Hidhen nga pallati dy gra, njëra vdes
Një grua i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga pallati në Tiranë, ndërkohë që një tjetër ka tentuar të kryejë të njëjtin veprim, por ka shpëtuar. Sipas policisë, Shqipe Mustafa, nëna e një djali 3-vjeçar, është hedhur nga ballkoni i katit të 6, duke vdekur në vend. Sipas policisë, 35-vjeçarja mendohet se ka qenë në shtëpi vetëm me të birin, kur është hedhur nga dritarja e dhomës së gjumit, pikërisht te “Kulla 7” e pallateve “Almak” në rrugën “Don Bosko”. Gruaja me profesion rrobaqepëse e ka kryer këtë akt rreth orës 19:30. Kunata e saj që ka dëgjuar fëmijën të qajë, ka shkuar në banesë dhe ka qenë e para që ka lajmëruar ambulancën, duke e dërguar Mustafën në spital, ku punonte edhe i shoqi si infermier. Ajo ka ndërruar jetë rrugës, ndërkohë që policia ka nisur hetimet në lidhje me motivin që e ka shtyrë drejt këtij akti të rëndë.
Nga ana tjetër, pothuajse në të njëjtën kohë ka tentuar t’i japë fund jetës edhe një grua tjetër. Albana Vreto, që jetonte me të atin në një pallat të vjetër përballë “Samsung”-ut te “Rruga e Kavajës”. 39-vjeçarja është hedhur nga kati i katërt i pallatit dhe menjëherë është dërguar me urgjencë në spital. Sipas të dhënave policore, pas ndërhyrjes së mjekëve, gjendja ka qenë e stabilizuar, por nuk është dhënë siguri për jetën. Sipas hetimeve, ajo mendohet se kishte probleme depresioni prej vitesh dhe nga kjo ka tentuar t’i japë fund jetës.
#