E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikonstruktohet skena e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës

Ka nisur rikonstruktimi i skenës së Festivalit Folklorik Kombëtar, i cili do të zhvillohet në Gjirokastër. Me një fond prej 3 milionë lekësh, akorduar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, rikonstruksioni i skenës së kalasë shënon dhe ndërhyrjen e parë në këtë objekt, në kuadër të Festivalit që do të organizohet nga 24-29 shtator në qytetin jugor. Ndërhyrjet kanë filluar disa ditë më parë në skenën e festivalit, pasi aktualja ndodhet në parametra të kalbëzuar. Dekori i festivalit do të përgatitet nga skenografët, të cilët kanë nisur të ndryshojnë pamjen e skenës për festivalin e këtij viti. Një ndërhyrje tjetër, është realizuar edhe në muret rrethuese të kalasë, që prej vitesh janë veshur nga bimësia dhe që sipas mjeshtërve të gurit gjirokastrit, janë burim potencial i deformimit të bedenave të kështjellës. Pjesa lindore e kalasë është pastruar nga bimësitë e ndryshme dhe në pah kanë dalë gurët, ashtu siç është ndërtuar kalaja shekuj më parë. Festivali Folklorik Kombëtar organizohet një herë në 5 vjet. Edicionin e kaluar në këtë aktivitet morën pjesë mbi 1 mijë pjesëmarrës nga të gjitha trevat shqiptare në mbarë botën. Ndërsa këtë edicion ata pritet të jenë më të shumtë në numër, pasi do të marrin pjesë edhe përfaqësues të folklorit shqiptar përtej kufijve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë. Festivali Folklorik Kombëtar është zhvilluar fillimisht në qytetin e Tiranës në vitin 1957 me siglën "Festivali Kombëtar i Këngës, Muzikës dhe Valles". Për herë të parë në Gjirokastër ky aktivitet u zhvillua në vitin 1968, për t‘u organizuar çdo 5 vjet deri në vitin 1988. Në vitin 1995, Festivali u zhvillua në kalanë e qytetit të Beratit dhe në vitin 2000 u rikthye në qytetin e Gjirokastrës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›