E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidhet në erë dyqani i celularëve

• Shkatërrohet dyqani i celularëve në mes të Fushë-Krujës një muaj e gjysmë pas inaugurimit të tij.FUSHE-KRUJE / ROLAND NIKOLLIPak kohë pas mesnatës, qyteti është tronditur nga një shpërthim i fuqishëm, i cili veç objektivit ka shkaktuar dëme materiale dhe tek ndërtesat e tjera. Shumë pranë tij ndodhet filiali i një banke, i pajisur me kamera vëzhguese, prej të cilave shpresohet të arrihet në identifikimin e autorëve. Sasia e lëndës plasëse, e cila dyshohet të jetë prodhuar në mënyrë artizanale, ka qenë e konsiderueshme, bazuar te dëmtimi i godinave. Burime zyrtare të policisë së Fushë-Krujës bëjnë të ditur se shpërthimi ka ndodhur në orën 01:30 të ditës së djeshme, kur lënda plasëse ishte vendosur në hyrje të dyqanit të celularëve me pronar Miklovan Zallmin. Autorët, sipas policisë kanë përdorur një lëndë shpërthyese të përgatitur në kushte artizanale e më pas janë larguar me shpejtësi. Thuajse i gjithë dyqani në pronësi të Zallmit, banor i Valiasit në Tiranë është shkatërruar. Telefonat celularë si dhe pajisjet që përdoreshin për të riparuar celularët janë dëmtuar plotësisht. Sipas ekspertëve, dëme ka pasur dhe në bankën ngjitur si dhe në disa shtëpi banimi të zonës, ku xhamat janë thyer nga fuqia e eksplozivit. Megjithë mbërritjen e shpejtë të forcave të policisë së rajonit të Fushë-Krujës dhe Komisariatit të Krujës e Durrësit, autorët nuk janë ndaluar dot, pasi duke shfrytëzuar errësirën asnjë dëshmitar nuk i ka parë.I pyetur për ngjarjen, pronari i dyqanit, Miklovan Zallmi ka pohuar se nuk ka pasur asnjë konflikt me persona të tjerë. Ai ka treguar se e kishte hapur dyqanin rreth 1 muaj e gjysmë më parë për shitje e riparim celularësh. Nisur nga mohimi i konfliktit të drejtpërdrejtë të pronarit me ndonjë person, policia ka përqendruar hetimet tek pista e konkurrencës. Zallmi e kishte hapur dyqanin e marrë me qira në një zonë ku ekzistojnë dhe 4 dyqane të tjera me të njëjtin profil. Sipas burimeve të policisë janë shoqëruar 12 persona nga qyteti, të cilët janë marrë në pyetje për ngjarjen, por asnjë prej tyre nuk është ndaluar deri tani. Vlera e dëmit të shkaktuar pronarit të lokalit llogaritet të jetë mbi 2 milionë lekë, pasi vetë Zallmi ka pohuar se tregtonte telefona të shtrenjtë, krahasuar me të tjerët në qytet. Ndërkohë që burime të policisë së këtij qyteti bëjnë të ditur se po shikohet edhe mundësia e kontrollit të kamerave të bankës që ndodhej në afërsi të lokalit të celularëve, nëse ajo ka fokusuar personat që kanë vendosur eksplozivin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›