E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidhet në treg kartëmonedha 2 mijë lekëshe

Tematikë e saj është periudha ilire dhe si përfaqësues është zgjedhur mbreti Gent

TIRANË- Duke nisur nga data 29 dhjetor, Banka e Shqipërisë do të hedhë në qarkullim kartëmonedhën e re të prerjes 2000 Lekë, emetim i vitit 2007. Drejtuesit e këtij autoritetit thanë se me hedhjen në qarkullim të kësaj kartëmonedhe mbyllet hendeku i krijuar në tregun e kartëmonedhave. Konceptimi i saj është realizuar duke kombinuar tematikën, pamjen e jashtme, elementet e sigurisë dhe procesin e shtypjes. Sipas BSH-së, shtypja e kësaj kartëmonedhe i është nënshtruar një procesi bashkëkohor, duke bërë që ajo të rreshtohet përkrah kartëmonedhave të tjera që përmbushin standardet më të mira. Tematikë e saj është periudha ilire dhe si përfaqësues është zgjedhur mbreti Gent, portreti i të cilit është vendosur në pamjen e përparme të kartëmonedhës. Ndërsa në pjesën e pasme të saj është vendosur pamja e amfiteatrit të Butrintit dhe lulja Gentiana. Mbreti Gent konsiderohet si prerësi i monedhës së përbashkët për të gjitha qytetet ilire të kohës dhe si zbuluesi i vetive kuruese të bimës Gentiana, emri i së cilës vjen pikërisht nga emri i tij. Kartëmonedha përmban elemente sigurie, të cilat janë lehtësisht të dallueshme nga publiku dhe që e mbrojnë atë nga falsifikimet e mundshme. Pjesët përbërëse të saj janë: ngjyra e purpurt, holograma, filli i sigurisë, filigrama, elementi që ndryshon ngjyrë në varësi të këndit të shikimit, elementi i qosheve të përforcuara, relievi i saj është mjaft i ndjeshëm në prekje, sidomos tek pjesa e teksteve dhe numrave dhe llakimi për ta mbrojtur atë nga lagështia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›