prishtinë, ku do të takohet me lidershipin e Kosovës dhe komandantin e KFOR-it.

Gjatë kësaj vizite ai do të njihet me situatën e sigurisë në Kosovë nga komandanti i KFOR-it, Giuseppe Emilio Gay, si dhe do të zhvillojë takime me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiun, Kryeministrin Hashim Thaçi, dhe me ministrin e Forcës së Sigurisë, Fehmi Mujotën. Kjo është vizita e dytë e Rasmussen-it në cilësinë e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, disa ditë pas vizitës në Afganistan, ku inspektoi trupat paqeruajtëse të aleancës veri-atlantike. Ditën e parë të mandatit të tij Rasmussen u shpreh në Bruksel se synon që, brenda pesë vitesh, prania ushtarake e NATO-s në Kosovë të reduktohet ndjeshëm. Sipas tij, brenda një harku kohor do të krijohen të gjitha rrethanat që NATO-ja të mos ketë nevojë të mbajë numrin aktual të trupave në Kosovë. "Synimi im është që deri në fund të mandatit ta shoh KFOR-in të reduktuar në një forcë të vogël reaguese. Nuk duhet të ngutemi dhe nuk duhet të synojmë për një afat të shkurtër. Por besoj se në një të ardhme të afërt do të krijohen kushtet që KFOR-i të tërhiqet me sukses", u shpreh Rasmussen. Aktualisht KFOR-i në Kosovë numëron rreth 13.500 trupa që vijnë nga mbi 30 shtete anëtare dhe partnere të NATO-s, kurse deri në fund të këtij viti, numri i trupave ushtarake në Kosovë pritet të reduktohet në 10 mijë. Vizita e tij e parë në Kosovë, në cilësinë e kreut të NATO-s, vjen vetëm dy javë pasi ai mori detyrën nga diplomati holandez, Jaap de Hoop Scheefer.

Megjithëse ishte parashikuar se Scheefer do të vinte për një vizitë lamtumire në Kosovë, më 27 korrik, tri ditë para se të largohej nga posti, por këtë nuk ia ka mundësuar një ndërhyrje kirurgjikale, të cilën e kishte bërë në dy javët e fundit të mandatit. Aktualisht NATO-ja mban në Kosovë një forcë paqeruajtëse prej 13.500 ushtarësh nga më shumë se 30 vende, mision që është instaluar në vend që nga qershori i vitit 1999. Pritet që deri në fund të vitit, numri i ushtarëve në KFOR të jetë jo më i madh se 10 mijë, për shkak se disa shtete kanë paralajmëruar tërheqje të njëanshme të kontingjenteve të tyre ushtarakë. Në postin e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ish-kryeministër i Danimarkës, është përzgjedhur samitin e fundit të krerëve të shteteve dhe qeverive të aleancës në pranverë të këtij viti.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›