Hidhet në det me kokë, vdes i riu
FATKEQËSIA
DURRËS - Një 22-vjeçar ka ndërruar jetë pas dëmtimit të shtyllës kurrizore si rrjedhojë e një hedhjeje me kokë në det. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së hënës rreth orës 17:50 në plazhin e Rrushkullit. Burime nga policia bënë të ditur se viktimë ka mbetur Qatip Ferhati, banor i fshatit Rrushkull.
I riu është futur në det e më pas për ta shijuar edhe më tepër notin, ka bërë hedhje me kokë. Por një gjë e tillë ka bërë që ai të dëmtojë shtyllën kurrizore gjatë rënies. Në momentin kur ka ndodhur ngjarja, disa persona i janë afruar 22-vjeçarit për t'i dhënë ndihmën e parë. Ai është marrë me automjet dhe ndihmësit i janë drejtuar spitalit të Durrësit.
Por Ferhati ka ndërruar jetë rrugës për në spital, pa mundur t'i mbijetojë dëmtimit vetëm disa kilometra pasi ishin nisur. Ndërkohë, nga ana e policisë janë marrë në pyetje njerëzit që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes, teksa po hetohet për një sqarim të mëtejshëm të rrethanave të vdekjes së 22-vjeçarit Qatip Ferhati nga zona e Rrushkullit.