E Shtunë, 31 Tetor 2026

Helmimet nga ushqimet, shtohen pacientët

GJIROKASTËR/ Mjeku i urgjencës bën thirrje për të pasur kujdes për ushqimet e përdorura në këto temperatura


GJIROKASTËR- Dhjetëra pacientë të helmuar nga ushqimet apo të pickuar nga kandrra të ndryshme paraqiten çdo ditë në pavionin e urgjencës në spitalin rajonal "Omer Nishani". Gjendja është e tillë veçanërisht gjatë 10 ditëve të fundit.


Një pjesë e tyre në gjendje kritike për jetën, ndërsa mjekët bëjnë apel për kujdes dhe japin këshillat e nevojshme. Sipas mjekut të urgjencës, Laver Stroka, patologjitë e paraqitura janë të ndryshme.


Helmimet ushqimore janë më shqetësueset për momentin, por nuk mbeten pas edhe shqetësimet e pacientëve ndaj pickimeve të ndryshme, aksidenteve dhe me probleme kardiake.


Me secilën prej këtyre patologjive numri i pacientëve që marrin ndihmën mjekësore shkon nga 5-10 çdo ditë.


Personat në gjendje më të lehtë marrin mjekimin e nevojshëm dhe largohen, ndërsa pjesa tjetër i nënshtrohen mjekimeve më të specializuara.


"Veçanërisht gjatë ditëve të fundit ka pasur një fluks të lartë pacientësh me shenja të ndryshme ku mbizotërojnë helmimet nga ushqime të ndryshme dhe simptomat e shfaqura janë të vjellat, diarreja, temperaturat e lehta, etj.


Po kështu një numër të lartë përbëjnë edhe personat që janë pickuar nga insekte të ndryshme, si: akrepat apo merimangat, si dhe personat që vuajnë nga sëmundjet e zemrës", është shprehur Stroka.


Sipas tij, është mjaft e rëndësishme marrja e masave të menjëhershme dhe sensibilizimi i banorëve për të parandaluar dhe minimizuar pasojat e ndryshme që mund të shfaqen.


Është mjaft e rëndësishme, sipas bluzave të bardha, që përballë kësaj situate shqetësuese, kur dhe temperaturat kanë arritur pikun e tyre, të bëhet kujdes i veçantë në konsumimin e ushqimeve, si dhe të ujit të pijshëm.


Ndërkaq, po sipas të njëjtave informacione, nuk mbeten pas në këto ditë të nxehta edhe pacientët që shfaqin probleme të theksuara të zemrës, si dhe të aksidentuarit në aksidente rrugore.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›