Maturantët e shkollës Raqi Qirinxhi, në protestë
Maturantët e shkollës së mesme të përgjithshme “Raqi Qirinxhi” në Korçë kanë bojkotuar mësimin, duke dalë kundër trajtimit me koeficient të ulët, për shkak të sistemit shkollor dygjuhësh shqip-frëngjisht. Maturantët thonë se janë përjashtuar nga trajtimi si të gjitha shkollat e mesme, duke i trajtuar me një koeficient të ulët dhe jo me koeficientin 1.4 që rrezikon njëkohësisht uljen e pikëve për pranimin në universitet. Ata shtojnë se u hiqet e drejta e konkurrimit të barabartë me maturantët e tjerë. Sipas tyre, edhe pse shkolla nuk është profesionale, por është një shkollë e mesme e përgjithshme, është trajtuar ndryshe, në një kohë që nxënësit e saj krahas programit si gjimnazet e tjera kryejnë edhe 1400 orë shtesë në gjuhë të huaja. Maturantët thonë se për këtë shkollë është caktuar koeficienti më i ulët 1, ndërkohë që shkolla funksionon në profilin natyror, si shkollë e mesme e përgjithshme. “Ne rrezikojmë shkollën e lartë, për faktin se me këtë koeficient kaq të ulët, edhe pse e kemi mesataren e lartë, na rrëzohen automatikisht një mijë pikë, në një kohë kur kemi kryer shkollën e mesme njëlloj si gjithë maturantët e tjerë krahas profilit të gjuhës së huaj në seksionin shqip-frëngjisht. Në bazë të programit jo vetëm që duhet të trajtohemi me koeficientin 1.4, por duhet ta kemi edhe më të lartë, për shkak të specifikës që ka kjo shkollë me 1400 orë më shumë se të tjerat, pasi lëndët i kemi bërë edhe në gjuhën frënge”, thotë një nga maturantet. “Për këtë arsye ne kemi vendosur të bojkotojmë mësimin derisa ministria të vendosë ndryshimin përkatës”, shprehen maturantët e shkollës “Raqi Qirinxhi”. Drejtori i shkollës, Vladimir Prifti, thotë se trajtimi i veçantë i kësaj shkolle ka qenë i padrejtë, si pasojë e mosnjohjes së programit që kryhet në këtë gjimnaz, duke rrezikuar jo vetëm që maturantët të mos vijojnë arsimin e lartë sipas preferencave, por, nga ana tjetër, duke rrezikuar që nxënësit korçarë të mos ndjekin më liceun francez, për shkak të këtij problemi. “Kjo shkollë ka specifikë të veçantë dhe njihet si një nga shkollat e mesme me rezultate më të larta. Problemi qëndron me trajtimin e kësaj shkolle si të profilizuar, pra jo për shkenca natyrore, por të profilit social apo më shumë si pedagogjike, kur nuk është një shkollë e tillë. Maturantët kanë të drejtë, pasi kjo ka ardhur si pasojë e mosnjohjes së programit që kryhet në këtë shkollë të mesme, duke i trajtuar ata me një koeficient të ulët që u rrëzon shumë pikë për aplikimin në arsimin e lartë”, shprehet Prifti. Sipas tij, ankesat i janë drejtuar Drejtorisë Rajonale të Arsimit për të ndërhyrë në Ministrinë e Arsimit. Edhe vetë maturantët i kanë drejtuar ankesa drejtorisë arsimore për të zgjidhur përmes Ministrisë së Arsimit këtë problem me koeficientët. Gjimnazi “Raqi Qirinxhi” është një nga shkollat e mesme me rezultate më të larta në rang vendi dhe nxënësit, pavarësisht nga mesatarja e lartë, rrezikojnë të mos zgjedhin degët e preferuara për arsimin e lartë universitar.
#