E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si të pajiseni me librezë shëndeti

Pyetje nga qytetari: Unë paguaj sigurimet shëndetësore prej disa vitesh, pasi kam një biznes të vogël. Ku dhe si mund të pajisem me librezë shëndetësore?

Përgjigje: Nëse ju banoni në Tiranë, p.sh., duhet të shkoni në qendrën shëndetësore pranë lagjes suaj, duke pasur me vete librezën e kontributeve të plotësuar dhe një mjet identifikimi. Në qendrën shëndetësore do të merrni edhe rekomandimin e mjekut që do t’u ndjekë. Me këto tre dokumente, mund të hapni librezën shëndetësore në qendrën shëndetësore, ku ka një sportel të punonjësve të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shëndetësore të Tiranës. Nëse banoni në një rreth tjetër, atëherë me të njëjtat dokumente, libreza shëndetësore hapet pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shëndetësore të rrethit përkatës. Por duhet pasur kujdes nëse jeni transferuar me banim nga një qytet/fshat tjetër, në Tiranë p.sh., para se të hapet libreza shëndetësore në qytetin e Tiranës, duhet të tërhiqet kartela personale nga qyteti nga i cili vini. Vetëm pas transferimit të kartelës shëndetësore, mund të hapet libreza në vendbanimin e ri. Kjo bëhet në mënyrë që të shmangen dublimet e personave që marrin shërbimet e ISKSH-së.

Si të pajiseni me librezë shëndeti për të përfituar shërbimet e ISKSH-së

-Dokumentet e nevojshme:

Për personat e punësuar apo të vetëpunësuar (fshat, qytet) duhet të paraqiten:

-Libreza e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore

-mjet identifikimi (pasaportë ose certifikatë)

-rekomandimi i mjekut

Për kategoritë joaktive duhet të paraqitet vërtetimi i kategorisë përkatëse, si p.sh.:

-Libreza e pensionit për pensionistët.

Vërtetim i lëshuar nga zyra e punës dhe përkrahjes sociale për të papunët dhe personat që trajtohen me ndihmë ekonomike.

Vërtetim KMCAP për personat me aftësi të kufizuar.

Vërtetim i konsultorit Nëna dhe Fëmija për nënat me leje lindjeje.

Vërtetim i repartit ushtarak për ushtarët.

Certifikatë lindjeje, vërtetim i shkollës për fëmijët, nxënësit dhe studentet me shkëputje nga puna.

Vërtetim i invaliditetit për invalidët e plotë, jo të plotë, të luftës.

Statusi përkatës për veteranët, jetimët, të verbrit.

-Në të gjitha rastet e mësipërme është i nevojshëm edhe mjeti i identifikimit (pasaportë ose certifikatë), si dhe rekomandimi i mjekut për pajisjen me librezë shëndeti.

-Libreza e shëndetit shpërndahet nga Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Në Tiranë mund të pajiseni me librezë shëndetësore pranë poliklinikave, ndërsa në rrethe pranë DRSKSH-ve përkatëse.*Kjo rubrikë realizohet në bashkëpunim me Institutin e Sigurimeve dhe Kontributeve Shëndetësore

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›