E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poliklinikat: 9300 punonjës, një pagë shpërblim

Sipas ISKSH-së, punonjësit e sistemit parësor do të marrin shpërblim në bazë të elementëve të performancës

Punonjësit e qendrave shëndetësore të parësorit do të marrin deri në një pagë shpërblim. Ndryshe nga vitet e tjera, shpërblimi nuk do të jetë një shumë fikse e përcaktuar, por pikërisht bazuar në punën e kryer dhe shërbimin e ofruar ndaj pacientëve. Këtë e pohojnë burime zyrtare të Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, sipas të cilëve ky shpërblim do të jetë deri në një pagë mujore.

Shpërblimet

Nga dhënia e pagës së dytë shpërblim, përfitojnë rreth 9300 punonjës në 419 qendra shëndetësore, me një fond rreth 260 milionë lekë. “Sipas të dhënave, rezulton se shpërblimi në këtë fundviti është deri në një pagë mujore për mjekët dhe stafin tjetër. Ky shpërblim bazohet në 10% shtesë për performancë dhe 5% shtesë për cilësinë e shërbimit (bonusi)”,- pohojnë burime zyrtare të ISKSH-së. Ndërsa vitin e kaluar punonjësit kishin një shpërblim fiks, sipas kategorive që arrinte nga 10 mijë deri në 20 mijë lekë. Ndërkohë, bëhet e ditur se sipas informacioneve, rezulton se për gjashtëmujorin e parë të vitit 2008, të gjitha qendrat shëndetësore kanë dhënë deri në një pagë shpërblim për rezultatet e arritura. Mbështetur në realizimin e 11-mujorit dhe në buxhetin e akorduar, qendrat shëndetësore do të japin deri një pagë tjetër shpërblim për rezultatet e arritura në këtë fundviti.

Performanca

Arritja e elementeve të performancës është kryesorja që mjekët e poliklinikave jo vetëm të përfitojnë rritje page, por edhe të marrin shpërblim. Në bazë të evidencave të paraqitura, del se financimi i buxhetit për aktivitet (10% i performancës) për çdo qendër shëndetësore, të jetë realizuar nga 8-100 %. “Më mirë në realizimin e këtij treguesi paraqiten qendrat shëndetësore të rajonit Tiranë, Vlorë, Tropojë, Berat, Kukës, Korçë, Elbasan dhe Shkodër. “Ndërsa realizimi i buxhetit për bonos, varion nga 24-54%. Më mirë paraqiten Vlora dhe Kukësi, me 54 % secila, Dibra 49 %, Korçë 48 %, Shkodër 46 %, Tiranë 45 %, Berat 43 %. Buxheti për bonus për çdo qendër shëndetësore është realizuar nga 2-81 %”, - bëjnë të ditur burimet zyrtare të ISKSH-së.

419 qendra shëndetësore në vend do të përfitojnë shpërblim një pagë mujore

260 milionë lekë është fondi i dhënë nga ISKSH-ja për shpërblimet e fundvitit

10% shtesë nga rroga është për mjekët që arrijnë elementët e performancës

5% shtesë nga rroga është për cilësinë e shërbimit (bonusi) që japin mjekët

10-20 mijë lekë ka qenë shpërblimi vitin e kaluar për të gjitha bluzat e bardha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›